Spartak Ngjela: Ja pse vula e PD i takon Bashës

0
118
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Spartak Ngjela po përpiqet të krijojë një koalicion me Lulzim Bashën, në një kohë jo shumë të qartë për gjendjen gjyqësore të Partisë Demokratike.

Pas vendimit të Gjykatës së Lartë, Gjykata e Apelit ka përcaktuar shortin e gjyqtarëve që do të marrin vendimin final se cilat organe do të legjitimohen, ato të drejtuara nga Sali Berisha me Kuvendin e Rithemelimit, apo do të vazhdojë, si tani, me Lulzim Bashën.

Avokat Ngjela nuk ka ndonjë dyshim se nga cila anë do të anojë fitorja.

“Basha do ta fitojë. Gjykata që s’ia jep Bashës, shkel ligjin. Kaq. Dhe unë s’jam jurist i nivelit të dobët”- u shpreh avokat Ngjela duke bërë një paralajmërim të fortë për gjyqtarët e çështjes.

“Nëse do të ketë trazira sociale, do të ikin në burg gjyqtarët. Në një shtet, ku gjyqtarët, në një çështje të mprehtë sociale shkelin ligjin dhe në shoqëri krijohet pështjellim, gjyqtarët ikin në burg”,- tha Ngjela në emisionin “Pa Censurë”.

Megjithëse në krahun opozitar, Ngjela nuk i përket asaj pjese që beson se opozita mund të fitojë mbi kryeministrin Rama pa ndryshuar asgjë, veçanërisht pa u bashkuar të dy pjesët e PD-së.

“Pa Saliun”- thotë avokati, sipas të cilit opozita nuk ka shanse të mundë Edi Ramën me Sali Berishën në krye. “Pas dënimit eventual të Berishës nga SPAK-u, ai del nga politika dhe PD duhet të bëjë një kongres bashkimi me të dy pjesët, ku të nxjerrë lidershipin e ri.

Lidershipi i ri do të pranohet nga Uashingtoni. PD me ambasadorin amerikan i ka fituar zgjedhjet. Komunizmin me ambasadorin amerikan e mundi. Në çdo miting shkonte ambasadori amerikan. Kjo mund të ndodhë prapë”- tha Ngjela, duke përforcuar tezën e tij se pa mbështetjen e liderit të opozitës nga SHBA, ajo s’mund të kthehet në pushtet.

I pyetur nëse do të merrte pjesë në zgjedhje me partinë e tij Për Ligj dhe Drejtësi, zoti Ngjela iu përgjigj: “Deri tani e kam vendosur, por koha ndryshon”,- tha ai.

Si aleatin kryesor, Ngjela ka zgjedhur Lulzim Bashën, për të cilin ka ndryshuar mendim që nga zgjedhet e kaluara, kur e cilësonte vazhdimisht si një eksperimet të dështuar.

“Edhe mund ta kem thënë, por në politikë jemi. Atëherë e kisha kundërshtar, por në muajt e fundit shoh që ai ka ngritje”, u shpreh Spartak Ngjela, i cili i ka kërkuar Bashës që ta bazojnë aleancën në një marrëveshje të shkruar, ku të përcaktohen tre pikat kryesore të aleancës.

“Duhet një marëveshje bashkimi, e cila kërkon një strukturë juridike. Duhet përcaktuar sesi do të jetë fushata elektorale, pra kush do ta drejtojë fushatën dhe me çfarë platforme.

Dhe e treta janë sa dhe cilat vende do të ketë çdo parti në listën garuese të koalicionit”-tha Spartak Ngjela në RTSH, qartazi duke e vendosur Bashën para një kushti përpara se palët të vendosin në mënyrë përfundmitare sesi do të përfaqësohen në zgjedhje.

Deri tani, siç pohoi avokat Ngjela, kërkesa e tij nuk është refuzuar nga Lulzim Basha, por nuk ka avancuar në dakordësi konkrete.

Zjarr Tv Ad