Takimi me liderët e Ballkanit, Vuçiç: Na presin bisedime të vështira me zyrtarët shqiptarë

0
3

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nuk pret që takimi i 29 prillit me homologët e Kosovës në Berlin t’i japë zgjidhje problematikave mes dy vendeve.

Kreu i shtetit serb thotë se bisedimet e ndërmjetësuara nga presidenti francez Emanuel Makron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel me gjasë vetëm do të tentojnë afrimin e palëve në dialog.

Vuçiç: “Na presin bisedime të vështira me zyrtarët shqiptarë. Nuk do të jetë e lehtë as me Merkel dhe Makron, dhe nuk bëhet fjalë për ndonjë zgjidhje konkrete. Aty do të flitet për taksën dhe a do të vazhdojë dialogu.”

Samiti joformal i Berlinit do të bëjë bashkë liderët e Ballkanit Perëndimor, ndërsa mësohet se Kosova dhe Serbia do të përfaqësohen nga kryeministrat dhe presidentët e tyre.

Në takim pritet që të propozohet një dokument-kornizë se si mund të arrihet marrëveshja mes Prishtinës dhe Beogradit.

Fillimisht mësohet se dokumenti nuk parashikon sheshimin e mosmarrëveshjeve përmes rikorrigjimit të kufijve, por në këmbim të stabilitetit në rajon Serbisë pritet t’i garantohet sovranitet më i madh në disa territore të Kosovës.

Ndërkohë udhëheqësit e Kosovës ndajnë qëndrime të kundërta për hapat që duhen ndërmarrë për t’u rikthyer dialogu.

Një ditë më parë kryeministri Ramush Haradinaj u shpreh se nëse tema e territoreve nuk do të ishte shtruar nga pala ndërmjetësuese evropiane, palët me shumë mundësi do ishin pajtuar prej një viti.