Targat e Provës, DPSHTRR: Nga 11 shkurti aplikimi bëhet online nga shoferët

0
17

Subjektet nuk do të sorrollaten më për të siguruar për automjetin e tyre një Targë Prove. Nga data 11 shkurt, aplikimi dhe ndjekja e procedurës do të bëhet  online me qëllim shmangien e vonesave dhe abuzimit. Lajmin e ka bërë të ditur Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, përmes një njoftimi zyrtar. Sipas DPSHTRR-së subjektet do të mund të aplikojnë online edhe për rinovimin e autorizimeve të dhëna para 2018-s apo nëse do të bëjnë një aplikim të ri për sipas Licensës/Aktivitetit.

Falë reformave për lehtësimin e shumë shërbimeve të ndërmarra së fundmi, shumë aprovime e praktika po bëhen online.

“Nga 11.2.2019 Aplikimi për Targë Prove Online!

Rinovim i Autorizimeve të dhëna para 2018!

Aplikim i ri për subjektet sipas Licensës/Aktivitetit!

Aprovimi/Informimi me email! FUND sekserëve e sorrollatjeve!

Kategorizim i TPL sipas mjeteve”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.

Nga 1 shkurti sikurse ishte premtuar, targat e Provës po jepen me regjistër të veçantë dhe në sistem.

Ndryshimi vjen me Librin e Lëvizjes që do dokumentojë shasinë, datën, emrin e personit në timon (përgjegjësi/vartësi i subjektit)! DPSHTRR do rinovojë targat e dhëna më parë duke aplikuar kushtet e reja. Ndryshimi lehtëson kontrollin nga Policia Rrugore dhe nga Task Forca e Transportit Rrugor, zgjidh problemin e vjetër të autorizimit të kufizuar vjetor duke e bërë automatikisht të rinovueshme të drejtën e përdorimit me blerjen e Librit të Lëvizjes (kush lëviz më pak, shpenzon më pak), rritet e drejta e përdorimit nga çdo i autorizuar/punësuar/vartës i subjektit, disiplinon në vetvete lëvizjet me këtë targë duke u bazuar te vetdeklarimi në Librin që shoqëron targën në automjet dhe i jep seriozitet vetë Targës së Provës për një mbulim të plotë këtej e tutje me TPL nga siguracionet. Tarifat ekonomike, rinovim i të gjitha targave aktualisht në përdorim ose që kishin skaduar si autorizime!