Venecia dhe BB shuplakë Ramës: Ligji i pronave antikushtetues/ Shqiptarë po ju vjedhin pronat

0
31
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Në seancën plenare të datës 11 shtator, Komisioni i Venecias shqyrtoi ligjin e pronave e cila lejon krijimin e Korporatës së Investimeve, një institucion që ka si synim rrëmbimin e pronave të tokave bujqësore dhe bregdetare të shqiptarëve dhe dhënien e tyre oligarkëve të qeverisë.

Nën justifikimin e zhvillimit, turizmit dhe nxitjes së investimeve private, qeveria pa asnjë listë transparente pronash, pa projekte dhe plan konkret, pa llogaritur titujt e pronësisë, pa marrë në konsideratë të drejtat e pronarëve dhe pa bërë publike mënyrën e prokurimit do u marrë shqiptarëve pronat me një Vendim të Këshillit të Ministrave i cili pritet të miratohet së shpejti dhe do ua japë një grupi biznesmenësh oligarkë pranë qeverisë.

Tokat e shqiptarëve, zonat më të bukura të vendit do u merren pronarëve me një VKM dhe do u jepen një grushti njerëzve pranë Ramës. Duket që kjo iniciativë kryhet qartësisht për pastrimin parash.

Kjo iniciativë korruptive ‘shkel të drejtat e njeriut dhe është antikushtetuese’ deklaron Komisioni i Venecias përmes një deklarate për shtyp lëshuar nga Këshilli i Evropës. Ndërsa Banka Botërore shprehet e shqetësuar se Korporata e Investimeve ka mandat të gjerë, konflikt interesash dhe është një risk për buxhetin!

Ky plan anti-kushtetues, korruptiv dhe që shkel të drejtat themeltare të njeriut, sic shprehet Komisioni i Venecias, nuk përfshin përcaktime për titujt e pronave bujqësore dhe për të nuk janë zhvilluar aspak konsultime publike me të gjitha palët e interesuara. ‘Po krijohet një mekanizëm i panevojshëm, për mos të thënë i dëmshëm. Do të bej të mundur që ato prona publike të mbetura të mund të jepen kontribuuesve në fushata ..’ thotë i alarmuar eksperti për ekonominë, Zef Preçi.

Çfarë është Korporata Shqiptare e Investimeve?

Korporata Shqiptare e Investimeve është një plan vjedhje korruptiv i tokës së shqiptarëve. Një iniciativë e errët nga Edi Rama dhe qeveria e tij për t’i rrëmbyer tokat shqiptarëve dhe për t’ua shërbyer një grupi të vogël biznesmenësh të afërt me Kryeministrin. Ky institucion përfaqëson kanalizimin e çdo prone private dhe publike të qytetarëve shqiptarë që të shkojnë në duart e kryeministrit Rama. Kjo do të thotë që tokat e pronarëve të zakonshëm, por edhe të minoritetit grek në Himarë, Vlorë dhe Sarandë do të merren nga kryeministri Rama apo oligarkëve pranë tij.

Marrja me dhunë e tokës të qytetarëve të zakonshëm dhe transferimi i pronësisë tek disa investitorë shkel të drejtat e njeriut për gjithë pronarët e tokave në Shqipëri. Kjo është një vjedhje e hapur e kryer nga vetë shteti. Mediat ndërkombëtare dhe institucionet e huaja e kanë denoncuar vazhdimisht këtë çështje kaq korruptive e cila prek në mënyrë të drejtpërdrejtë të drejtat themeltare të njeriut dhe sidomos atë të pronës. Pavarësisht se të gjitha institucionet ndërkombëtare FMN, Banka Botërore, Këshilli i Europës, Komisioni i Venecias, Departamenti i Shtetit dhe madje edhe qeveria greke, pasi prek pronat e minoritarëve, kanë kritikuar ashpër ligjin e Korporatës së Investimeve, Edi Rama ka vendosur të vazhdojë me planin e tij dhe të shkelë të drejtën e pronës së shumë qytetarëve shqiptarë.

Me këtë Korporatë qeveria e Ramës do të kthehet në ‘de facto’, oligarkja e vetme në Shqipëri dhe njëkohësisht edhe partneri më i madh i disa oligarkëve. Korporata e Investimeve Shqiptare mbahet qëllimisht nën mjegullën qeveritare. Ndaj edhe mediat nuk u morrën aspak me Ulsi Manja-n i cili ishte përfaqësuesi i qeverisë në seancën pleanere të Komisionit të Venecias me datë 11 shtator 2019.  Ministria e Financave është pa listë pronash dhe projektesh. Ministria e Financave vazhdon të mos japë shpjegime mbi pronat dhe projektet që do të zhvillojë Korporata e Investimeve, drafti i së cilës u miratua javën e kaluar nen për nen mes debatesh në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë.

Vetë anëtarët e Komisionit të Ekonomisë u shprehën se nuk e kanë kuptuar mirë kush është fokusi real i korporatës dhe kush janë pronat konkrete që mund të zhvillojë. Si mund të miratohet një ligj kaq i errët kur vetë anëtarët e Komisionit të Ekonomisë nuk e kanë të qartë? E gjitha po bëhet qëllimisht fshehurazi dhe në mënyrë të mjegullt për opinionin publik. ‘Do të trajtohet më vonë edhe VKM-ja që do të nxirret për këtë qëllim. Do të dalë dhe lista që do të kalojë në përdorim të korporatës’, shpjegoi Elton Haxhi, zv/ministër i Financave dhe Ekonomisë duke përforëcuar kështu planin e Kryeministrit që përmes VKM-ve të rrëmbejë pronat e shqiptarëve dhe t’ua japë një grupi të ngushtë oligarkësh. Këtë e cilëson edhe Komisioni i Venecias i cili shprehet se ky ligj i jep pushtet të egzagjeruar Këshillit të Ministrave.

Aksioneri kryesor i Korporatës mendohet të jetë shteti me një kapital fillestar prej 3 milionë euro, por kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj, nuk përjashtoi mundësinë që në të ardhmen t’i bashkohen edhe aksionerë të tjerë dhe këtu përfshihen sigurisht oligarkët e njohur të cilët janë bashkë-hartuesit e këtij plani me Kryeministrin për të zaptuar tokat më të bukura të vendit e sidomos të bregdetit shqiptar.

Pra shumë shpejt pronat private mund të merren nga Korporata e Investimeve Shqiptare dhe më pas t’u jepen oligarkëve të Ramës. Dhe shqiptarët mbeten thjesht të zhvatur dhe të dhunuar në të drejtën e tyre të pronësisë. Kjo vjedhje kolosale ndaj pronave dhe ky mega-skandal i heshtur miliarda eurosh po fshihet pas zhurmës së krizës politike. Në vend që çështja e pronave të zgjidhet një herë e përgjithmonë po ndodh e kundërta, shteti po vjedh qytetarët e tij dhe kjo është vjedhja më e madhe e tridhjetë viteve të fundit.

Shqiptarë, shteti po ju vjedh pronat.

/Koha Jonë

Zjarr Tv Ad