Policia e Durrësit njofton se ka vënë nën pranga një banor të Sukthit, i identifikuar si Rexhep Arapi, i cili është kapur para lokalit të tij me një armë zjarri pa leje.
Arapi njihej në zonë me nofkën ‘Kepi’. Ndërkohë, policia ka shoqëruar në komisariat për kryerjen e hetimeve përkatëse.
Arapi është i regjistruar në arkivat e policisë si një person me tendenca të rrezikshme kriminale, si vrasje dhe trafikim droge e institucioni.
Në mars të vitit 1991, ai u akuzua se ka vrarë në Portin e Durrësit, për gjakmarrje, shtetasin A. Çyrbja, banor i fshatit Katund Sukth. Arapi u arrestua për këtë krim në 1994 dhe u lirua për mungesë provash.
Njoftimi i policisë/ Durrës
Kontrolle të shtuara për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje. Operacioni i zhvilluar nga Forca e Posaçme Operacionle e DVP Durrës më bashkëpunim me Komisariatet e Policisë Durrës dhe Shijak.
Arrestohet në flagrancë 1 shtetas me precedent të mëparshëm kriminal kundër jetës së personit dhe në fushën e narkotikëve. Procedohet penalisht një tjetër shtetas për veprën penale “Moskallëzim krimi”. Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë dhe mjeti i blinduar me të cilën ky shtetas lëvizte.
Në zbatim të Planit të Masave të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë “Për kontrollin e territorit, parandalimin e ngjarjeve kriminale kapjen e autorëve që mbajnë armë zjarri pa leje”, në bazë të informacioneve të mara në rrugë operative se një shtetas dispononte armë zjarri me vete, menjëherë Forcat e Posaçme Operacionale në DVP Durrës kanë mirëorganizuar punën dhe kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit:
Rexhep Rapi., 58 vjeç, banues në Sukth, Durrës.
Shërbimet e Policisë në bazë të informacioneve të mara se në ambinetet e një lokali në autostradën Durrës-Tiranë, ndodhej një shtetas i cili dispononte armë zjarri me vete, kanë ushtruar kontrolle dhe në banakun e lokalit kanë gjetur një çantë dore ku u gjet një armë zjarri pistoletë e cila nga veprimet hetimore rezultoi se i përkiste shtetasit Rexhep Rapi.
Në vijim të veprimeve u procedua penalisht për veprën penale “Moskallëzim krimi”, shtetasi G. M., (punonjës i subjektit), i cili kishte dijeni për armën e zjarrit dhe nuk ka treguar. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 armë zjarri pistoletë dhe mjeti tip “Benz”, i blinduar me të cilën ky shtetas lëvizte. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.