Të mos i zhgënjejmë shqiptarët, zonja ambasadore

0
3367
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Frank Shkreli 

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Shkëlqësia e saj, Juri Kim ka bërë një ekspoze të “arritjeve” dhe “sukseseve” të Shqipërisë në një artikull që e lexova në portalin e ambasadës tonë në Shqipëri.  Me të thënë të drejtën, ky shkrim m’u duk aq i pazakontë për një diplomat/e amerikane, si për nga përmbajtja ashtu edhe për nga qëllimi se pse e nderuara ambasadore e shkruan pikërisht në këtë kohë një artikull si ky. Zakonisht, “arritjet” dhe “sukseset” e kaluara dhe planet për të ardhmen deklarohen në fund të vitit, normalisht, ose në ndonjë raport të veçantë drejtuar Departamentit të Shtetit. Prandaj, ky shkrim më duket më shumë si një “lamtumirë”, ose ndoshta edhe si një përpjekje në mbështetje të njëanëshme ndaj qeverisë socialiste të Shqipërisë, për të justifikuar perceptimet e shumë vetave se ajo është palë, siç kanë komentuar shumë lexues në portalet e ambasadës amerikane.

Që në fillim dua të shprehem se kam respektin më të madh për diplomatët amerikanë që shërbejnë anë e mbanë botës, shpesh në rrethana shumë të vështira, përfshir sidomos ata që shërbejnë në Shqipëri dhe në Kosovë.  E them ketë se gjatë karierës time, kam pasur nderin dhe privilegjin të bashkpunoj me shumë prej tyre – në kohë të mira e sidomos në kohë të vështira — gjatë luftës së ftohtë e më vonë në periudhën e tranzicionit.  Me diplomatët amerikanë që kanë shërbyer me dinjitet në trojet shqiptare dhe anë e mbanë Evropës lidnore e qendrore ish-komuniste — si përfaqsues të denjë të Atdheut tim të adaptuar – Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku gëzojmë lirinë, demokracinë dhe të drejtat tona njerëzore.  Kësaj Amerike të bekuar që 50-vjetë më parë ka strehuar mua dhe familjen time si edhe qindëra mijëra shqiptaro-amerikanë gjatë dekadave – të detyruar të largoheshim nga trojet shqiptare nga një prej diktaturave më të egra komuniste sllavo-aziatike, siç ishte regjimi komunist i Enver Hoxhës për pothuaj gjysëm shekulli.

Në këtë frymë, pra – me dashuri dhe respekt për vlerat e Atdheut tim të adaptuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe për të mirën e Atdheut të parëve të mi, por edhe me respekt për punën e diplomatëve amerikanë në Shqipëri dhe për hir të marrëdhënieve miqësore SHBA-Shqipëri, megjith kundërshtimet e mia ndaj disa prej politikave të ndjekura prej tyre gjatë dekadave – të më lejohet që të shprehi kësaj radhe disa kundërshtime të mia përsa shkruan Zonja Ambasadore në artikullin e saj të botuar të mërkurën për rrugën përpara në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri.

“Shqipëria ka përfunduar zgjedhje që do të shënojnë rikthimin e opozitës në parlament, një ngjarje me rëndësi kritike. Siç vërejti ODIHR në raportin e tij përfundimtar, zgjedhjet e 25 prillit ishin të mira, por jo të përsosura…”, shkruan Zonja Kim.

Përkundrazi, e vetmja gjë pozitive që unë lexoj në raportin e ODIHR-it është se zgjedhjet, siç thuhet në raport, ishin të “qeta”.  Të qeta ishin edhe në kohën e Enver Hoxhës zgjedhjet, por pse ishin të qeta, nuk i bën ato “të mira” as të lira.  Shqipëria nuk ka patur zgjedhje të mira, të lira as të drejta në këto 30-vitet e fundit, pa marrë parsysh se cila parti ka qenë në pushtet.

Frank Shkreli/ Zgjedhjet e 30-qershorit: Një poshtërsi për qeverinë shqiptare, një dështim për opozitën, një turp për ndërkombëtarët dhe një fatkeqësi për kombin shqiptar! | Gazeta Telegraf

Kjo traditë vazhdoi edhe me zgjedhjet e fundit në Shqipëri.  Asnjë vërejtës i paanshëm nuk mund të pretendojë se këto zgjedhje ishin të “mira”, të lira dhe të drejta.  Ose i besojmë ODIHR-it ose jo.  Ndër të tjera, në raportin e tij për zgjedhjet në Shqipëri, për t’i ra shkurt bisedës, thuhet se partia në pushtet “keqpërdori burimet administrative”.  Përcakton “mbledhjen e informacionit për të dhënat personale”, si një problem seriroz.  “Shitblerja e votës mbetet shqetësim”, thuhet mëtej.  “Presionet ndaj medias” nga korrupsioni i madh që ka prekur shoqërinë shqiptare, thuhet, ndër të tjera, në raportin e ODIHR-it për zgjedhjet e fundit në Shqipëri, është gjithashtu diçka për t’u shqetësuar për të gjithë ata që besojnë në votën e lirë. Nëqoftse këto probleme dhe shqetësime të tjera në raportin e ODIHR-it i bëjnë këto zgjdhje të “mira”, atëherë ne kemi një ndryshim të madh në interpretimin e dallimit midis të mirës dhe të keqes, si koncept. Në çdo vend tjetër të Evropës këto zgjedhje nuk besoj se do të cilësoheshin si të “mira” as të drejta, dhe as të lira.  Si të tilla, fatkeqësisht, nuk besoj se do e çojnë Shqipërinë “në familjen evropiane”, ashtu siç dëshirojmë të gjithë.

“Pesë vjet pas miratimit të ligjeve, reforma në drejtësi po jep rezultate reale që do të ndihmojnë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë”, shkruan ambsadorja Kim.  Të gjithë ata që e duan Shqipërinë dhe ia duan të mirën Kombit shqiptar – e në këtë grup besoj të jetë edhe ambasadorja Kim – e duan dhe e mbështesin reformën në drejtësi, për t’i dhenë fund njëherë e mirë, “pandëshkueshmërisë” dhe korrupcionit në atë vend, përfshir pandëshkueshmërinë politike që mbretëron në politikën shqiptare për një shekull tani.  Është shumë mirë që “reforma e re” në drejtësi po merret me ndëshkimin e hajdutëve, kriminelëve, të korruptuarve dhe rrugaçëve. Ju urojmë sukses!

Po çfar mund të thuhet për rreth 30-antarëve të parlamentit të ri shqiptar, nga të gjitha palët– të cilët, sipas disa mediave shqiptare – kanë qenë anëtar ose kanë patur lidhje me ish-Sigurimin famëkeq të regjimit komunist. Këta kanë dalur nga zgjedhjet “e mira” të këtij viti në Shqipëri dhe do bëjnë ligjet për të ardhmen e Shqipërisë.  Pse nuk ngulet kembë nga diplomatët perëndimorë në Tiranë që antarët e Kuvendit të ri, që do fillojë punimet në shtator, t’i nenshtrohen një vetingu të pastrimit të figurës – siç është bërë në shumë vende ish-komuniste. Pse nuk bëhet në Shqipëri. Për derisa komuniteti ndërkombëtar nuk këmbëngulë që Shqipëria të përballet me të kaluarën e saj komuniste – ashtu siç kanë berë vendet e tjera ish-komuniste të Evropës dhe me krimet çnjerëzore të Enver Hoxhës, Shqipëria nuk do të bëhet shtet normal as anëtare e Bashkimit Evropian!

Gjithashtu, siç e kam thenë edhe herë të tjera, nuk besoj se reforma e re në drejtësi mund të dalë me sukses – megjithë disa shënja pozitive fillestare – kur kjo reformë është pothuaj, ekskluzivisht, në dorë të ish-gjyqtarëve dhe ish-prokurorëve të regjimit komunist. Si është e mundur që institucionet më me rëndësi të Shqipërisë kontrollohen ende nga trashëgimtarë dhe apologjetë të regjimit komunist.  Uroj që t’ia dalin, por mbetet për tu parë. Unë shpesh ua kam bërë këtë pyetje diplomatëve perëndimorë në Tiranë, por kurrë nuk kam marrë ndonjë përgjigje që justifikon mbështetjen që ata u kanë dhënë e u japin këtyre njerëzve në nivelet më të larta të qeverisë dhe shtetit shqiptar. Unë nuk besoj se mund të ketë reformë, cilado qoftë ajo, me këta njerëz të komprometuar me regjimin e Enver Hoxhës dhe ndoshta edhe me krimet e atij regjimi.

E vërtetë se siç shkruan Ambasadorja Kim, “Tridhjetë vjet pasi populli shqiptar – me mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara – hodhi tej vargonjtë e diktaturës komuniste, Shqipëria ka arritur në një çast të ri mundësie historike.”  Shqipëria, Zonja Ambasadore, ndoshta i ka hedhur vargonjtë e diktaturës komuniste ashtu siç ishin para 1990-ës, por jo trashëgiminë dhe njerëzit që e mbajtën të gjallë atë diktaturë për pothuaj një gjysëm shekulli. Jam i sigurt se shumë prej tyre i ke takuar në Tiranë.  Shumë prej tyre do jenë në parlamentin e ri shqiptar ku do të vendosin të ardhmen e Shqipërisë 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit, e shumë prej tyre vendosin “drejtësinë” edhe sot.  Keni të drejtë kur thoni se Shqipëria ka nevojë për reflektim të thellë të ndërgjegjes morale dhe planifikim real.

Të gjthë duhet të pyesim pse janë këta njerëz pjesë e politikës shqiptare sot – por jo vetëm për mësim nga e kaluara, siç sugjeroni ju – por Tirana zyrtare dhe klasa politike në përgjithësi dhe pa dallim, përfshir edhe diplomatët preëndimorë si ju Zonja Kim — kanë nevojë për një distancim zyrtar, njëherë e mire — nga trashëgimia e të kaluarës komuniste.  Shqipëria, ka nevojë për pastrim, për një fillim të ri, me njerëz të ri, sepse siç shkruani edhe ju, Shtetet e Bashkuara duan “një aleat që është i fortë, i aftë dhe i begatë.” Kjo nuk arrihet me heshtjen e diplomatëve perëdnimorë dhe duke qenë asnjanës ndaj nostalgjikëve të Enver Hoxhës në nivelet më të larta të qeverisë dhe të shtetit shqiptar!   Shumë prej tyre, përfshir Kryeministrin Rama, kanë shprehur adhurimin e tyre për atë periudhë të zezë të Kombit shqiptar.  Ka vite që e them, se me këtë klasë politike të komprometuar moralisht dhe politikisht dhe e mbështetur nga ndërkombëtarët, Shqipëria nuk do të jetë një aleat i vyer, as i fortë, as i begatë, që ndanë vlera të përbashkëta me popullin amerikan, e si rrjedhim nuk do të jetë as një aleat i denjë që meritojnë Shtetet e Bashkuara. Shqipëria ka nevojë për pastrimin nga politika të gjithë ish-bashkpuntorëve dhe nostalgjikëve të komunizmit aq sa ka nevojë edhe për pastrimin e të korruptuarve të sotëm nga jeta politike due nga sistemi juridik.

E nderuara Ambasadore jam dakort me ju se Shqiptarët janë lodhur dhe nuk durojnë më këtë klasë të korruptuar politike, gjoja post-komuniste. Jam dakort se siç përfundoni edhe ju shkrimin tuaj, shqiptarët me të cilët kini vizituar dhe folur – nga Shkodra e deri në Gjirokastër,  të gjithë, “bashkohen në një pikë: iu ka ardhë në majë të hundës me metodat e vjetra; duan ndryshim të vërtetë; duan fundin e korrupsionit; duan një sistem drejtësie ku askush nuk është mbi ligjin; duan që kriminelët të qëndrojnë jashtë qeverisjes dhe politikës; duan një vend që i josh të rinjtë të qëndrojnë për shkak të mundësive; duan një vend që ecën përpara, jo prapa.”  30-vjet post-komunizëm askush nuk mund të jetë krenar për ndonjë arritje të madhe në Shqipëri — as poltika vendase as ndërkombëtaraët — kur shumica e shqiptarëve, sidomos të rinjtë shikojnë për mundësi për tu larguar nga vendi sa më parë që të jetë e mundur. Kjo situatë e boshatisjes së vendit, në të vërtetë, po këthehet në një tragjedi kombëtare, të përmasave epike.

Si përfundim, edhe unë bashkohem me ju, Zonja Ambasadore për nevojën urgjente se për të shpëtuar demokracinë shqiptare, nevojitet një reflektim moral, planifikim dhe intensifikim i përpjekjeve të gjithë shqiptarëve dhe diplomatëve të huaj vullnetmirë në Tiranë. Ka ardhur koha që shqiptarët të marrin fatin e tyre në dorë duke zgjedhur (në zgjedhje të lira e të ndershme) udhëheqës të ri që do të çojnë përpara jo vetëm lidhjet SHBA-Shqipëri, por edhe të cilët do të punojnë pa kursim dhe pa interesa personale e partiake të korruptuara, për një të ardhme më rë mirë për të gjithë shqiptarët pa dallim dhe për një distancim të përhershëm nga trashëgimia tragjike komuniste.  Me ju gjithashtu, “Shpresojmë që udhëheqësit e Shqipërisë – ata në pushtet dhe ata që shpresojnë të jenë në pushtet një ditë – po kështu do të reflektojnë dhe planifikojnë për të ardhmen, për një Shqipëri më demokratike, më të sigurt dhe më të begatë”, për të gjithë.

Shqipëria ka nevojë për një fillim të ri, me njerëz të ri! Për të mirën e atij populli shumë të vuajtur, për të mirën e zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të shqiptarëve dhe Amerikës, të cilën Kombi shqiptar, për më shumë se një shekull edhe tani e shikon si shpresën e fundit. Mos t’i zhgënjejmë shqiptarët, Zonja Ambasadore! Kanë kaluar 30-vjetë. Mjaft është mjaft!

DEMOKRACIA NUK PRET!

I kalofshi pushimet verore si është më mirë!

Zjarr Tv Ad