Kejdi Spahiu studentja 23-vjeçare ka shpallur ditën e sotme kandidaturën për procesin e primareve në Partisë Demokratike për bashkinë e Beratit.
Nga ky proces do të dalë dhe emri i opozitës për kryebashkiak përballë të majtës.
Spahia tha se ajo i njeh mirë ‘plagët’ e qytetit shekullorë dhe shprehet se e ka marrë përsipër këtë angazhim për të dhënë kontributin e saj në ndryshimin e qytetit.
Një nga problemet më të mëdha përpos papunësisë sipas saj është shëndetësia pasi vitet e fundit është përballur me mungesë të personelit mjekësor.
Fjala e plotë:
Quhem Kejdi Spahiu 23 vjeçe dhe kandidoj për primaret e Partisë Demokratike për Bashkinë e Beratit. Si e re shqiptare ndjej dhimbje kur e shikoj vendin tim në këtë gjendje.
Ndryshimi duhet filluar diku, nga vetja apo nga qyteti yt. Vendimin për t’u futur në primare e konsideroj si pjesë të përpjekjes për të ndryshuar gjendjen ku vendi ynë ndodhet.
Mendoj se ka ardhur koha jo vetëm e përgjigjeve boshe, por e veprave.
Prandaj vendosa të marr përsipër këtë detyrë dhe me fjalën detyrë nënkuptoj atë ndaj qytetarëve beratas. I dimë plagët e Beratit: papunësia, largimi drejt kryeqyteti e sidomos vendeve të huaja dhe lufta e përditshme për të siguruar të nesërmen për veten dhe familjen. Unë e dua qytetin tim, këtu linda dhe u rrita dhe këtu dua të japë gjithë kontributin tim.
Problematikat në qytetin e Beratit janë të shumta duke filluar nga arsimi që është baza e zhvillimit, duke e vazhduar me lagje si Vakëfi apo 28 nëntori të cilat i përkasin një Berati të lenë 100 vite mbrapa dhe rrugët në gjendje të mjerueshme. Shëndetësia është një tjetër shqetësim i madh: mungesa e mjekëve detyron çdo qytetar të drejtohet në spitalet private. Dhe më kryesori, për një qytet si berati, është turizmi.
E vetmja gjë e kohës sonë është Pedonalja ndërsa 100 metra më larg kalon në mesjetë. Me shpresën te fitorja dhe besimin në Zot, sot ndjej të nevojshme të kërkoj mbështetjen e të gjithë qytetarëve të Beratit të ecim përpara së bashku, dhe duke bashkuar forcat ne do të jemi të pathyeshëm.
Procesi i primareve do të mbyllet me datë 4 dhjetor. Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë kanë firmosur një marrëveshje parazgjedhore për të hyrë me kandidatët e përbashkët në zgjedhje. Sipas marrëveshjes së firmosur nga kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha dhe kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta kandidatë për kryebashkiakë do të jenë të PD ndërsa PL do të marrë vetëm emrat e anëtarëve të këshillave bashkiakë.
Nga 200 kandidatët që kanë dorëzuar aplikimin e tyre bie në sy emri i deputetit Luçiano Boçi i propozuar nga baza për bashkinë e Elbasanit. Ndërkohë garë e fortë mes kandidatëve pritet të jetë edhe Tiranë.