Një atentat në zonën e Don Boskos ka tronditur mbrëmjen e kaluar kryeqytetin. Sipas njoftimit zyrtar të policisë, si pasojë e atentatit ka humbur jetën një shtetase me inicialet M.P, 60 vjeç, dhe janë plagosur 6 persona, mes tyre edhe një e mitur. Nga raportimet, breshëria e plumbave ishte drejtuar drejt lokalit të Fatjon Muratit.
Po kush është Fatjon Murati?
Fajon Murati është një emër i njohur për autoritetet. Ai është arrestuar muaj më parë, më 8 tetor nga Policia e Tiranës, pasi ishte shpallur në kërkim se zotëronte një arsenal armësh, të kapur nga policia më 13 korrik.
Murati ka qenë duke lëvizur në një makinë të blinduar, me Endrit Doklen dhe kunatin e tij Gentian Ruçi.
32-vjeçari Murati ishte shpallur në kërkim nga Policia sepse efektivët kishin gjetur gjurmët e tij të gishtërinjve në kutinë e një arme, ditën kur u zbulua edhe baza e armatimeve në Tiranë, që i përkiste Kristjan Gjinit.
Emri i Muratit është përmendur në korrik të vitit të kaluar, pas masakrës së ndodhur në mbikalimin e Fushë-Krujës, ku u vranë Brilant Martinaj, Besmir Hoxha dhe Dikler Vata. Organi i akuzës kërkoi marrjen në pyetje të disa personave. Mes tyre ishte edhe emri i Fatjon Muratit.
Ende nuk dihet lidhja e Muratit me atentatin e Fushë-Krujës, por ai u kërkua të merrej në pyetje nga Prokuroria e Kurbinit si person që kishte dijeni për ngjarjen. Ndër të tjera, pas arrestimit, u sekuestrua pasuria e tij prej 5 milionë eurosh.
Njoftimi nga policia
Sekuestrohen pasuri që arrijnë vlerën 5 milionë euro, të cilat dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale e subjektit.
Në kuadër të procedimit penal për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, referuar nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, u zhvillua operacioni policor i koduar “Venecia”.
Në zbatim të këtij procedimi, u bë ekzekutimi i vendimit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive të paluajtshme në ngarkim të shtetasit F. M., 32 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas është ndaluar më parë nga autoritetet italiane, si i dyshuar për blerje të mallrave të vjedhura, posedim ilegal të armëve dhe të lëndëve narkotike, dhe aktualisht ndodhet në masë sigurie “Arrest në burg”, në vendin tonë, për vepra të tjera penale.
Në zbatim të vendimit të Gjykatës u bë sekuestrimi i pasurive të paluajtshme, vlera e të cilave shkon rreth 5 milionë euro, konkretisht:
•Një ndërtesë në rrugën “Lord Bajron”; një dyqan në rrugën “Shaban Matraku”; një apartament, një objekt 8-katësh me sipëfaqe 800 metër katrorë, dy subjekte tregtare lokale, një subjekt tregtar lavazh makinash, një subjekt tregtar dyqan, në Tiranë.
Nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për të zbuluar asete të tjera që ky shtetas ose familjarët e tij mund t’i kenë regjistruar në emër të personave të tjerë.