Elisabeta Imeraj, ish-kryeprokurorja e Tiranës, është shprehur me bindje se sulmi me armë ndaj Top Channel në orët e para të ditës së djeshme, është një mesazh i qartë ndaj këtij televizioni kombëtar. Sipas saj, ngjarja ka qenë e mirëorganizuar dhe elementët kriminalë.
Si një profesioniste që ka përfaqësuar për vite me radhë akuzën shqiptare, Elisabeta Imeraj tha se të gjithë elementët tregojnë qartë se breshëria e plumbave ka qenë një mesazh për Top Channel.
Ajo shtoi se autorët nuk kanë marrë parasysh çfarë do të shkaktonin, sepse kanë menduar vetëm për mesazhin që duhet të përcillnin. E ftuar në emisionin “Opinion”, Elisabeta Imeraj tha se nuk mund të përcaktonte nëse ishte mesazh për pronarët, televizionet apo vijën editoriale.
“Duke gjykuar nga rrethanat në të cilat ngjarja ka ndodhur, nga mënyra se si është organizuar, mjeti i përdorur, nga itinerari i lëvizjes, plumbat e hedhur e nga personat e përfshirë në të, jemi në kuadratin e organizimit të mirëfilltë.
Veprime të cilat mund të bëhen vetëm nga krimi i organizuar. Është i mirëorganizuar me detaje. Krimi i organizuar ka goditur në një mënyrë të tilë që nuk ka marrë fare në konsideratë nëse shkakton apo jo pasoja.
Goditja ka ardhur e tillë në një moment kohor kur gazetarët janë larguar, por ama nuk kanë marrë masa që të parandalojnë ardhjen e një pasoje të mundshme, ose me një plumb të drejtëpërdrejtë apo rikoshet. Ata, e shprehur në rang popullor dhe jo juridik, nuk e kanë vënë ujin në zjarr fare nëse do ndodhnin apo jo pasoja”, u shpreh Elisabeta Imeraj.