Nikollë Lesi: Rama e la në baltë Lulzim Bashën, u pajtua me Metën

0
761
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

rama-meta

Pak ditë më parë, Nikollë Lesi shkruante se Edi Rama kishte pasur një takim sekret në Vjenë me Lulzim Basha, për të arritur një marrëveshje bashkëpunimi kundër dyshes Meta-­Berisha.
Ndaj Lesit pati akuza se po përpiqej të përçante të majtën.
Por, sot ai shkruan se Rama e ka lënë në baltë Bashën dhe është pajtur me Metën.
“Pajtimi i Ramës me Metën ka nxjerrë jashtë loje pazarin e bërë mes Ramës e Bashës në Vjenë, ndonëse Berisha nuk e dinte për këtë takim të fshehtë.

Ka mundësi që dueli nga kampi i majtë të shpërngulet në krahun e djathtë mes Bashës dhe anti­Bashëve në PD.
Siç përflitet Rama e la në baltë Bashën, sepse ka bërë llogaritë politike se më i sigurtë mbetet me armikun­mik Ilir Meta se sa me Basha­Berisha në një qeveri teknike.
Gjithsesi gjithë furtuna politike e këtyre ditëve pushoi dhe pritet të mbërrijë kryeministri të fillojë duelin në parlament me Bashën duke zhgënjyer edhe pazarxhinjtë e marrëveshje së fshehtë mes tyre, pazar që përfundoi si pazari i Milotit”, shkruan Lesi në gazetën e tij Koha Jonë, e cila sot hapej me titullin e madh, “U pajtuan”.

U pajtuan!-NGA NIKOLLE LESI*
Pas deklaratave të ashpra për lojë të dyfishtë të Partisë Socialiste, pas kërcënimeve dhe takimeve për një rigrupim të votave në Parlament nga LSI-ja kundër Ramës, dje ka ardhur sinjali i parë i paqes brenda koalicionit të majtë. Fillimisht ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, një nga njerëzit më të besuar të kryeministrit Edi Rama, ka takuar kreun e Kuvendit Ilir Meta. Pas takimit Tahiri deklaroi se mes PS dhe LSI nuk ka asnjë mosmarrëveshje. Madje, sipas tij, “opozita aktuale do të kalojë një kohë shumë të gjatë në opozitë”. Ky ishte sinjali i parë që një zyrtar i lartë i Qeverisë dhe i PS-së jepte për një normalizim të koalicionit. Prej një jave teoritë e ndarjes dhe krijimi i shumicave të reja qeverisëse kanë qenë më prezente se kurrë, megjithatë askush nga PS-ja nuk dinte t’i jepte një përgjigje të thjeshtë pyetjes: Koalicioni ishte funksional, apo mazhoranca kishte rënë?

Por çdo paqartësi lidhur me fatin e koalicionit apo lojërat që mund të luhen mes PS-së dhe LSI-së e ka sqaruar dje kryeministri Edi Rama. Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ndodhet për një vizitë disa-ditore, Rama tha për “Zërin e Amerikës” se nuk ka asnjë mosmarrëveshje në koalicion. “Ne jemi në një koalicion qeverisës që funksionon plotësisht. Qeveria është në detyrë dhe unë jam në krye të detyrës”, – tha ai. Por vetëm kaq duket se nuk ka mjaftuar për të dhënë shenjat e paqes me Metën. Rama ka folur për herë të parë në mënyrë të qartë edhe për aferën e CEZ-it. Ai shtoi se emri i ish-kryeministrit Ilir Meta nuk është përmendur asnjëherë nga avokatët e qeverisë në Vjenë. Një mënyrë kjo për të larguar çdo hije dyshimi se pas akuzave ndaj kreut të Kuvendit, qëndrojnë segmente të qeverisjes së Partisë Socialiste. “Për qeverinë shqiptare, kjo është një çështje e mbyllur dhe e mbyllur me sukses”, – tha Rama. Për kryeministrin, çështja e CEZ-it mund të hetohet nga Prokuroria shqiptare dhe nuk ka nevojë për hetues ndërkombëtarë. Me kaq, kryeministri e ka mbyllur qëndrimin e tij për debatin e ditës, çështjen e CEZ-it dhe ka konfirmuar se është në krah të aleatit të tij lidhur me akuzat që i bën opozita. Nga SHBA kryeministri Rama ka qetësuar ujërat e politikës në Tiranë, të cilat ishin gati për të shpërthyer në një stuhi që mund të merrte para edhe kabinetin aktual qeverisës. Thënë ndryshe, Rama në Uashington dhe Meta në Tiranë kanë vendosur paqe, duke sheshuar problemet që kishin dalë gjatë muajve të fundit mes tyre. Thënë ndryshe: U pajtuan!

Se cilat ishin arsyet konkrete të sherrit dhe me çfarë kostoje u arrit ulja e gjakrave, detajet pritet të dalin në ditët në vijim. CEZ ishte vetëm një prej çështjeve që mahisi më keq mosmarrëveshjet, por nuk ishte e vetmja. Mes dy aleatëve që prej verës kishte mosdakordësi për emra të caktuar të kabinetit qeveritar. Në më shumë se një rast Meta ka lënë të kuptohet se ka ardhur koha për ndryshime në qeveri, pas dy vitesh që ministrat e Ramës janë në detyrë. Nga ana tjetër, Rama ka këmbëngulur se nuk kishte ndërmend të ndryshonte asnjë ministër. Efekti i parë i pajtimit duket se do të jenë disa ministra në kabinetin qeveritar. Kjo, jo vetëm si një kërkesë e aleatit kryesor të mazhorancës, por edhe si nevojë për t’u dhënë një ritëm tjetër disa ministrive që nuk kanë rezultuar efiçente. Siç duket edhe në SHBA duhet tia kenë thënë se duhen ndryshime në qeveri. Por pajtimi i Ramës me Metën ka nxjerrë jashtë loje pazarin e bërë mes Ramës e Bashës në Vjenë, ndonëse Berisha nuk e dinte për këtë takim të fshehtë. Ka mundësi që dueli nga kampi i majtë të shpërngulet në krahun e djathtë mes Bashës dhe antiBashëve në PD. Siç përflitet Rama e la në baltë Bashën, sepse ka bërë llogaritë politike se më i sigurtë mbetet me armikun-mik Ilir Meta se sa me Basha-Berisha në një qeveri teknike.

Gjithsesi gjithë furtuna politike e këtyre ditëve pushoi dhe pritet të mbërrijë kryeministri të fillojë duelin në parlament me Bashën duke zhgënjyer edhe pazarxhinjtë e marrëveshje së fshehtë mes tyre ,pazar që përfundoi si pazari i Milotit.

Zjarr Tv Ad