Një i moshuar është vënë në prangat e Policisë së Tiranës pasi ngacmonte fqinjën 33-vjeçare, duke i kërkuar takim dhe lidhje.
Xhemal H., 67 vjeç, banues në rrugën “Myslym Shyri”, ishte denoncuar për ngacmim nga 33-vjeçarja me iniciale N.K., e cila banonte në një prej pallateve në të njëjtën rrugë, por disa metra më tej banesës së 67-vjeçarit. Sipas të dëmtuarës, i moshuari kishte rreth dy muaj që e ngacmonte, e shqetësonte dhe i kishte shkaktuar edhe gjendje ankthi në disa raste.
Përveç mesazheve që i dërgonte vazhdimisht dhe orar pa orar në telefonin e saj, duke i kërkuar takim dhe lidhje, ai e shqetësonte edhe në rrugë kur përballej me të. I moshuari i kishte shkaktuar panik të resë teksa e priste në shkallët e pallatit, në errësirë, duke e ngacmuar edhe seksualisht në ndonjë moment. Pasi kuptoi që fqinji i saj nuk kishte ndërmend të dorëzohej, 33-vjeçarja u bind për të bërë kallëzim në polici. Policia më pas ka vënë në pranga 67-vjeçarin, pasi ka sekuestruar si provë materiale edhe disa prej mesazheve që ai i kishte dërguar në celular vajzës që e denoncoi. Ndërsa vetë i dyshuari nuk ka pranuar ta ketë ngacmuar seksualisht, duke thënë se thjesht kishte dëshirë të njihej me të.