Dy ditë më parë qeveria futi me urgjencë në Kuvend projektligjin për portin e Durrësit, për një kontratë që shkon rreth 2.1 miliardë euro dhe që opozita e akuzon si një aferë megakorruptive e qeverisë që po fshihet pas investitorëve të huaj për të rrëmbyer truallin e portit të Durrësit për të ngritur pallate. Edi Rama ka thënë prej gati dy vitesh se projekti gjigand do të ndërtohet nga kompania e njohur “Emaar” e zhvilluesit me famë botërore Muhammed Alabbar, ndërsa Memorandumi i bashkëpunimit për ndërtimin e Portit të Durrësit u nënshkrua më 11 gusht.
Sot kryeministri Rama u shpreh se kompania investuese është lidere në Emiratet e Bashkuara dhe se akuzat ndaj marrëveshjes për Portin e Durrësit janë sulm haxhiqamilist i “Aleancës së Rublave” dhe poshtërsi në dëm të interesit të vendit, duke iu referuar akuzave të PD-së dhe PL-së.
“Sulmi haxhiqamilist i Aleancës së Rublave dhe bedelave të saj kundër projektit të Portit Turistik të Durrësit është një turp dhe një poshtërsi e madhe në dëm të interesit të vendit, ndërkohë që tërbimi shpifarak është prova se i kanë bërë vetë tërë pisllëqet që akuzojnë! Synimi i këtij sulmi të dëshpëruar është pengimi i këtij investimi të madh transformues për Durrësin dhe gjithë Shqipërinë, përmes intimidimit të një prej kompanive flamur të Emirateve të Bashkuara, të cilën e kemi sjellë me mbështetjen e Presidentit, Sheikh Muhammed Bin Zayed. Akuzat haluçinante kundër një kompanie ardhja e së cilës është përveç të tjerash një imazh i ri fitues i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, janë tallja e radhës me ata shqiptarë që akoma i ndjekin pas këta të shitur, pa fe, pa atdhe, pa din e as iman”, shkruan Rama.
Por, deputeti i PD-së, Agron Shehaj, duke publikuar licensën e biznesit të kompanisë që Rama e quan “flamur”, tregon se ajo është krijuar vetëm një vit më parë.
“Rama mashtroi shqiptarët duke thënë se në Portin e Durrësit do të investonte kompania “Emaar”. Rama gënjen gjithashtu kur thotë se kompania arabe “North East Real Estate Holding Limited”, që do marrë Portin e Durrësit, është “Kompani Flamur” e Emirateve të Bashkura.
Kjo kompani është krijuar në Nëntor 2021, nuk ka asnjë historik financiar dhe mbi të gjitha nuk ka asnjë lidhje me kompaninë “Emaar”. Koncesioni i Portit të Durrësit është afera e radhës e kësaj qeverie të korruptuar deri në palcë”-shkruan deputeti Shehaj.
Ish-kryeministri Sali Berisha edhe sot në konferencën e përjavshme për media denoncoi marrëveshjen për Portin e Durrësit, ndërsa shtoi se kanë përgatitur një padi që e dorëzuan në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen e bashkëpunimit ekonomik me Emiratet e Bashkuara Arabe. Gjithashtu Berisha tha se do të bëjnë kërkesë për të ngritur një Komision Hetimor.