Anxhela Peristeri, është shpallur fituese e “Festivalit të 59-të të RTSH-së”. Pas 3 netëve spektakël, juria ka votuar me çmimin e pare këngëtaren, e cila konkurroi me këngën “Karma”.
Ashtu siç është bërë traditë tashmë, në muajin maj të vitit 2021, kjo këngë fituese, do të përfaqësojë Shqipërinë në “Eurovision”, i cili këtë vit do të mbahet në Rotterdam.
Këto javë, në media ka qarkulluar një lajm jo zyrtar, për fitoren e “paracaktuar” të këngëtares Peristeri, lajm i cili u mohua kategorikisht nga drejtori i Festivalit të RTSH-së, Martin Leka, si dhe nga vetë Anxhela.
“Nuk kam dashur të flas farë për këtë pjesë, pasi ishte një budallëqe me brirë. Portalet duhet të kenë kujdes se nga i marrin lajmet sepse ky lajm është marrë nga Facebook i një personi, që ka bërë një parashikim personal dhe më pas e kanë nxjerrë si një lajm zyrtar. Nuk është aspak e drejtë. Ky person është shprehur se ka shumë kohë që bën parashikime të tilla dhe asnjëherë s’është bërë lajm. Mua më uruan disa persona dhe më pas kaloi.
Eurovisoni është qëllimi i shumicës. Kur vendosa që do të merrja pjesë në Festival, i thashë Kledi Bahitit të bëjmë një këngë të bukur si gjithmonë. Ndonjëherë, këngëtarët duke u përpjekur të bëjnë këngë të bukura, të denja për Eurovison, i prishin ato. Më pas, janë edhe politikat e Eurovizionit, votat nëpërmjet shteteve. Të gjithë sunojmë që ta çojmë këngën në Eurovison, kur konkurojmë për Festivalin e Fundvitit.”– kështu është shprehur Peristeri më herët.
Pas këngëtares Enxhi Nasufi, e cila e ka shfaqur hapur pakënaqësinë e saj, ka reaguar edhe këngëtarja Rosela Gjylbegu.
Gjylbegu, ka falenderuar të gjithë ndjekësit e saj në Instagram, ku ka publikuar dhe një shprehje me spec, të Dritëro Agollit:
“Në vendin tim e në vendin tënd, një i çmendur, një vend e çmend”, ka qenë kjo shprehja që Rosela, ka ndarë shoqëruar dhe me: “Faleminderit të gjithëve ju për përkrahjen tuaj”