Një masakër me bilanc një të vdekur dhe gjashtë të plagosur ndodhi në zonën e Don Bosko në Tiranë, në lokalin e shtetasit Fatjon Murati, person me precedentë penalë, i njohur edhe si kundërshtar i Ervis Martinajt.
Artan Hoxha, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka shpjeguar kush është Murati dhe detaje nga lidhjet e ti me Indrit Doklen dhe armiqësinë me Ervis Martinajn.
Sipas Hoxhës, familjarët e Martinajt e kanë përmendur Muratin në polici si një kundërshtar të Ervis Martinajt. Hoxha shtoi se Murati është larguar nga Shqipëria pas daljes nga burgu në arrest shtëpie.
“Fatjon Muratit, me vendim gjykate, para disa javësh i janë sekuestruar një pjesë të pronave të veta dhe familjarëve. Ai 48 orë para atentatit është larguar nga Shqipëria. Kam bindje që autorët e kanë ditur. Ky atentat duket në dëshpërim e sipër, në inat e sipër.
Fatjon Murati, për herë të parë ka dalë në media, si person që është shoqëruar për të dhënë sqarime pas vrasjes së Brilant Martinajt. Është lënë më pas i lirë.
Në 8 tetor, është shoqëruar dhe është gjetur në një makinë të blinduar, nga një zonë rezidenciale në drejtim të kryeqytetit, në makinë me Indrit Dokle dhe Gentian Reçi. Policia i ka shoqëruar të tre, sapo kishin ardhur nga jashtë.
Pasi merren në pyetje nga policia, u liruan pas disa orësh, u mbajt vetëm Fatjon Murati. Të nesërmen u tha se Murati u mbajt sepse ka lidhje me një sasi armësh që ishin gjetur në një banesë. Në një nga kutitë e armëve u gjet shenja e gishtit të Fatjon Muratit.
Në datën 11 tetor gjykata ka dhënë masën arrest me burg. Në 28 dhjetor, e njëjta gjyqtare e ka nxjerrë në arrest shtëpie, sepse ka rënë akuza që armët ishin të tijat. Ka sjellë edhe dokument që ka nënën të sëmurë.
Sapo ka dalë nga burgu, për shkak se është target për tu goditur për këto ngjarjet që nuk zgjidhen, në këto kushte, sapo ka marrë arrestin e shtëpisë, është larguar nga Shqipëria për t’u mbrojtur. Ka vajtur në Turqi dhe pastaj në vendet arabike.
Në datën 6 mars, Murati është kthyer në Shqipëri bashkë me Indrit Doklen dhe Gentian Reçin. Policia ka thënë që e kemi gjetur në banesë dhe kanë firmosur procesverbalin. Nëse më pyet mua, them shyqyr që kanë ikur sepse këtu do të bëhej nami.
Të premten janë larguar nga Shqipëria në Kosovë dhe më pas në Turqi. Në Stamboll, ka vajtur me motivacionin se ka nevoje për ndërhyrje mjekësore. Pastaj kanë udhëtuar drejt Emirateve të Bashkuara.
Dumani tha që Ervis Martinaj na ka dhënë 500 mijë euro për të vrarë Indrit Doklen. Atëherë u duk e pabesueshme. Një nga pjesëtarët që identifikohet si kundërshtar të Martinaj, në deklarimet që kanë dhënë familjarët e Martinaj, përfshin emrin e Fatjon Murati.
Murati është nga Kukësi dhe bashke me fisin janë zhvendosur në Don Bosko. Ata kanë qenë me vite të vendosur në atë zonë. Autorët në pamundësi për të goditur dikë tjetër, kanë vajtur në lokal dhe kanë futur breshëri.
Murati u shoqërua për atentatin ndaj Brilant Martinajt. Sipas familjarëve, është përfshirë atje. Ai duhet të ishte në arrest shtepie. Është kontrolluar sistemi TIMS dhe rezulton se ka vajtur në Stamboll.
Në kujton, para dy muajsh u bë kontroll në Fushë Kuqe në banesën e Ervis Martinaj. Tani rezulton se policia ka patur informacion se mund të organizohej një atentat. Dy muaj më mbrapa ndodh një atentat. Policia po verifikon një sërë personash, që kanë qenë njohje të Martinajt ose njerëzve të afërt të tij.
Mesazhi është që nuk do të falet askush. Personi vetë nuk ka qenë prezent, zgjerimi i kësaj skene… Kjo lloj mënyrë ekzekutimi, tregon se krimi i organizuar ka ecur”, deklaroi Hoxha.