Andi Bushati mendon se ambasadorja Yuri Kim është “më e dështuara” që SHBA-të kanë sjellë ndonjëherë në Shqipëri.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Bushati tha se ambasadorja ka dështuar me detyrat e ngarkuar nga shefi i saj dhe në vend ta largonte Berishën nga politika, “e ringjalli”.
“Ajo mori detyrën që Berishën ta fusë në arkivol, ti fusë gozhdët dhe ta nxjerrë nga politike. Në këto 7 muaj ajo vetëm ka shkulur gozhdët dhe nga një Sali të vdekur na ka sjellë një Sali të ringjallur. Ajo e ka bastarduar detyrën që i kanë dhënë shefat e saj”, tha Bushati.
Bushati tha se ambasadorja “pozon me të korruptuarit”.
“Në raport me detyrën që i është dhënë, ambasadori është për të ekzekutuar detyrat që i janë dhënë nga lart. Ajo duhet të nxirrte Berishën me sa më pak kosto anti-amerikanizmi në këtë vend. A e patë para dy muajsh sondazhin e Euronews? Ka dalë BE në pëlqyeshmëri shumë më lart se SHBA. Kjo ka ardhur nga mënyra si kanë luajtur hipokrizisht diplomatët amerikanë në këtë vend.
E mbani mend krizën e bojkotit të zgejdhjeve lokale në 2019? Palmeri tha zgjidheni këtë punë qetë dhe pastaj e merr Gjykata Kushtetuese. Pritëm një vit, të zbatohej formula e Palmer. Doli Gjykata tha nuk kemi kompetencë ta gjykojmë këtë çështje. Ata që besuan se Palmeri kishte shkopin magjik, u ndjenë të tallur.
Këto kanë bërë që njerëzit të ngrenë pyetjen, po na thonë të vërtetën apo po i shërbejnë një loje të shtrembër?
Kjo zonja nuk ka ditë që nuk boton foto buzagaz me cdo të korruptuar të këtij vendi, që është i njohur që bën tendera. Nuk e shqetëson korrupsioni i këtyre që vjedhin sot, por e shqetëson korrupsioni para dhjetë viteve”, tha Bushati.