Deputeti i PD, Oerd Bylykbashi u shpreh në “Çim Peka Live” se Edi Rama po i ofron pazar Lulzim Bashës shtimin e bashkive në këmbim të votave për të zgjatur mandatin e Vettingut.
“Qëndrimi im nuk është që ka pazar për këtë. Por Rama po ofron pazar, është në modelin e tij më të mirë. Ai thotë, unë të jap bashki shtesë, ti do të më japësh Vettingun. Unë e kam përmbledhur me një frazë, një gjë që është në diskutim të përgjithshëm dhe pyetja cinike edhe krejt boshe që më bëhej nga kryetari i partisë, çfarë di ti për këtë marrëveshje, ishte krejt e pavend.
Ajo që unë flas, është Rama po ofron dhe unë pres nga kryetari i partisë që të lexoj çfarë thotë nënkryetari i komisionit të ligjeve, një deputet i partisë nëse ka ndonjë çështje ulet dhe e diskuton, por unë e kisha thënë është qëndrim që vetëm konfirmohej. Dhe kjo lloj situate mua nuk më pëlqen, pse trazohen kaq shumë ujëra.
Interesi publik i shqiptarëve dhe më pas i demokratëve, i opozitës, është të bëhen reformat në këtë sekuencë. A mund të bëhen të gjitha në të njëjtën kohë, pa diskutim, por është e rëndësishme që ne opozita t’i kemi mendtë të qarta, na duhet një strategji globale ku çdo çështje trajtohet mirë dhe ulemi në tryezë jo me sy të mbyllur“, u shpreh Bylykbashi.