Këshillat e përsëritura, të gjysheve të zonave të veriut të Shqipërisë, ishte që fëmijët duhet të hanin koret e bukës, sepse nuk do të kishin ftohtë në dimër. Korja e fortë e bukës, ngjan më inferiore në krahasim me tulin e butë dhe lehtësisht të përtypshëm të saj.
Megjithatë, në aspektin shëndetësor, korja e bukës, është shumë herë më superiore. Sipas të dhënave, studimet mbi ushqimet favorizojnë më shumë konsumin e kores së bukës.
Korja e bukës kundër qelizave të dëmshme – Një studim Gjerman, i kryer në vitin 2002 zbuloi se korja e bukës, përmban një antioksidant që është i dobishëm, kundër qelizave të dëmshme. Sipas studimeve, ky antioksidant, gjendet tetë herë më shumë tek korja, se sa tek tuli. Ky antioksidant, quhet pronillysine dhe formohet gjatë gatimit të bukës, si të asaj me maja ashtu edhe asaj pa maja.
Është e pasur me fibër – Sipas të dhënave, buka përmban shumë fibër, që ndihmon për tretjen dhe parandalimin e problemeve të sistemit tretës. Pjesa që ka më shumë fibër, është korja e saj.
Cila bukë është më e mira? – Antioksidanti magjik tek korja, është në kulmin e vet kur buka piqet. Studiuesit, kanë zbuluar se buka e grurit dhe ajo e elbit, kanë nivelin më të lartë të antioksidantëve. Sipas tyre, është e rëndësishme të konsumoni bukë me drithëra të plotë, të papërpunuara dhe të pazhveshura nga ushqyesit.
Një bukë e tillë, është e pasur me fibër dhe ushqyes të tjerë. Sigurohuni që buka që blini të jetë 100% me miell të drithit të plotë. Buka me miell gruri, zakonisht bëhet me një përzierje të miellit të bardhë dhe miellit të drithit të plotë, që përmban më pak fibër. Rrjedhimisht, një bukë e tillë, ka më pak vlera. Gjithsesi, sigurohuni që të konsumoni më shumë kore nga buka juaj, në mënyrë që të merrni më shumë vlera.