Opozita greke ka theksuar sërish mungesën e transparencës nga ana e qeverisë sa u përket negociatave ndërmjet ministrave të jashtëm të Greqisë dhe Shqipërisë. Kësaj radhe është ish-ministrja e Jashtme, Dora Bakojanis, që kërkon interpelancë me shefin e diplomacisë greke, Nikos Kotzias. Në letrën që shoqëron kërkesën që u depozitua të enjten në kryesinë e parlamentit, deputetja konservatore nënvizon se qeveria Tsipras po zhvillon bisedime sekrete për të rishikuar marrëveshjen për delimitimin e zonave detare dhe të heqë dorë nga kuadri që u arrit në vitin 2009. Ish-ministrja e Jashtme greke, që kishte drejtuar negociatat për marrëveshjen e vitit 2009, nënvizon se “komuniteti shkencor ndërkombëtar në atë kohë kishte konkluduar se ishte një marrëveshje e ekuilibruar dhe me dobi reciproke, që zbatonte në mënyrë shembullore parimin e vijës së mesme”. Bakojanis shton se, sipas shtypit grek dhe atij shqiptar, Athina ka ndërmend të ndryshojë edhe vijën e delimitimit dhe t’i ofrojë palës shqiptare një zonë të madhe detare në ujërat e Korfuzit. Ish-ministrja e jashtme greke vë në dukje se mënyra e veprimit të qeverisë mbart rreziqe: “Në rast se Athina pranon disa nga pozicionet shqiptare për çështjet që kanë të bëjnë me influencën e ishujve, atëherë rrezikon të krijohen precedentë negative për delimitimet e ardhme në zona të tjera”, nënvizon Bakojanis. Deputetja e opozitës greke akuzon qeverinë se “po menaxhon me mangësi dhe papërgjegjshmëri një çështje të rëndësishme kombëtare. Pa konsensusin e nevojshëm me forcat politike të vendit, është e gatshme të pranojë anulimin e marrëveshjes së vitit 2009”. Ish ministrja e jashtme greke kërkon që shefi i diplomacisë t’u japë përgjigje tri pyetjeve: 1. Për ç’arsye qeveria po avancon në rishikimin e marrëveshjes së vitit 2009 që ishte nënshkruar edhe nga Greqia, edhe nga Shqipëria? 2. Cilat janë saktësisht pikat e marrëveshjes që ka ndërmend të rishikojë? 3. A është e vërtetë që qeveria do të ndryshojë qëndrimin konstant grek për delimitimin e zonave detyre në bazë të parimit të vijës së mesme?
Zjarr Televizion Ad
This is a sample article.
...