Gjyqtarja e Posaçme, Irena Gjoka, rezulton e dënuar në Greqi për “falsifikim vizash”, sipas një konfirmimi nga Prokuroria e Përgjithshme.
Tashmë, dokumentet e administruar nga Sektori i Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme i janë dërguar për vlerësim Këshillit të Lartë Gjyqësor, struktura përgjegjëse për hetimin disiplinor të gjyqtarëve.
Institucioni kryesor i Akuzës njoftoi zyrtarisht se “në datë 19.01.2026, ka vendosur miratimin e rezultateve të verifikimit, vendim të cilin po këtë datë ja ka përcjellë Këshillit të Lartë Gjyqësor si organ përgjegjës për verifikimin e kushteve të ndalimit në zbatim të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, dhe Vendimit të Kuvendit nr.17/2016 “Për përcaktimin e rregullave të detajuara mbi zbatimin e ndalimeve të parashikuara në ligjin nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.
Prokuroria e Përgjithshme nisi hetim të thelluar mbi gjyqtaren Irena Gjoka, mbi bazën e kërkesës së Komisionit të Zhvillimit të Karrierës në Këshillin e Lartë Gjyqësor, më datë 08.05.2024.
Çfarë ndodh më pas?
Dekriminalizimi është një proces i ndërlikuar dhe ndërthur brenda vetes elementë të shkeljeve disiplinore dhe penale.
Në rastin konkret, Prokuroria e Përgjithshme ka konstatuar se gjyqtarja Irena Gjoka nuk ka deklaruar në formularin e Dekriminalizimit një vendim dënimi të vitit 2005 në Greqi, një vend i Bashkimit Europian.
Ligji për “Dekriminalizimin” e konsideron fshehjen e të dhënave në formular si shkelje të rëndë disiplinore, e cila pasohet me shkarkim nga detyra të subjektit deklarues.
Megjithatë, tashmë rasti pritet të shqyrtohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, ndërkohë që çështja e Irena Gjokës është nën hetim edhe nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), pas një kallëzimi për falsifikim formularësh, të dorëzuar në maj 2024 nga Partia Demokratike në opozitë.
A është shkelje disiplinore?
Të dhënat zyrtare, tregojnë se gjyqtarja Irena Gjoka është dënuar penalisht nga Gjykata e Janinës me gjobë për “falsifikimin e vizës”.
Këshilli i Lartë Gjyqësor do të duhet të shqyrtojë të paktën dy elementë thelbësore; (1) A përfshihet dënimi i Irena Gjokës në kushtet e ndalimit të ligjit të Dekriminalizimit; dhe (2) A përbën fshehje, me pasojë shkarkim nga detyra, fakti që gjyqtarja Gjoka nuk e ka shënuar këtë vendim dënimi në formularin e Dekriminalizimit.
Ligji “Për integritetin e zyrtarëve…” (Dekriminalizimi) parashikon se zyrtarët që janë shpallur fajtor dhe dënuar penalisht me një vendim dënimi me burg mbi 6 muaj (pavarësisht nëse ai është pezulluar apo konvertuar), ndalohen të emërohen ose të ushtrojnë funksione publike. Për zyrtarët që janë në detyrë dhe gjenden në këto kushte, ata shkarkohen nga detyra.
Ndërkohë, Irena Gjoka rezulton se është dënuar me gjobë nga Gjykata e Janinës. Pra, Këshilli i Lartë Gjyqësor do të shqyrtojë nëse gjyqtarja është ose jo në kushtet e ndalimit.
Por, pika më e rëndësishme e shqyrtimit të KLGJ-së pritet të jetë diskutimi nëse do të konsiderohet ose jo shkelje disiplinore fakti që Irena Gjoka nuk e ka shënuar këtë vendim në formularin përkatës. Në raste të ngjashme, zyrtarë të ndryshëm, përfshirë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, janë larguar nga detyra dhe kanë humbur mandatin, për shkak të “refuzimit” ose “fshehjes” së një dënimi penal, pavarësisht llojit të dënimit.
A është shkelje penale?
Në maj të vitit 2024, Partia Demokratike dorëzoi një kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës ndaj gjyqtares Irena Gjoka, për veprën penale të “falsifikimit të formularit” të Dekriminalizimit.
Rasti iu përcoll më tej SPAK-ut, si struktura kompetente për hetimin e gjyqtarëve të posaçëm.
Thelbi i hetimit është nëse gjyqtarja Gjoka ka kryer falsifikimin e formularit, duke mos e deklaruar vendimin e dënimit nga Gjykata e Janinës në vitin 2005.
Gjyqtarja Gjoka ka dorëzuar formularin e Dekriminalizimit në vitin 2016, menjëherë pas nisjes së zbatimit të ligjit 138/2015 “Për garantimin e integritetit të zyrtarëve që zgjidhen, emërohen ose kryejnë funksione publike”.
Neni 190 i Kodit Penal parashikon se “Falsifikimi ose përdorimi i vulave, i stampave apo i formularëve të falsifikuar ose paraqitja e rrethanave të rreme në këto të fundit, që u drejtohen organeve shtetërore, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet”.
Kjo vepër penale, e cila ka dënimin maksimal 4 vjet burgim, parashkruhet brenda 5 viteve, nëse nuk konstatohet nga momenti i kryerjes ose nuk është vendosur dënimi me vendim të formës së prerë.
Pra, në rastin e Irena Gjokës, vepra penale, edhe nëse konstatohet, duket se është parashkruar 5 vjet pas kryerjes së saj, në vitin 2021.
Megjithatë, në rastin konkret, ka një situatë specifike, e cila mund të vlerësohet nga Prokuroria e Posaçme e mund të arrihet në përfundimin se nuk është parashkruar.
Gjyqtarja Irena Gjoka, faktin e dënimit në Greqi e ka fshehur, si në formularin e Dekriminalizimit, po ashtu edhe gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar (Vetingut).
Gjyqtarja e Posaçme, Gjoka, u konfirmua në detyrë me vendim të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) në Shkurt të vitit 2020. Në vijim, Komisioneri Publik ushtroi ankim mbi atë vendim. Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA), në 14 qershor 2022, vendosi përfundimisht konfirmimin në detyrë të saj.
Nga kjo rrethanë, kuptohet qartësisht se Irena Gjoka, nëpërmjet mosdeklarimit të dënimit në Greqi, ka fshehur (ka përdorur) rrethana të rreme në mënyrë të vazhdueshme, të paktën deri në qershor 2022, kur ajo ka marrë konfirmimin përfundimtar nga KPA.
Në rast se ajo do të kishte deklaruar vendimin e dënimit penal në Greqi, me shumë mundësi, do të ishte shkarkuar nga trupat e Vetingut, për mos-përmbushjen e kriterit të integritetit personal.
Me qëllim shmangien nga shkarkimi, Irena Gjoka ka fshehur/refuzuar për të informuar institucionet zyrtare për dënimin penal nga Gjykata e Janinës, duke përdorur rrethana të rreme deri në vendimin përfundimtar të KPA-së. Ç’ka do të thotë se, Prokuroria e Posaçme, mund të konstatojë se Irena Gjoka ka kryer falsifikim dokumentash deri në qershor 2022.
Në një rast të tillë, vepra penale e konsumuar nga Irena Gjoka tashmë do të ketë afat parashikrimi vitin 2027 dhe, rrjedhimisht, ajo mund të përballet me procesin gjyqësor penal për “falsifikim formularësh”./Boldnews.al




