Ballina Blog Faqe 11

Berisha thirrje bizneseve dhe qytetarëve të Tiranës t’i bashkohen protestës

0

Sali Berisha, ka shprehur mbështetjen e tij për protestat e studentëve, duke deklaruar se PD do të ofrojë mbështetje dhe mbrojtje maksimale për atë që e cilësoi si një “revoltë shpëtimtare për Shqipërinë”.

Në deklaratën e tij, Berisha u bëri thirrje qytetarëve, bizneseve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike që t’u bashkohen studentëve, ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama për grabitje të pronave publike dhe keqmenaxhim të pasurive të vendit.

“Unë kam dëgjuar këto ditë zëra, të cilët nuk janë kundër studentëve, janë pro studentëve, por që piskasin gjer në qiell se u prek kjo pronë apo ajo pronë. Jam absolutisht kundër prekjes së pronave, por u them këtyre miqve të mi se hajduti më i madh i të gjitha kohërave i pronave që shenjtëroni, është Edi Rama dhe do bënit mirë të bashkoheni me studentët.
 
Nuk jam për të prekur pronat, por nuk mund të injoroj kurrë se shkatërrimtari më i madh i pronave, grabitësi, plaçkitësi më i madh i pronave të shqiptarëve është Edi Rama, narkodiktatori që ju nuk ia thoni dot narkodiktator. Sistemi i bazuar në drogën, e cila shkatërroi ekonominë tonë, i bazuar në vjedhjen e miliarda e miliarda eurove, i bazuar në vjedhjen e miliarda e miliarda aseteve publike, duhet të përmbysur një minutë e më parë.

Ndaj dhe çdo shqiptar duhet të dëgjojë këtë zë që buron nga thellësia e ndërgjegjes më të pastër të shoqërisë shqiptare dhe kombëtare, të bashkohemi me ta si prindër, si gjyshër, si bashkëmoshatarë sepse po bëjnë betejën më të fuqishme për shpëtimin e këtij vendi.

Të bashkohemi me ta sepse po shohim çdo ditë skenat më horror që kemi parë gjer sot. Studentë të shtrirë përdhe dhe narkobanditë shqiptarë, serbë apo çfarë janë, u vërsulen si kafshë me çizmet e tyre mbi gjymtyrë për t’u thyer kockat, i gjuajnë me shkelm në kokë. Shndërruan Ministrinë e Arsimit në ministrinë e krimit më të shëmtuar.

A e patë ju sallën e asaj ministrie të mbushur me trupa që gjallonin, të hedhur përdhe në çimento, kush me ndërgjegje, kush pa ndërgjegje nga barbaritë e narkobanditëve? Çfarë mund të pritet më?  Çdo orë është humbje e madhe për ne.

Ndaj dhe ftoj çdo demokrate e demokrat, çdo qytetar shqiptar, çdo biznesmen të solidarizohet me studentët. Të përdorë forcën e biznesit të tij kundër kësaj qeverie dhe në mbështetje të studentëve. Të ulë qepenin, të vendosë tabelën se jam në grevë, siç janë ata që po lënë mësimin dhe po përballen dhëmb për dhëmb me armiqtë e egër të qenies tonë.

PD, që në minutën e parë është rreshtuar e vendosur në mbështetje të plotë dhe totale, dhe në mbrojtje maksimale që mund të japë të studentëve. Me këtë rast unë përshëndes të gjithë studentët, të gjithë gjimnazistët për vendimin e tyre historik për të dalë në sheshin e mejdanit, në sheshin e burrave për t’u përballur më këtë bandë të pashpirt. Falënderoj të gjithë qytetarët që i kanë mbështetur ata, të gjithë demokratet dhe demokratët dhe garantoj se sikundër deri sot, PD do t’u japë mbështetje totale dhe mbrojtjen maksimale që mund t’i japë kësaj lëvizje, kësaj revolte shpëtimtare për Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha Berisha.

Përshkallëzon situata para Ministrisë së Arsimit! Policia gjuan me plumba gome drejt protestuesve

0

Situata në protestën e të rinjve është përshkallëzuar, teksa raportohet se Policia ka qëlluar me plumba gome në drejtim të protestuesve.

Sipas raportimeve, një efektiv i vendosur pranë Ministrisë së Arsimit ka përdorur një armë të posaçme për të qëlluar me plumba gome drejt qytetarëve që po protestonin.

Si pasojë, një prej protestuesve dyshohet se është goditur në gjoks nga një plumb gome, duke shtuar tensionet në protestë.

Deri në këto momente, nuk dihet si paraqitet gjendja shëndetësore e protestuesit të dëmtuar.

Studentët para Ministrisë së Arsimit: S’duam dhunë, por të dëgjohemi

0

Në ditën e pestë të protestave kundër qeverisë, studentët e Fakultetit të Mjekësisë kanë marshuar nga fakulteti drejt Ministrisë së Arsimit në Tiranë, ku kanë kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama.

Me thirrjet “Ju erdhi fundi” dhe “Revolucion”, studentët janë ndalur përpara ministrisë, duke shprehur pakënaqësinë për situatën në vend dhe kushtet në të cilat zhvillojnë studimet.

Një studente e vitit të tretë të Mjekësisë deklaroi për A2 CNN se studentët përballen me probleme gjatë praktikave mësimore dhe ngriti shqetësime për kushtet në spitale, pajisjet dhe medikamentet. Ajo kërkoi ndryshim të qeverisjes dhe dëgjimin e zërit të studentëve.

“Në cilin shtet demokratik kryeministri nuk ka asnjë reagim ndaj gjithë vuajtjes të studentëve? Na ka ardhur në majë të hundës. Jemi studentë mjekësie. Nuk kemi çfarë të shohim nëpër spitale. Jeni duke vrarë studentët. Jeni duke vrarë minorenë. Nuk ju vjen pak turp. Të largohet Rama, të bëhet qeveri komplet ndryshe, të vijnë studentët të jenë në krye”, deklaruan studentet.

Një tjetër gjimnazist tha se janë dhunuar shokët e tij minorenë.

“Do të vazhdojmë protestën, nuk duam të na rrahin, kemi bërë 5 muaj protestë paqësore nuk i mfatonte, nuk jep dorëheqjen. Si do futemi ën BE me këtë shtet? Këta janë duke luftuar me shtetin e vet., unë nuk jam dhunuar por shokët e mi minorenë janë dhunuar. Kam frikë, çdo ditë më duket se do më kapin”, tha një tjetër i ri.

Tym e flakë para Ministrisë së Arsimit, studentët bllokojnë rrugën: Duam revolucion

0

Kanë nisur tensionet para Ministrisë së Arsimit, ku protestuesit e maskuar kanë shkulur kangjellat anës rrugës dhe i kanë vendosur në mes të saj, duke krijuar një lloj gardhi përballë efektivëve të policisë.

Protestuesit mblodhën koshat e plehrave para godinës së Ministrisë së Arsimit dhe i vunë flakën në mes të rrugës.

Protesta nisi me disa përplasje verbale me efektivët, pasi protestuesit kërkuan llogari për një episod të regjistruar gjatë ditës së djeshme, kur një efektiv shtyu me forcë një 21-vjeçar, i cili ka pësuar krisje të shtyllës kurrizore dhe ndodhet në spital.

Mes tymit dhe flakëve, të rinjtë kanë vijuar thirrjet kundër klasës politike, duke brohoritur: “Rama n’burg, Berisha n’burg”.

Princ Leka: Oborri Mbretëror qëndron në krah të studentëve, zëri i të rinjve të dëgjohet

0

Princ Leka Zogu këtë të shtunë ka dalë me një reagim në rrjetet sociale lidhur me protestat e studentëve që po zhvillohen prej disa ditësh në Tiranë dhe disa qytetet të vendit. Princ Leka shkruan se oborri Mbretëror qëndron në krah të studentëve shqiptarë në ushtrimin e së drejtës së tyre për të protestuar.

Në reagim, gjithashtu ai i bën thirrje Policisë së Shtetit të tregojë përmbajtje dhe profesionalizëm dhe se çdo sjellje e papërshtatshme duhet të bëhet objekt i llogaridhënies.

Reagimi i plotë:

Oborri Mbretëror qëndron në krah të studentëve shqiptarë në ushtrimin e së drejtës së tyre për të protestuar. Kemi ndjekur me kujdes të gjitha aktet e dhunës dhe denoncimet për keqtrajtimin e të rinjve dhe të miturve, si në rrugë, në furgonët e policisë, ashtu edhe në komisariate, dhe ndihemi të shqetësuar për sigurinë e tyre.

Çdo veprim është dokumentuar përmes videove dhe fotografive, ndaj institucionet përkatëse duhet të veprojnë në përputhje me ligjin dhe të sigurojnë që kushdo që ka abuzuar me detyrën të mbajë përgjegjësi.

I nxisim studentët t’i bëjnë të njohura shqetësimet e tyre edhe përtej kufijve të Shqipërisë, duke informuar komunitetin ndërkombëtar dhe duke përcjellë me vërtetësi dhe përgjegjësi atë që shohin dhe përjetojnë në terren. Zëri i tyre duhet të dëgjohet dhe realiteti të pasqyrohet me ndershmëri.

Gjithashtu, i bëjmë thirrje Policisë së Shtetit të tregojë përmbajtje dhe profesionalizëm. Autoritetet kanë detyrimin të mbrojnë qytetarët, jo t’i intimidojnë apo të përshkallëzojnë tensionet përmes përdorimit të tepruar të forcës. Çdo sjellje e papërshtatshme duhet të bëhet objekt i llogaridhënies.

Protesta paqësore duhet të shoqërohet edhe me përgjegjësi. Dhuna dhe dëmtimi i pronës private janë të papranueshme dhe cenojnë legjitimitetin e çdo kauze të drejtë. Oborri Mbretëror bën thirrje për qetësi, dialog dhe respektim të të drejtave themelore. Zëri i të rinjve shqiptarë duhet të dëgjohet dhe e ardhmja e tyre të mbrohet.

Protesta në Durrës/ Thyhen xhamat e Postës Shqiptare, shoqërohen 25 të rinj, mes tyre 3 të mitur

0

Protesta e të rinjve në Durrës është shoqëruar me tensione dhe përplasje me policinë, ndërsa janë shoqëruar 25 persona, mes tyre tre të mitur, të cilët ndodhen në ambientet e komisariatit të policisë.

Marshimi nisi rreth orës 11:30 në qendër të qytetit, në zonën e sheshit “Liria”. Situata u përshkallëzua kur një grup protestuesish u drejtua drejt filialit të Postës dhe theu xhamat e jashtëm të godinës.

Pas incidentit, forcat e policisë ndërhynë për të shpërndarë grupin dhe shoqëruar disa prej të rinjve. Efektivët dhe punonjës me rroba civile ndoqën protestuesit edhe në rrugicat e qytetit, ndërsa në zonë u krijua kaos në qarkullim.

25 të rinjtë e shoqëruar ndodhen në komisariat dhe pritet të dalin përpara gjykatës për vlerësimin e masave të sigurisë gjatë ditës së sotme ose nesër.

Ndërkohë, në qytet vijojnë aktivitetet e zakonshme të fundjavës, me turistë që vazhdojnë turet e tyre, pavarësisht tensioneve të krijuara nga protesta. 

Dita e pestë e revoltës, studentët mblidhen para Ministrisë së Arsimit

0

Qytetarët janë grumbulluar para Ministrisë së Arsimit në ditën e pestë radhazi, për të vijuar betejën e tyre kundër qeverisë.

Protesta e sotme vjen pas katër ditësh të shoqëruara me tensione, përplasje mes protestuesve dhe policisë, si dhe dëmtime të institucioneve publike dhe bizneseve në kryeqytet.

Në terren janë pozicionuar forcat e policisë, ndërsa pranë Ministrisë së Arsimit janë vendosur edhe autobotet, në kuadër të masave të marra për menaxhimin e situatës.

Protestat nisën të martën, fillimisht me bojkotimin e mësimit nga nxënës dhe studentë, por më pas u përshkallëzuan, duke u shtrirë edhe në qytete të tjera të vendit.

Protestuesit shprehin pakënaqësinë ndaj qeverisë dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa në qendër të revoltës janë edhe akuzat për korrupsion dhe kërkesat për ndryshime në arsim.

Klevi Metaj rrëfen me pranga nga spitalit përballjen me 6 policët: Më qëlluan të parët

0

Fiks Fare ka biseduar ekskluzivisht me 22-vjeçarin Klevi Metaj, i cili u përball me 6 punonjës policie disa ditë më parë, gjatë protestës së studentëve para Ministrisë së Arsimit. 

Me pranga në duar nga shtrati i Spitalit të Traumës, Klevi tregon se policët e kanë pikasur dhe e kanë ndjekur për disa minuta, duke e qëlluar vazhdimisht.

Megjithëse Gjykata e Tiranës vendosi ndaj tij masën e sigurisë “arrest shtëpie”, Klevi vijon të mbahet në spital, madje në dhomë qëndrojnë 2 punonjës të Policisë së Shtetit. Ai thotë se, aktualisht nuk ka asnjë dëme të mëdha fizike, teksa tregon me detaje të gjithë episodin.

Studenti thotë se reagimi i tij, i fiksuar me video dhe bërë meme në rrejte sociale, ka ardhur për shkak të provokimeve të vazhdueshme të policisë, që qëllonin me çfarë të mundnin.

“Isha larg në fillim dhe po mbështesja njerëzit. Ndërhynë ata me gurë, me lotsjellës e kështu. U shpërhapën njerëzit. Shikoj unë rreth e rrotull meje, ata që kishin ngelur kishin hapur krahun” thotë Klevi.

Ai shton se të gjithë lëviznin me shpejtësi, pasi nuk duronin dot gazin lotsjellës.

“Dhe kur erdhi polici me skafandër e kështu, shikoj kisha ngelur vetëm unë aty. Ua vesha me gurë, me të tëra unë. Se u acarova që më hodhën atë lotsjellësin. Piketo njërin ata… Po ikja unë, isha për të ikur te sheshi, më piketon njëri mua nga këta, më vjen e më gjuan nga këmbët me shkop. Mos gjuaj i them unë, mos më gjuaj mua i them. Vazhdova të ikja. Ai më keq pastaj, më gjuan në kurriz pastaj. U acarova, ua vesha një. Me mjete rrethanore. Edhe, ata kanë ikur nga puna bashkë me shefin unë këtu” thotë studenti.

Më tej shton se të dyja palët kanë gabime. “Nuk zgjidhet në këtë lloj mënyre. Janë gjëra të ndërlikuara. Këta po t’a kishim inat të gjatin (i referohet kryeministrit), s’kishin pse ta votonin fare. Dhe se lëshon më atë grusht ai. Këtu i ke të tërë të korruptuar dhe nuk zgjidhet me protestë. Protesta është të thuash që shiko se nuk bëni dot si të doni” shton ai.

22-vjeçari thotë se duhet një zgjidhje konkrete, teksa hedh dyshime për përfshirjen e politikës në protestë. E kupton. Ti je atje do diçka konkrete, ça do të zgjidhet me të shkatërruar. Policia në fillim rrinte e shikonte, ishin 2-3 veta. Tani këta nisën të gjuanin me vezë dhe kur u armatosën çik më shumë, këtu nisën të hidhnin gurë kot pa lidhje. Tani nga momenti e sipër, nga adrenalina ata marrin kushdo që u del para” thotë më tej ai.

Klevi na tregon edhe dokumentet e dosjes së Prokurorisë së TIranës. Janë një mori akuzash; shkatërrim prone,  goditje për shkak të detyrës, prishja e qetësisë publike, organizimi dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme. As kriminelët më të mëdhenj nuk i kanë këto akuza. Akuzat vijojnë; prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta. Një dosje e madhe penale.

Jo vetëm këto akuza, por 22-vjeçari ka 2 policë në dhomë. Politikanët që akuzohen për korrupsion nuk i ruan njeri. As në shtëpi dhe as në spital. Jo vetëm policët, por studentit i kanë vendosur edhe pranga, në shtratin e spitalit. Në fund, pas bashkëbisedimit, policët që i qëndrojnë në dhomë i thonë se rrezikon 5 vite burg. As ata që kanë vjedhur miliona euro apo kanë mbi shpinë akuza të rënda, nuk rrezikojnë 5 vite burg. /TCH

Protestuesit godasin deputetin Klevis Balliu, ai hidhet në Lanë për t’iu shpëtuar

0

Një incident i pazakontë ka ndodhur gjatë protestës së studentëve këtë mbrëmje.

Ata kanë sulmuar deputetin demokrat Klevis Balliu dhe më pas ai është hedhur në lumin Lana. Ky i fundit pasi ka kaluar mes ujit të lumit, ka ikur me vrap në anë tjetër të Lanës që t’iu shpëtojë protestuesve.

Kujtojmë se protestuesit nuk kanë pranuar asnjë politkan që t’iu bashkohet protestës së tyre.

Tensione dhe përplasje në protestën në Vlorë, studentes i bie të fikët

0

Një studente ka humbur ndjenjat gjatë protestës në Vlorë, mesditën e kësaj të premte.

Vajzës i kanë ardhur në ndihmë moshatarët e saj të pranishëm në protestë, ndërsa raportohet se e reja është transportuar për në spital për ndihmë mjekësore.

Ndërkohë, situata është shoqëruar edhe me përplasje mes forcave të Policisë dhe adoleshentëve në disa prej qyteteve ku po zhvillohen protestat.