Ballina Blog Faqe 11

Saimir Korreshi denoncon mbetjet në Lushnje: Paratë i mori inceneratori, por nuk ka cep pa plehra

0

Deputeti i PD, Saimir Korreshi, denoncon situatën alarmante të mbetjeve në Lushnje, duke treguar pirgje plehrash, goma dhe mbetje pranë ish-fabrikës së letrës në Karbunarë.

Ai akuzon qeverinë për dështim në menaxhimin e mbetjeve dhe ngre dyshime për abuzime me tonazhet dhe pagesat, ndërsa qyteti vijon të përballet me plehrat në çdo cep.

Videomesazhi i plotë:

“Urdhëroni! Ish-fabrika e letrës. Karbunara, e para. Urdhëro! Si mund të mungonte këtu dhe këtu një landfill, një vend grumbullimi mbetjesh, plehrash? Goma, plehra, të hedhura, sa të duash. Ja edhe kjo mbrapa andej. Mund të mungonte këtu? S’mund të mungonte.

Se nuk ka cep të Lushnjes që nuk e kanë mbytur plehrat. I shikoni, këto janë oxhaqet, gërmadhat, rrënojat, dhe meqë janë rrënoja ne mund t’i lëmë lehtësisht dhe plehrat.

Kështu është logjika e pushtetit dhe e qivirrisë tonë. Hidhini plehrat ku të mundni. Lekët na i rruajti inceneratori, lekë për ton nuk ka.

Atje e shtojnë tonin nga 10 ton, se hypin ato tre veta, katër veta i shtojnë tonazhin për t’i paguar lushnjarët, e ndërkohë plehrat hidhen këtu. Ec dhe njëherë atje, jepi dhe njëherë atje atyre.

Të lutem. Që të shikojnë njëçikë që është bërë det atje. Që ka dhe andej matanë pirgjet. Kjo është situata. Ju urojmë shëndet. Vapa bën të veten. Plehrat janë bërë kapul. Ja kaq’, shprehet Korreshi në videomesazhin e tij.

Reforma territoriale/Debate në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Maliqit, socialistët braktisin sallën

0

Është braktisur nga këshilltarët e majtë mbledhja e Këshillit Bashkiak në Maliq, e cila ishte thirrur jashtë radhe për të diskutuar mbi Reformën Territoriale.  Mbledhja zgjati rreth 20 minuta, ndërkohë që në rendin e ditës ishte parashikuar miratimi i qëndrimit zyrtar të Këshillit Bashkiak Maliq, për t’ia përcjellë Kuvendit të Shqipërisë në kuadër të procesit të rishikimit të ndarjes administrativo-territoriale.

Sipas burimeve thuhet, se mbledhja ishte njoftuar të zhvillohej rreth orës 10:00, por për shkak të deklaratës së grupit të këshilltarëve të majtë, ku thanë se nuk do të shpreheshin me vendimmarrje në lidhje me propozimin që duhet t’i dërgohet Parlamentit, kryetari i Këshillit ka deklaruar mbylljen e mbledhjes.

Kjo ka shkaktuar reagime nga këshilltarët e opozitës dhe qytetarët. Salla u boshatis nga këshilltarët e majtë brenda disa sekondash, ndërkohë që pjesa tjetër e opozitës vijon me deklaratat. Një i moshuar ndërkohë është futur brenda ambienteve të sallës me shkop në dorë, duke kundërshtuar mbylljen e mbledhjes dhe duke debatuar me kryetarin e Këshillit Bashkiak.

Mediat e huaja: Protestuesit në Shqipëri, nuk ndalen deri në largimin e Kastës së vjetër

0

EUROPEAN WESTERN BALKANS

Lëvizja qytetare antiqeveritare në Tiranë, e njohur gjerësisht si “Revolucioni Flamingo”, shënoi më 18 gusht ditën e 80-të radhazi të protestave.

Demonstruesit u mblodhën në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” drejt Kryeministrisë, duke kërkuar në mënyrë të vazhdueshme dhe të panegociueshme dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, raportuan mediat shqiptare.

Protestat nisën si një fushatë mjedisore, në kundërshtim me një projekt të diskutueshëm për një resort luksoz dhe kompleks hotelerie të planifikuar në zona bregdetare dhe lagunore të mbrojtura, si Laguna e Nartës dhe Zvërneci, i lidhur me zhvillues të huaj, përfshirë Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump.

Lëvizja u zgjerua shpejt përtej çështjeve ekologjike dhe u shndërrua në një sfidë të gjerë ndaj establishmentit politik, duke shprehur zemërimin e qytetarëve për korrupsionin sistemik, qeverisjen dhe standardin e jetesës.

Flamingot rozë të fryrë dhe slogani “Shqipëria nuk është në shitje” u shndërruan në simbole karakteristike të protestave.

Kërkesa kryesore e turmave dhe organizatorëve qytetarë është dorëheqja e menjëhershme e Edi Ramës, i cili ndodhet në pushtet që prej vitit 2013.

Protestuesit kërkojnë gjithashtu largimin e “kastës së vjetër” politike, shfuqizimin e ndryshimeve ligjore që dobësojnë mbrojtjen e zonave mjedisore dhe reforma të plota zgjedhore.

Protestat kanë marrë një shtysë të re edhe nga pjesëtarë të diasporës së madhe shqiptare në Evropë, të cilët janë kthyer në Shqipëri për të marrë pjesë drejtpërdrejt në tubimet kundër qeverisë.

Mbrëmjen e kaluar, në podiumin përpara Kryeministrisë, një qytetar deklaroi në fjalimin e tij se: “Për 80 ditë ata (Qeveria) janë përpjekur të na imponojnë teza të ndryshme, duke harruar se për 13 vjet ato teza kanë dështuar.”

Një tjetër protestues tha: “Për 80 ditë, kjo protestë ka nxjerrë në pah pafuqinë e qeverisë përballë popullit. Me këtë rezistencë kemi treguar se makineria e propagandës është e pafuqishme përballë këtij populli.”

Shteti i Bektashinjve – akt tradhtie e lartë kundër Republikës së Shqipërisë!

0

Nga Enver Bytyçi

Një artikull në mediet francaze ringjalli këto ditë idenë e krijimit të Shtetit të Bektashinjve në Tiranë. Kam përshtypjen se ai artikull duhet të jetë i sponsorizuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me qëllim që të tërhiqet vëmendja e medieve dhe e opinionit publik nga protesta më shumë se tetëdhjetëditore kundër akteve për zhbërjen e Shqipërisë nga ana e tij. Mbi 80 ditë rinia shqiptare është në Bulevardin Dëshmorët e Kombit e në sheshin Skënderbej të Tiranës, po ashtu në rrugët e tjera të kryeqytetit, duke kërkuar dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit Rama. Një zhvillim të tillë nuk e kishte parashikuar vetë kryeministri. Ai ka bërë gjithçka që ta shuajë këtë protestë. Fakti që ajo rezistoi edhe në kohën më të vështirë të vitit, në muajt korrik-gusht, do të thotë se protesta dhe protestuesit janë të pathyeshëm, të pamaniplueshëm dhe të vendosur deri në fitore, pra deri në largimin e Edi Ramës nga zyra e kreut të qeverisë. Kjo po e trondit autokratin shqiptar të këtyre 13 viteve në qeverisje.

Logjikisht duhet besuar se kemi të bëjmë me një provokim të opinionit. Sepse themelimi i Shtetit të Bektashinjve do të duhej të kishte bekimin e 2/3 të parlamentit të Shqipërisë, e cila ka tagër të ndryshojë kusjtetutën dhe të autorizojë përgatitjet për themelimin e këtij shteti surrogato. Edi Rama e pati elaboruar idenënë fjalë para zgjedhjeve të vitit 2021, madje edhe në një fjalim të tijin në shtator 2020 në Asamblenë r Përgjithshme të OKB-së. Po përgatiste kështu projektin për bashkëqeverisje me Lulzim Bashën, me qëllim që të bënte ndryshimet kushtetuese. Por Foltorja e rrënoi shpresën për një koalicion të tillë. Për pasojë Rama nuk kishte asnjë shans që të siguronte 94 vota në parlament për ndryshimet kushtetuese.

Artikulli i fundit njofton se kanë filluar përgatitjet për të prodhuar pasaportat e para të Shtetit të Bektashinjve dhe se eshte miratuar edhe monedha e këtij shteti. Simbolet e tjera, si flamuri, stema, hymni etj, thuhet se kanë qenë të strukturuara para disa vitesh përmes një ekspertize të cilën e ka porositur dhe paguar qeveria shqiptare, përkatësisht kryeministri Rama, sepse tashmë dihet se Shqipëria nuk ka qeveri, ka vetëm një kryeministër. Madje nuk ka as parlament, president, gjykata të pavaruara, sepse të gjitha rolet dhe pushtetet i përkasin vetëm atij, Padishahut të “Madhërishëm”! Po derisa kushtetuta ndalon çdo veprimtari për sesecion në Republikën e Shqipërisë dhe nëse ndodh kjo veprimtari autorët dënohen për akt i lartë tradhtie të lartë, atëherë pse SPAK dhe drejtësia shqiptare do të fuhej të kishin lëvizur për hetime dhe ndëshkime? Ku është parë që një komunitet i caktuar besimtarësh të kërkojë shtetin e tij brenda një shteti e të prodhojë pasaporta dhe simbolet të tjera, ndërkohë drejtësia të heshtë e të mos veprojë.

Shteti i Bektashinjve i ideuar nga këshilltarë të jashtëm të Edi Ramës dhe i promovuar nga ky i fundit është akt armiqësor dhe thellësisht i rrezikshëm për unitetin kombëtar të Shqipërisë. Nga pikëpamja historike ky lloj shteti është krejt i paarsyetuar. Kryegjyshata e Bektashinjve ka filluar të ndërtohet në Tiranë në vitin 1930 dhe ka përfunduar në vitin 1941, pasiqë Qemal Ataturku e kishte mbyllur atë në Turqi në vitin 1925. Bektashitë janë përfaqësuar në këtë kryegjyshatë nga viti 1941 deri në vitin 1967 dhe më 22 mars 1991 ata u rikthyen si të gjitha besimet e tjera fetare në Shqipëri. Një historik kaq i shkurtër nuk justifikon pretendimet për një shtet të bektashinjve. Që do të thotë se arsyet e kësaj ideje dhe nisme të Edi Ramës janë politike. Juridikisht gjithashtu është e pamundur, sepse territori mbi të cilin pretendohet ngritja e këtij shteti pervers i takon shtetit shqiptar, pra Republikës së Shqipërisë.

Ndërsa pasojat e formimit të një sheti bektashinj në Tiranë do të ishin katastrofike edhe për vetë ekzistencën e Shqipërisë. Ndoshta, unë them me siguri, se Edi Rama e nxit dhe mbështet një ide të tillë për ta çuar Shqipërinë drejt një konflikti fetar deri në dhunë të armatosur. Ata që drejtojnë Ramën në axhendën ndërkombëtare kanë shumë interes që të formohet ky lloj shteti edhe me çmimin ose koston e shkatërrimit përfundimtar të territorit shqiptar. Sepse një shtet i bektashinjve do të shërbente si strehë e parave të pista dhe grupve kriminale. Këto janë dy elementët e zhbërjes së Shqipërisë. Fshehja e parave të krimit dhe bashkë me ta edhe e autorëve të këtij krimi mafioz. Shteti i Bektashinjve do të ishte një oaz i mrekullueshëm dhe i maskuar me besimin bektashi për të realizuar objektivat kriminale të Edi Ramës dhe atyre që qëndrojnë pas tij në Shqipëri.

“Edi Rama është bërë mbret”, Alimehmeti: Të kufizohet mandati i kryeministrit

0

Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti, ka komentuar situatën politike në vend dhe protestat.

I ftuar në emisionin “Ditari i Pasdites” në A2 CNN, Alimehmeti u shpreh se Shqipëria duhet të rikthehet te zgjedhjet e lira dhe të ndershme, duke e lidhur këtë me nevojën për ndryshim politik.

“Unë mendoj që nuk ka zgjidhje ky komb ndryshe, përveçse të kthehemi tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe organizimit të lirë dhe të ndershëm”, deklaroi Alimehmeti.

Duke folur për qeverisjen e Edi Ramës, ai tha se zgjedhjet e lira dhe të ndershme, sipas tij, nuk mund të realizohen me Ramën në krye të qeverisë.

“Fitoftë më i miri, cilido qoftë ai. Unë mendoj Partia Demokratike, por mund të jetë parti tjetër. Mund të jetë Partia Socialiste prapë, diçka e rinovuar brenda, që të tregojë një gjë të re nesër, por me kusht që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme”, tha ai.

 “Për të eliminuar korrupsionin, një vatër të vjetër që kemi, ne duhet t’u vëmë kufizim këtyre qeveritarëve tanë, drejtuesve tanë, si është kufizimi në numër mandatesh”, u shpreh ai.

Sipas Alimehmetit, mungesa e një kufizimi të tillë krijon përqendrimin e pushtetit për periudha të gjata.

“Përndryshe ne kemi një lloj mbreti. Pra, është e kotë që ne themi jo zgjedhje, jo e të tjera e të tjera. Në mënyrë të vazhdueshme ne shohim një lloj vetë-zoti Rama”, deklaroi Alimehmeti. 

Dy brigje, një kauzë: Aktivistët lundrojnë nga Italia në mbështetje të “Revolucionit të Flamingove”

0

Tridhjetë e pesë vjet më parë, në gusht të vitit 1991, anija tregtare “Vlora” kaloi Adriatikun me rreth 20,000 shqiptarë në bord, të cilët po i largoheshin kolapsit ekonomik dhe mjerimit. Ishte një nga zbarkimet më të mëdha në historinë e Italisë.

Sot, një tjetër lloj flote po përgatitet të bëjë të njëjtin rrugëtim në kah të kundërt. Më 20 gusht, një flotilje e vogël prej tre varkash me vela do të niset nga porti i Brindisit drejt brigjeve shqiptare, për të protestuar kundër tjetërsimit të pronave publike dhe zonave të mbrojtura në Vlorë.

E pagëzuar si një nismë e përbashkët e kolektivit italo-shqiptar “Mesdhe” , atij shqiptar “Palestina e Lirë” dhe degës italiane të nismës “Global Sumud Flotilla”, kjo lëvizje vjen në mbështetje të “Revolucionit të Flamingove”.

Prej më shumë se dy muajsh, mijëra qytetarë shqiptarë kanë protestuar kundër planeve të qeverisë shqiptare për t’i dhënë ishullin e Sazanit dhe zonën e mbrojtur të Zvërnecit investitorëve për ndërtimin e resorteve të luksit – lëvizje që është zgjeruar më pas me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Investimi i kundërshtuar është i lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka po ashtu një rol kontrovers si negociator i armëpushimeve mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza. Kushner po ashtu promovoi në janar të këtij viti një plan të Shtëpisë së Bardhë për ta kthyer Gazën, një qytet i rrënuar nga bombardimet që u kanë marrë jetën mijëra civilëve, në një qendër tregtare dhe teknologjike. Sipas aktivistëve të “Global Sumud Flotilla”, kjo do të shërbente për të lehtësuar zhvendosjen e popullsisë dhe fshirjen e kulturës palestineze.

Për aktivistët, ky dimension e kthen lundrimin në një urë që lidh rezistencën në Gazë, betejat kundër planeve të ngjashme në bregdetin e Pulias dhe “Revolucionin e Flamingove” në Shqipëri, duke i trajtuar si një front të vetëm përballë të njëjtave forcave globale.

“Këto janë projekte të një elite globale dhe e njëjta skemë po përdoret në të gjithë botën, ku kjo elitë po grabit prona dhe po i zhvesh njerëzit nga të drejtat e tyre dhe kultura,” i tha BIRN Tony La Piccirella, pjesë e ekipit koordinator ndërkombëtar të “Global Sumud Flotilla”.

Solidaritet dhe simbolikë

Flota që niset drejt Shqipërisë të premten nuk është e madhe. Sipas organizatorëve, janë tre anije me vela dhe 30 persona. Një grup tjetër, kryesisht shqiptarë emigrantë të gjeneratës së dytë do të udhëtojnë me traget drejt Vlorës.

Para nisjes, organizatorët kanë planifikuar një aktivitet me muzikë dhe fjalime në Bari.

Plani është që flotilja të vizitojë fillimisht Sazanin, i përfshirë gjithashtu në projektet e Kushner për resorte, por kjo nëse koha do të premtojë. Më pas, anijet do të ankorohen në Vlorë. Mëngjesin e së shtunës, më 22 gusht, anijet do të lundrojnë për në plazhin e Dajlanit, do të ankorohen në gji dhe aktivistët do të zhvillojnë një protestë simbolike.

Nisma organizohet nga grupime me sfonde të ndryshme, por që kanë të përbashkët kauzën kundër pabarazisë.

Kolektivi italo-shqiptar “Mesdhe” përfaqëson aktivistë të diasporës që synojnë ruajtjen e memories historike të emigracionit dhe mbrojtjen e komuniteteve, ndërsa “Palestina e Lirë” përbëhet nga aktivistë shqiptarë që promovojnë solidaritetin me Palestinën. Atyre u është bashkuar dega italiane e “Global Sumud Flotilla”, një nismë e shoqërisë civile e krijuar fillimisht për të thyer bllokadën detare në Gaza.

Për La Piccirellan, i cili është puljez, lidhja është e qartë dhe e fortë për shkak të historisë së vjetër mes Barit, Vlorës dhe Shqipërisë.

“Si puljezë ne jemi duke ndjekur atë që po ndodh, njerëzit flasin në kafene, në rrugë dhe janë të frymëzuar nga ju dhe duam t’u mbështesim, sepse jemi të lidhur historikisht dhe duam të mësojmë nga ju si të mbrojmë vendin tonë,” thotë ai.

Solidariteti, sipas tij, vjen edhe si një përgjigje ndaj kërcënimeve të përbashkëta. La Piccirella nënvizon se një projekt i ngjashëm zhvillimi po planifikohet në Ostuni, e ashtuquajtura “porta e Adriatikut” në Pulia, fiks përballë Sazanit. Sipas tij, ngritja e resorteve luksoze “po ndodh në shumë vende” dhe ka ngjashmëri me projektet në Vlorë.

Përtej këtyre çështjeve, ai e sheh nismën si një formë solidariteti qytetar me Shqipërinë dhe shqiptarët. “Nisma është edhe një formë solidariteti me Shqipërinë, për të treguar se ka një lidhje më të fortë se ajo institucionale mes qeverisë Rama dhe asaj të Giorgia Melonit,” shtoi ai.

Baki Goxhaj, pjesëmarrës i lundrimit të fundit të flotiljes drejt Gazës dhe koordinator lokal për nismën, thekson peshën historike sipas tij të këtij udhëtimi.

“Ata po nisen nga i njëjti port ku ka ankoruar anija ‘Vlora’…,” thekson Goxhaj, duke shtuar se udhëtimi pas 35 vitesh mbart një mesazh të fortë.

“Në njëfarë mënyre, simbolika këtu është që ata me këtë rikthim i japin fund tranzicionit bashkë me Revolucionin Flamingo,” tha Goxhaj.

Kjo flotilje nuk është thjesht një mjet transporti, por një delegacion i gjerë proteste që synon të bashkojë dy anët e detit. Goxhaj sqaron se thelbi i udhëtimit është solidariteti. “Po vijnë aktivistë italianë dhe qytetarë të thjeshtë italianë, po vijnë gazetarë italianë. Po vijnë fëmijët e diasporës shqiptare, fëmijë të familjeve apo të njerëzve që kanë ikur në ’91-shin,” shton ai.

Lidhja mes sakrificës së dikurshme të emigrantëve dhe shpronësimit të sotëm theksohet qartë në njoftimin e nismës postuar në rrjetet sociale.

“Në vitin 2026, ndërsa populli shqiptar është në revoltë…, nga Bari duam të nisemi drejt Vlorës si një diasporë e organizuar. Sepse i njëjti korrupsion që ka detyruar kaq shumë njerëz të largohen, sot po shet brigjet, ishujt, lagunat dhe të ardhmen tonë,” thuhet në njoftimin e publikuar në internet.

Pavarësisht simbolikës që ka flotilja, si Goxhaj ashtu edhe La Piccirella theksojnë rëndësinë e fokusit ekskluziv te protesta e qytetarëve në Shqipëri, për të shmangur çdo devijim apo keqpërdorim nga qeveria që mund të dëmtojë revoltën qytetare.

“Menduam që është një simbolikë e rëndësishme. Normalisht nuk është protesta jonë, ne nuk duam të bezdisim asnjëri, por duam të jemi aty për t’u mbështetur,” përfundoi La Piccirella./ BIRN

Thika, kaçavida dhe maska/ Policia parandalon përplasjen mes të miturve në Kombinat

0

28 të mitur, të moshave 13 deri në 17 vjeç, janë proceduar në gjendje të lirë pasi dyshohet se po përgatiteshin të përplaseshin me njëri-tjetrin në zonën e Kombinatit në Tiranë.

Policia i lokalizoi në rrugën “Llambi Bonata”, ku të rinjtë ishin ndarë në disa grupe, dhe i shoqëroi në komisariat. Gjatë kontrollit fizik, te disa prej tyre u gjetën 5 armë të ftohta dhe mjete të mprehta, mes tyre thika dhe kaçavida. Gjithashtu, u sekuestruan edhe disa maska.

Burimet bëjnë me dije se sherri mes të miturve ka nisur nga TikTok-u.

Njëri prej tyre ka pretenduar se i kanë ngacmuar motrën në rrjetet sociale dhe ka mbledhur një grup për t’u konfliktuar. Të miturit ishin ndarë në grupe, mes tyre nga Selita, Yzberishti, 21 Dhjetori dhe ish-Parku.

Të miturit janë grumbulluar dhe kanë bërë edhe video, të veshur me të zeza, dhe i kanë hedhur në TikTok. Me armë të ftohta janë nisur për t’u rrahur, por kanë ndërhyrë agjentët.

Më pas janë lajmëruar familjarët dhe psikologët dhe është bërë i mundur parandalimi i konfliktit.

Tiranë

Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë, parandaloi zhvillimin e konfliktit ndërmjet disa të miturve.

Procedohen në gjendje të lirë 28 shtetas të mitur, disa prej të cilëve posedonin armë të ftohta/ mjete të mprehta.

Sekuestrohen 5 armë të ftohta/mjete të mprehta.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, pas marrjes së informacionit në rrugë operative se disa grupe të miturish do të konfliktoheshin me njëri-tjetrin, në Kombinat, kanë organizuar menjëherë punën dhe kanë ndërhyrë për parandalimin e konfliktit.

Në bazë të informacionit, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në rrugën “Llambi Bonata”, disa të mitur të ndarë në grupe, të cilët dyshohet se do të konfliktoheshin me njëri-tjetrin. Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë dhe i kanë shoqëruar të miturit, në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 6.

Gjatë kontrollit fizik, disa prej tyre iu gjetën armë të ftohta (thika), kaçavida, si dhe disa maska, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Veprimet procedurale me të miturit u kryen në prani të prindërve dhe psikologëve dhe pas komunikimit me prokurorin, nisi procedimi në gjendje të lirë për 28 shtetas të mitur, të moshave 13-17 vjeç.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të metejshme.

Vrasja e turistit në Ksamil/ Zbardhet dëshmia e autorit: E godita për vetëmbrojtje

0

Zbardhet dëshmia e 29-vjeçarit S. V., autor i vrasjes së turistit 20-vjeçar Luis Miguel Varela Mendes ditën e djeshme në ambientet e jashtme të lokalit “Paradise” në Ksamil.

S. V., ka treguar përpara togave të zeza versionin e tij të ngjarjes nga nisja e konfliktit e deri te vrasja, për të cilën tha se ka ndodhur në kushtet e vetëmbrojtjes. Autori, i cili ishte i punësuar si truprojë te “Principota”, sqaron se konflikti ka nisur brenda ambienteve të lokalit mes disa turistëve që ishin nën efektin e alkoolit. Atyre u është kërkuar të mbajnë qetësi, por sherri ka degraduar në përplasje fizike.

S. V., ka deklaruar se thika me të cilën është qëlluar për vdekje turisti portugez, nuk ishte e tij, por e 20-vjeçarit. Ai ia ka marrë nga dora dhe e ka goditur për vdekje në një tjetër ambient në distancë nga lokali. Vetë autori i është nënshtruar ekzaminimeve mjekësore për shkak se ka shenja goditje në trup.

Në pamjet e kamerave të sigurisë duken vetëm momentet e para të sherrit dhe, për shkak të njerëzve që vrapojnë, nuk dallohet qartë. Ndërsa momenti i goditjes me thikë të 20-vjeçarit nuk është filmuar nga kamerat, për shkak se është distancë e largët dhe errësirë.

I riu nga Portugalia kishte ardhur së bashku me disa miq të tij prej gati një jave në Shqipëri. Ende në polici nuk janë paraqitur familjarë të 21-vjeçarit për të bërë tërheqjen e trupit. Fillimisht u raportua se konflikti kishte nisur për një vajzë, por kjo pistë mbetet të konfirmohet nga grupi hetimor.

Boçi: Projekti i PD-së për reformën territoriale i thotë “jo” 46 bashkive, pushteti duhet t’i shërbejë qytetarit

0

Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Administrativo-Territoriale, Luçiano Boçi, kundërshton propozimin për 46 bashki, duke argumentuar se bashkitë më të mëdha do të rrisin distancën mes qytetarit dhe pushtetit vendor.

Sipas Boçit, projekti i PD-së për rreth 100 bashki synon të afrojë vendimmarrjen, të ruajë identitetin e komuniteteve dhe të përmirësojë shërbimet lokale. Ai thekson se reforma nuk duhet të matet me numrin e bashkive, por me atë se sa mirë dhe sa pranë qytetarit ofrohen shërbimet.

REAGIMI I PLOTË:

PROJEKTI I PD PËR REFORMËN TERRITORIALE I SHËRBEN QYTETARIT

Para se reforma territoriale të kthehet në një luftë numrash, “46 apo 100?”, duhet t’u jepet përgjigje dy pyetjeve shumë më të rëndësishme.

Cila hartë i shërben më mirë qytetarit?

Ku është qytetari në këtë hartë?

Propozimi i PS për ta çuar Shqipërinë në vetëm 46 bashki e largon edhe më shumë pushtetin vendor nga qytetari. Bashkitë bëhen më të mëdha, qendrat administrative më të largëta dhe vendimmarrja përqendrohet gjithnjë e më tepër.

Në letër kjo mund të paraqitet si kursim. Në jetën reale, faturën e paguan qytetari.

Kur bashkia bëhet shumë e madhe, fshati apo qyteti i vogël humbet peshën e vet. Problemet e tij konkurrojnë me problemet e qendrës dhe dihet se kush e fiton zakonisht këtë konkurrencë.

Rruga e lagjes, ujësjellësi, kanali vaditës, pastrimi, ndriçimi, transporti, shkolla apo qendra shëndetësore e një zone të largët shtyhen gjithmonë për më vonë. Për qendrën e bashkisë ato konsiderohen probleme periferike; për banorët e asaj zone janë vetë jeta e përditshme.

Me 46 bashki krijohen më shumë periferi dhe më pak qendra. Kjo është dobësia kryesore e këtij propozimi.

Shqipëria nuk ka nevojë për bashki gjithnjë e më të mëdha. Ka nevojë për bashki që funksionojnë.

Një bashki nuk është e fortë vetëm sepse ka territor të madh apo shumë banorë. Ajo është e fortë kur ka të ardhura, kompetenca, administratë profesionale dhe mundësi reale për t’u shërbyer qytetarëve.

Nëse bashkon dy bashki të dobëta, nuk krijon automatikisht një bashki të fortë. Shpesh krijon vetëm një bashki më të madhe, me të njëjtat probleme dhe me qytetarin edhe më larg.

Në këtë kontekst është absurde të bashkosh Tepelenën me Memaliajn, Fushë-Arrëzin me Pukën apo Librazhdin me Prrenjasin.

Po aq absurde është që një bashki me performancë më të mirë të përthithet nga një bashki me performancë më të dobët. Dimali ka performancë më të mirë se Berati, Selenica se Vlora, Patosi se Fieri. Po kështu edhe Maliqi.

Ndërkohë, identiteti dhe kohezioni i fortë i komuniteteve kërkojnë që Libohova, Këlcyra, Belshi, Cërriku dhe bashki të tjera të vazhdojnë të ekzistojnë si njësi më vete.

Këto janë disa nga arsyet pse ne mbështesim një hartë me rreth 100 bashki.

Jo për të shtuar zyra.

Jo për të fryrë administratën.

Por për ta afruar pushtetin me qytetarin.

Me më shumë bashki, qytetari ka më pranë kryetarin e zgjedhur, këshillin bashkiak dhe administratën që duhet t’i japë përgjigje. Një kryetar që administron një territor të arsyeshëm e ka shumë më të vështirë të thotë se nuk e njeh problemin.

Sepse qytetari është aty. Komuniteti është aty. Problemi është përpara derës së tij. Me 46 bashki rrezikojmë të krijojmë kryetarë territoresh. Me rreth 100 bashki synojmë të kemi kryetarë komunitetesh.

Shqipëria po shpopullohet. Qytetet e vogla po humbasin banorë, institucione, shkolla, vende pune dhe shërbime. Në këtë situatë, përgjigjja nuk mund të jetë t’u heqim edhe statusin, përfaqësimin dhe qendrën e vendimmarrjes.

Kur një qyteti i heq institucionet, administratën dhe vendimmarrjen, i heq pak nga pak edhe arsyet për të qëndruar aty. Kështu krijohet një rreth vicioz:

Nuk ka banorë, prandaj heqim institucionet. Heqim institucionet, prandaj largohen edhe më shumë banorë. Më pas, shpopullimin që kemi përshpejtuar vetë e përdorim si argument për një tjetër bashkim. Kjo nuk është reformë territoriale. Është administrim i tkurrjes së vendit.

Edhe argumenti i kursimit duhet parë me kujdes. Nëse shkurtohen disa poste administrative, por qytetarit i duhet të udhëtojë më larg për të marrë shërbime, nëse një zonë merr më pak investime dhe reagimi ndaj problemeve bëhet më i ngadaltë, atëherë kostoja nuk është zhdukur. Ajo thjesht është kaluar nga shteti te qytetari.

Mbi të gjitha, kjo është një çështje demokracie. Sa më e madhe të jetë bashkia, aq më e vogël bëhet pesha politike e komuniteteve të vogla. Një qytet me disa mijëra banorë, i përfshirë brenda një bashkie shumë të madhe, mund të vazhdojë të ketë emër në hartë, por do të ketë shumë pak ndikim në vendimmarrje.

Kush do ta mbrojë buxhetin e tij? Kush do të luftojë për investimet e tij? Kush do të japë llogari drejtpërdrejt përpara atij komuniteti? Njësia administrative nuk e zëvendëson bashkinë. Administratori i emëruar nuk e zëvendëson kryetarin e zgjedhur. Zyra lokale nuk e zëvendëson vendimmarrjen lokale. Demokracia vendore nuk është thjesht të kesh një sportel pranë. Është të kesh pushtetin pranë.

Prandaj nuk duhet të pyesim vetëm sa bashki përballon administrata. Duhet të pyesim sa afër qytetarit duhet të jetë pushteti.

Rreth 100 bashki nuk nënkuptojnë 100 administrata të fryra. Mund të kemi administrata më të vogla, shërbime të përbashkëta ndërmjet bashkive, digjitalizim, standarde kombëtare dhe kontroll më të fortë financiar. Por duhet të ruajmë atë që nuk mund ta zëvendësojë asnjë aplikacion dhe asnjë zyrë qendrore: përfaqësimin e komunitetit.

Projekti i PD ndërthur vullnetin e qytetarëve me domosdoshmërinë e një pushteti vendor efikas.

Ai qartazi:

1. Afron vendimmarrjen me komunitetin dhe u jep zë interesave lokale

2. Rrit llogaridhënien e drejtuesve vendorë

3. Shkurton distancat fizike dhe administrative për marrjen e shërbimeve

4. U mundëson administratave të njohin më mirë nevojat e territorit

5. Ruan identitetin dhe kohezionin e komuniteteve

6. Nxit konkurrencën pozitive për investime dhe projekte zhvillimi

7. Përmirëson planifikimin sipas karakteristikave ekonomike, sociale dhe gjeografike të çdo zone

8. Mundëson reagim më të shpejtë në raste emergjencash

9. Shpërndan zhvillimin ekonomik përtej qendrave të mëdha urbane

10. Rrit pjesëmarrjen qytetare dhe besimin tek institucionet.

Ky model është në përputhje me parimin e subsidiaritetit dhe me Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore: funksionet publike dhe vendimet duhet të ushtrohen në nivelin më të afërt dhe më efektiv me qytetarin.

Dallimi mes dy modeleve është i qartë.

46 bashki e shohin territorin nga qendra.

Rreth 100 bashki e shohin qeverisjen nga qytetari.

46 bashki kërkojnë ta bëjnë hartën më të lehtë për administratën.

Rreth 100 bashki kërkojnë ta bëjnë jetën më të lehtë për qytetarin.

46 bashki përqendrojnë.

Rreth 100 bashki afrojnë.

Në thelb, dilema nuk është nëse Shqipëria duhet të ketë më pak apo më shumë bashki. Dilema është nëse duam një pushtet vendor që t’i shërbejë hartës apo qytetarit.

Një reformë e mirë matet me kohën që i kursen qytetarit, me cilësinë e shërbimit që i ofron dhe me mundësinë që i jep për të ndikuar në vendimet që prekin jetën e tij.

Prandaj parimi ynë është i thjeshtë. Jo qytetari të shkojë pas bashkisë. Bashkia duhet të shkojë te qytetari. Në këtë kuptim, një ndarje me rreth 100 bashki nuk është zgjedhje numerike. Është zgjedhje demokratike.

Si u vra portugezi në Ksamil/ Shqiptaro-britaniku nisi sherrin me grushte, Vata e mori zvarrë dhe e ekzekutoi!

0

I pafati, 20-vjeçari portugez, Luis Miguel Varela Mendes, i cili u vra me thikë nga punonjësi i kompleksit luksoz ‘Principotes’ erdhi për pushime në Ksamil me një agjenci turistike të huaj. 

Ai ishte pjesë e një grupi me të rinj nga Portugalia e Franca që kishin zgjedhur të pushonin në rivierën shqiptare, por u përfshi në një sherr me punonjës të ‘Principotes’, të cilët pasi e dhunuan me grushte e vranë duke e goditur me thikë dhe trupin e pajetë e lanë jashtë, deri në momentin kur u zbulua nga policia.  

Një ditë pas vrasjes, jane zbardhur dëshmitë e turistëve të tjerë që kanë qenë në lokal. Të rinjtë kanë deklaruar para grupit hetimor se nuk e parë momentin e vrasjes dhe e kanë mësuar vetëm në mëngjes kur ka mbërritur Policia.

Për vrasjen u arrestuan 11 persona dhe 2 të tjerë u shpallën në kërkim. Autori i dyshuar është Sokrat Lipan alias Vata i cili u kap 5 orë pas ngjarjes në Levan të Fierit, në bagazhin e një automjeti. Në pranga bashkë me të ranë dhe dy turqit që po e transportonin drejt Tiranës.

Ndërkohë që është zbardhur të gjithë dinamikën e ngjarjes tronditëse. David Heurtevent, një shqiptar me nënshtetësi britanike dhe banues në Tiranë, ka qenë personi që është konfliktuar fillimisht me portugezin. Sherri dyshohet se nisi për një vajzë dhe më pas u përfshinë edhe klientë e kamerierë të lokalit, bashkë me Sokrat Vatën.

Fillimisht David Heurtevent, klient në lokal, ka qëlluar me grushte të riun portugez dhe pasi është dhunuar edhe nga pjesëtarët e tjerë të stafit, ka qenë Sokrat Vata nga Hasi që e ka tërhequr të riun duke e nxjerrë jashtë ambientit clubit të natës brenda Principotesit, “La Guerre”. Turistin portugez e ka dërguar deri te shezlongët e beach bari-t aty pranë, “Paradise”, ku edhe e ka goditur me thikë për vdekje.

Pas vrasjes, Vata është ndihmuar nga një prej truprojave të Principotesit për tu larguar nga vendi i ngjarjes. Efektivi Moisid Matushaj, i cili shërbente edhe si truprojë te ‘Principotes’ e ka transportuar Vatën, me një makinë në pronësi të tij, deri në qendër të Ksamilit dhe më pas vetë është kthyer sërish me të njëjtën makinë në kompleksin luksoz. Më pas, Vata ka rënë në kontakt me dy turqit të cilëve u kërkoi ndihmë për ta larguar me makinë, derisa u arrestua në Levan brenda bagazhit. Dy turqit të arrestuar, Nuh Mahmutoglu dhe Ezgi Perlak deklaruan se me Vatën kishin krijuar raport shoqëror dhe se disa herë e kishin paguar si shoqërues personal.

David Heurtevent, i cili nisi sherrin, është shpallur në kërkim. Bashkë me Vatën akuzohen për vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim. Në kërkim është edhe pronari i lokalit Bekim Bulica nga Hasi, i cili, pas ngjarjes, është larguar duke mos kallëzuar krimin.

Edhe Serxhi Selimi, Ervis Bunci, Ildi Cekani dhe Murat Zhabina, kamerierë në lokalin “Principote”, janë përfshirë në konflikt, duke e goditur me grushte të riun portugez, para se ta vritej dhe janë larguar nga vendngjarja.

Në momentin e konfliktit, në lokal kanë qenë në rolin e bodyguardëve efektivi i policisë Moisid Matushaj, punonjësi i policisë Bashkiake Romeo Shehu dhe Kristi Koshi, të akuzuar se nuk kanë ndërhyrë për parandalimin e ngjarjes dhe për mosnjoftimin e policisë së Shtetit. Deri më tani mësohet se është pezulluar nga detyra polici Shehu.

Personat e përfshirë dhe rolet e tyre në ngjarje
Sokrat Lipan alias Sokrat Vata – autori i dyshuar i krimit, i arrestuar.
Nuh Mahmutoglu – shtetas turk, i arrestuar; dyshohet se ndihmoi autorin në tentativën për t’u arratisur.
Ezgi Perlak – shtetase turke, e arrestuar; dyshohet se ndihmoi autorin në tentativën për t’u arratisur.
Serxhi Selimi – kamerier në lokal.
Ervis Bunci – kamerier në lokal.
Ildi Cekani – kamerier në lokal.
Murat Zhabina – kamerier në lokal.
Miosid Matushaj – oficer i Policisë në Gjirokastër; i arrestuar, por ende nuk është pezulluar nga detyra.
Luciano Seferi – punonjës i Policisë së Burgjeve në Fier; i arrestuar, por ende nuk është pezulluar nga detyra.
Romeo Shehu – polic bashkiak në Gjirokastër; i arrestuar dhe i pezulluar nga detyra.
Kristi Koshi – i arrestuar; funksioni apo vendi i tij i punës nuk dihet.
David Heurtevent – klient në lokal, i shpallur në kërkim si bashkëpunëtor në krim.
Bekim Bulica – pronar i lokalit, i shpallur në kërkim për fshehjen e krimit.