Ballina Blog Faqe 10

Deputetja Koçeku letër ambasadave: Dënoni dhunën kundër studentëve! Protestuesit janë marrë me forcë nga civilë!

0

Deputetja e pavarur, Marjana Koçeku u ka drejtuar një letër të hapur përfaqësive më të larta diplomatike dhe institucioneve ndërkombëtare në Shqipëri, duke ngritur shqetësimin për dhunën policore ndaj protestuesve, veçanërisht të miturve, ndalimet arbitrare dhe ndërhyrjet e personave me veshje civile, pa shenja identifikimi policor.

Letra, e cila mban datën 16 tetor 2026, i është drejtuar Delegacionit të Bashkimit Evropian, Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Prezencës së OSBE-së, Zyrës së Këshillit të Evropës, Koordinatorit të Përhershëm të Kombeve të Bashkuara, si dhe drejtuesve të misioneve diplomatike të akredituara në Shqipëri.

Në dokumentin zyrtar, Koçeku shpreh shqetësimin për përdorimin e tepruar të forcës nga policia, goditjen e protestuesve të shtrirë në tokë, keqtrajtimin gjatë ndalimeve dhe raportimet për shkelje të të drejtave të personave të shoqëruar në komisariate.

“Duke qenë personalisht e pranishme në protesta, kam parë vendosmërinë e të rinjve shqiptarë, të cilët kërkojnë ndryshim, llogaridhënie dhe një të ardhme më të mirë, në kushtet e pakënaqësisë së përhapur ndaj korrupsionit, mundësive të kufizuara dhe dështimeve institucionale. Shqetësimet e tyre meritojnë vëmendje serioze politike dhe institucionale. Në vend të kësaj, veprimet e fundit të forcave të rendit kanë ngritur pikëpyetje të rënda për mbrojtjen e të drejtave të tyre themelore. Pamjet filmike, dëshmitë e personave të pranishëm dhe raportimet mediatike dokumentojnë episode të dhunës së rëndë policore: goditje ndaj protestuesve të shtrirë në tokë, përdorim të tepruar të forcës gjatë ndalimeve dhe trajtime që cenojnë sigurinë dhe dinjitetin njerëzor. Dhuna ndaj të miturve është veçanërisht alarmante. Gjithashtu, rastet e keqtrajtimit të raportuar në komisariate dhe kushtet e mbajtjes në ndalim kërkojnë hetim të menjëhershëm, të pavarur dhe të paanshëm”, thuhet ne leter.

Një vëmendje të veçantë deputetja i kushton ndërhyrjeve të personave me veshje civile, pa identifikim policor, të cilët, sipas saj, kanë marrë dhe larguar me forcë protestues nga tubimet publike. Ajo kërkon sqarimin e identitetit të këtyre personave, kompetencave të tyre, bazës ligjore të ndërhyrjeve dhe zinxhirit të komandimit.

“Shqetësim të veçantë dhe urgjent përbëjnë ndërhyrjet e personave me veshje civile, pa shenja të dukshme identifikimi policor, të cilët kanë rrëmbyer dhe larguar me forcë protestues nga tubimet publike. Mungesa e identifikimit në këto ndërhyrje është e papranueshme dhe duhet të marrë përgjigje të qarta institucionale. Kur personat që ushtrojnë kompetenca policore nuk identifikohen dhe nuk e bëjnë të qartë statusin e tyre zyrtar, protestuesit dhe kalimtarët mund të mos jenë në gjendje të dallojnë një ndërhyrje të ligjshme të forcave të rendit nga një rrëmbim i paligjshëm. Kjo krijon rreziqe serioze frike, përshkallëzimi dhe abuzimi. Autoritetet kompetente duhet të sqarojnë nëse këta persona ishin punonjës policie të autorizuar, mbi çfarë baze ligjore vepruan, kush i drejtoi operacionet e tyre dhe ku u mbajtën më pas personat e privuar nga liria”, thuhet ne letren e deputetes Koçeku.

LETËR E HAPUR DREJTUAR KOMUNITETIT DIPLOMATIK NDËRKOMBËTAR NË SHQIPËRI

Drejtuar:

Kreut të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri

Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri

Kreut të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri

Kreut të Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë

Koordinatorit të Përhershëm të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri

Drejtuesve të misioneve diplomatike të akredituara në Republikën e Shqipërisë

Lënda: Dhuna policore, personat me veshje civile pa identifikim dhe mbrojtja e të drejtave themelore gjatë protestave në Shqipëri

Shkëlqesi,

Në cilësinë time si deputete e pavarur e Kuvendit të Shqipërisë, po i drejtohem me këtë letër të hapur komunitetit diplomatik ndërkombëtar për të shprehur shqetësimin tim të thellë për dhunën e rëndë policore ndaj protestuesve, veçanërisht të miturve, ndalimet arbitrare dhe ndërhyrjet e personave me veshje civile, pa identifikim policor, gjatë protestave të fundit në të gjithë Shqipërinë.

Duke qenë personalisht e pranishme në protesta, kam parë vendosmërinë e të rinjve shqiptarë, të cilët kërkojnë ndryshim, llogaridhënie dhe një të ardhme më të mirë, në kushtet e pakënaqësisë së përhapur ndaj korrupsionit, mundësive të kufizuara dhe dështimeve institucionale. Shqetësimet e tyre meritojnë vëmendje serioze politike dhe institucionale. Në vend të kësaj, veprimet e fundit të forcave të rendit kanë ngritur pikëpyetje të rënda për mbrojtjen e të drejtave të tyre themelore.

Pamjet filmike, dëshmitë e personave të pranishëm dhe raportimet mediatike dokumentojnë episode të dhunës së rëndë policore: goditje ndaj protestuesve të shtrirë në tokë, përdorim të tepruar të forcës gjatë ndalimeve dhe trajtime që cenojnë sigurinë dhe dinjitetin njerëzor. Dhuna ndaj të miturve është veçanërisht alarmante. Gjithashtu, rastet e keqtrajtimit të raportuar në komisariate dhe kushtet e mbajtjes në ndalim kërkojnë hetim të menjëhershëm, të pavarur dhe të paanshëm.

Shqetësim të veçantë dhe urgjent përbëjnë ndërhyrjet e personave me veshje civile, pa shenja të dukshme identifikimi policor, të cilët kanë rrëmbyer dhe larguar me forcë protestues nga tubimet publike. Mungesa e identifikimit në këto ndërhyrje është e papranueshme dhe duhet të marrë përgjigje të qarta institucionale.

Kur personat që ushtrojnë kompetenca policore nuk identifikohen dhe nuk e bëjnë të qartë statusin e tyre zyrtar, protestuesit dhe kalimtarët mund të mos jenë në gjendje të dallojnë një ndërhyrje të ligjshme të forcave të rendit nga një rrëmbim i paligjshëm. Kjo krijon rreziqe serioze frike, përshkallëzimi dhe abuzimi. Autoritetet kompetente duhet të sqarojnë nëse këta persona ishin punonjës policie të autorizuar, mbi çfarë baze ligjore vepruan, kush i drejtoi operacionet e tyre dhe ku u mbajtën më pas personat e privuar nga liria.

Të ndjekin rezultatet e hetimeve dhe çdo masë për përcaktimin e përgjegjësive, përmes dialogut ekzistues diplomatik dhe mekanizmave ndërkombëtarë të monitorimit të të drejtave të njeriut.

Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe partneritetet e saj me aleatët demokratikë mbështeten në respektimin e të drejtave të njeriut, parimeve demokratike dhe shtetit të së drejtës. Këto angazhime duhet të pasqyrohen në veprimtarinë e institucioneve shtetërore, veçanërisht kur qytetarët kundërshtojnë ata që janë në pushtet.

Reagimi institucional ndaj dhunës policore dhe ndërhyrjeve të personave të paidentifikuar do të jetë një tregues i rëndësishëm i përkushtimit të Shqipërisë ndaj standardeve që priten nga një shtet demokratik dhe një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Vëmendja e vazhdueshme ndërkombëtare, në përputhje me sovranitetin e Shqipërisë dhe detyrimet e saj ndërkombëtare, mund të ndihmojë në mbrojtjen e lirive themelore dhe të sigurojë që askush që ushtron autoritet publik të mos cënojë të drejtat dhe liritë e qytetarëve.

Ju falënderoj për vëmendjen dhe konsideratën Tuaj.

Me respekt,

Marjana Koçeku

Deputete e pavarur

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

Ngjarje e rëndë në Kamëz/ Vriten dy vëllezër, arrestohet autori i dyshuar

0

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të hënë në Kamëz. Një sherr mes fqinjëve ka çuar në përdorimin e armës së zjarrit, ku dy vëllezër janë ekzekutuar dhe i treti ka mbetur i plagosur.

Sipas raportimeve paraprake, viktimat janë Selam Islamaj dhe Nazmi Islamaj, kurse vëllai i tretë që mbeti i plagosur është SH.I.

Autori i dyshuar i krimit i identifikuar me iniciale N.M ishte fqinj me vëllezërit, ndërsa është arrestuar nga Policia.

Grupi hetimor ka nisur hetimet për zbardhjen e krimit makabër.

Rrethanat dhe motivet e krimit mbeten të paqarta, por dyshohet se sherri mes tyre ka nisur për shkaqe banale.

Qytetari shpërndan helmeta ndërtimi për të rinjtë: Po dhunohen barbarisht nga policia

0

Një qytetar që ka ardhur nga Italia për t’iu bashkuar protestave në Tiranë ka zgjedhur një mënyrë simbolike për të mbështetur studentët dhe të rinjtë që prej shtatë ditësh janë në rrugë, mes përplasjeve me policinë. Ai ka siguruar helmeta ndërtimi për protestuesit, me qëllim që t’u vijë në ndihmë të rinjve që qëndrojnë në vijën e parë të protestës. 

Në një prononcim, qytetari tha se vendimi për të ardhur nga Italia ishte një shenjë mbështetjeje dhe mirënjohjeje për rininë shqiptare. Ai e cilësoi dhunën e ushtruar ndaj protestuesve si barbare dhe theksoi se pajisjet e siguruara janë një simbol i solidaritetit me ta.  

“Kam ardhur nga Italia për të ndjekur protestën. Është në shenjë mirënjohjeje ndaj rinisë. Dhuna e policisë ndaj tyre ka qenë barbare. Këto mjete gjetëm, t’i ndihmojmë ata që janë në frontin e parë të rezistencës. Kjo simbolizon mbështetjen tonë”, u shpreh ai.

Qytetari u bëri gjithashtu thirrje shqiptarëve në diasporë që të angazhohen më shumë në mbështetje të të rinjve që protestojnë në Shqipëri. Sipas tij, diaspora duhet të luajë një rol më të madh në këtë moment, duke ndihmuar që studentët dhe gjimnazistët të mos tërhiqen nga kërkesat e tyre.

 “Jemi shumë në diasporë, të bëjmë më shumë për këtë rini, që të mos tërhiqen deri në dorëzimin e kësaj qeverie”, deklaroi ai.

Bojkotohet mësimi në Lezhë/ Të rinjtë marshim në rrugët e qytetit me thirrjet “Rama, jep dorëheqjen!”

0

Ditën e sotme është bojkotuar mësimi edhe në Lezhë nga një grup të rinjsh duke dalë kështu në rrugët e qytetit në shenjë proteste. Të rinjtë kanë nisur marshimin e tyre me thirrjet “Rama, jep dorëheqjen!”, ndërsa në terren janë shfaqur edhe forca të shumta policie për të monitoruar situatën.

Për shkak të situatës së krijuar nga protestat shumë nxënës të tjerë kanë zgjedhur të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos paraqiten në shkollë.

Protestat e të rinjve në Lezhë vijojnë edhe këtë fillim jave duke bojkotuar mësimin dhe duke marshuar në rrugët e qytetit.

Tubimi në Kurbin/ Protestuesit sulm me molotovë, flakë në ambientet e Bashkisë

0

Protestuesit kanë marshuar edhe në Rubik dhe Kurbin, duke bllokuar rrugën hyrëse pranë urës në Rubik, që lidh qytetin me Rrugën e Kombit.

Ndërkohë, në Kurbin nxënësit kanë bojkotuar mësimin dhe kanë dalë në rrugë.

Situata është përshkallëzuar pranë Bashkisë Kurbin, e cila është sulmuar me gurë dhe molotovë.

Protestuesit janë shfaqur pa maska, ndërsa situata në terren mbetet e tensionuar.

Rama, nga frika e rinisë, po e kthen shtetin kundër popullit të vet

0

Nga Kim Mehmeti

Policia e Shqipërisë po e mbron Piktorin duke hedhur bomba gazi helmues mbi rininë shqiptare dhe duke e qëlluar atë me plumba gome të blerë në Serbi e Izrael.

Me këtë u pa se ai nuk ka blerë ilaçe, nuk ka investuar në arsim, nuk ka ndërtuar konvikte studentore…., sepse ka bërë harxhime për të paguar mercenarë, për të blerë bomba gazi lotsjellës e plumba manovre, pra për t’u bërë gati për këto ditë kur do të duhet të luftojë kundër popullit të vet.

Ndërkohë, në mbrojtje të Piktorit doli kryetari i BDI-së, duke thënë se të rinjtë e Shqipërisë janë nën ndikimin e manipulimit të qarqeve armiqsore të mëmëdheut!?

Këtë e tha njeriu që e kanë ulur në prehën qarqet politike e policore antishqiptare, këtë pra e pohoi njeriu që me aq entuziazëm iu përkushtua realizimit të projektit serbo-rus ‘Ballkani i Hapur’, njeriu që i shiti shqiptarët e Maqedonisë vetëm që familjarët e tij të mund të blejnë pasuri përrallore!

Pra, këtë e tha njeriu që më së miri dëshmon një të keqe tonën mbarëkombëtare: se edhe analfabetët tanë, edhe bardët, edhe hajdutët, edhe të ndershmit, edhe të pafytyrët e të ndërgjegjshmit…, të jenë në të njëjtin rrafsh dhe cilido prej tyre mund të vetëshpallet strateg kombëtar.

Mbase shkaku i kësaj tollovie, vëllezërit tanë të mëmëdheut, vonë e kuptuan se kishin rënë në duart e kryesuesit të ‘Alenacës së Qelbësirave’ – Piktorit, në duart e njeriut që beson se shqiptarët janë një kope kokëtulash që kurrë nuk do ta kuptojnë gënjeshtrën e tij: se është duke e murosur parajsën me muratorët e ferrit!

Pra me vonëse e pane se Kryeministri i tyre kishte harruar se deri më sot nuk ka ndodhur që ndonjë diktator ta fitojë betejën kundër studentëve dhe rinisë dhe se dallimi mes protestave në Tiranë dhe atyre perëndimore  ka të bëjë me atë se rinia franceze proteston për mirëqenie, ndërsa rinia shqiptare për ta shpëtuar Shqipërinë dhe popullin shqiptar!

Ndërkohë do mbetet e paqartë si nuk u gjetë në ‘Aleancën e Qelbësirave’ një hajdut më i kthjelltë që t’i tregonte Piktoirt se heredo-kurdo populli do e kuptonte se bunkerin dhe kopshtin e lumturisë së vet në Surrel ai e kishte ndërtuar mbi tokën e një Shqipërie, të cilën e kishte bërë të pabanueshme për shqiptarët.

Siç do mbetet e pakuptimtë se si nuk mbeti një burrë i vetëm në atë paçavure të quajtur PS, që t’i thotë Piktorit se, nëse do të vazhdojë të jetojë me bindjen se pa të nuk mund të ketë Shqipëri dhe nëse nuk jep dorëheqje, ai vetëm do ua plotësojë dëshirën atyre që duan ta tërheqin zvarrë!

Berisha i përgjigjet Ramës: Zjarrvënësi më i madh i kombit je ti

0

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama i cili akuzoi opozitën se ëndërron rikthimin e 21 Janarit duke përdorur të miturit si mish për top në protestat e dhunshme.

Berisha e cilësoi Ramën si “zjarrvënësin më të madh të kombit”, duke e akuzuar për largimin e të rinjve nga vendi.

“Zjarrvënësi më i madh në historinë e kombit është padrino Edi Rama. Është ai që ka djegur, ka shkatërruar ëndrrat, gjatë pushtetit të tij, të rreth 720 mijë të rinjve shqiptarë, të cilët ëndrrën më të bukur të tyre për të lumturuar veten, familjen, shoqërinë dhe Shqipërinë, e morën në shpinë, në trajsë, rrugëve të botës.

A ka zjarrvënie më të rëndë se kjo? Zjarrvënësi më i madh i shqiptarëve është Edi Rama, që me Lubi Ballukun dhe Ergys Agasin ka plaçkitur mbi 12 miliardë euro nga taksat e shqiptarëve. Ka ndërtuar rrugë 10 herë më shtrenjtë se në Europë.

A ka zjarrvënës më të madh se Rama, se njeriu që e katandisi pensionistin shqiptar të flasë me vete? Ky është zjarrvënësi numër një i kombit. Protesta, revolta, është misioni i çlirimit të këtij kombi. Ai është përgjegjësi i kësaj katastrofe. PD e mbështet me gjithë forcën këtë revoltë deri në fitoren e saj”, tha Berisha.

Protestat e dhunshme, kryeministri Rama: Të miturit po përdoren si ‘mish për top’

0

Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm Ervin Demo kanë mbajtur konferencë për mediat sot më 19 tetor, pas protestës së dhunshme gjatë mbrëmjes së djeshme.

Kryeministri Rama erdhi sërish me një gur në konferencë, duke deklaruar se dhuna nuk ka vend në demokracinë shqiptare.

“Ky është një gur. Me këtë gur, që është një dhunë e pastër, nuk negociohet. Me atë që vë përpara këtë gur, nuk negociohet. Në momentin kur fiton ky, atëherë logjika e këtij guri bëhet vetë shteti. E ka parë Shqipëria këtë film më shumë se njëherë dhe pasojat e këtij janë plagë që duhen vite të tëra të shërohen. Ne nuk jemi kundër dhunës. Djemtë dhe vajzat që i bashkohen gurit janë të rinj e të reja të ekstremizuar. Janë pjesë e Antifës, që Trump e ka shpallur organizatë terroriste. Janë pengje të një ideologjie të re, që ka vetëm një mision: Shkatërro. Janë të rinj që dinë të dalin vetëm në TikTok”, tha Rama.

Mbrojti efektivët, duke u shprehur se policët janë nën sulmin edhe të disa mediave.

“Protesta po ndodhin në Francë dhe në Europë, por në asnjë nga këto vende nuk ka dalë që të mbajë anën e dhunuesve, nuk ka dalë dikush të himnizojë dhunën dhe hurin e një mase kapuçonësh të zi, të maskuar, pas së cilëve nuk ka studentë. Pas kapuçave ka qenie të zeza, viktima të shumëçkaje, që adhurojnë gurin, adhurojnë molotovin, adhurojnë llastiqet me saçme që godasin kokat e policëve e më pas iu turren dyqaneve.

Kjo masë ka nevojë për psikolog. Pas protestave ka armiq të Shqipërisë. Rusia nuk është një vend që ia do të mirën vendit tonë. Nuk është rastësi që del Rusia e përshëndet kombin shqiptar, që më në fund po tregojnë se kush janë në të vërtetë dhe po i përgjigjen Europës”, deklaroi Rama.

Kryeministri nënvizoi se protestuesit nuk janë studentë, por dhunues. Shtoi se qëndresa e efektivëve është dinjitoze.

“Ata që shkatërrojnë çdo gjë nuk janë studentë, nuk kanë si të jenë studentë. Studentët nuk djegin banka. Si mund të bëhet më mirë duke kthyer përmbys çdo gjë? Çfarë do kthehet përmbys? Vullneti i popullit do kthehet përmbys? E gjitha kjo e bën qëndresën tuaj më dinjitoze përballë presionit. Më keq është presioni i atyre që quhen analistë e opinionistë, që inatet e mllefet e zilitë i ushqejnë me sa policë sakatohen? Qëndresa e efektivëve është dinjitoze. Dërgojnë në protestë adoleshentët, që larg qoftë të ketë ndonjë viktimë dhe të thotë se ky është një tjetër 21 Janar, duke na barazuar, me ata që nuk kemi barazim.

Rezistenca juaj i bën nder Republikës. Pashë dje një police, që kishte një tjetër vajzë, të veshur e të mbathur nga koka te këmbët si e dalë nga Instagrami e me kufje në vesh, që i kthehej vajzës me uniformë me fjalor rrugaçëror, prej burrash të dehur. Ja simbolet e protestës. Shoqëria shqiptare nuk mund ta tolerojë këtë flamë vulgariteti. Dua të shpreh solidaritet me të gjithë efektivët dhe familjet e tyre”, u shpreh kreu i qeverisë.

Më tej, foli edhe për gjendjen e policëve. Kryeministri nënvizoi se paga e policëve do të rritet nga 1 janari 2027. Shtoi se do të jepet shpërblim 2500 euro për çdo efektiv që është në këtë front. Rama theksoi se shteti shqiptar në fund do të fitojë. Një thirrje kishte për familjet e të miturve, duke thënë se do të kenë pasoja.

“E kemi rritur pagën e punonjësve të policisë, por do vazhdojmë rritjen akoma më tepër. Ne do vëmë në dispozicion një shumë prej 2500 eurosh, për çdo polic që është në këtë front.  Nuk diskutohet që shteti shqiptar do të fitojë. Nuk do të fitojnë forca të errëta, që nuk e duan Shqipërinë që të kryesojë rajonin në shumëçka, e duan Shqipërinë që mos të vijë askush këtu. U them të gjitha familjeve të të miturve, do të paguani.

Nuk mund të përdoren të miturit në akte dhune. U them atyre që lënë shkollën, se do të kenë pasoja administrative. Nuk do shpëtojnë lehtë. Këta djem e vajza kujtojnë se u bë deti kos. Është e turpshme, që bëhet propagandë kundër policisë”, deklaroi Rama.

Një kritikë e kishte edhe për gjykatën, që liron protestuesit. Kreu i qeverisë theksoi se policia është në krye të detyrës, për të mbrojtur institucionet.

“Gjykata liron protestues të dhunshëm, që duan të vrasin policët. Duan prova në gjykatë, se do bëjmë fotografi neve me prova për të dokumentuar dhunën, kur aty rrezikohet jeta. Policia dhe në Europë nuk të lejon që të kalosh vijën e kuqe. Mua më kanë thënë ose në burg ose në litar. Në katër muaj nuk ka asnjë kërkesë racionale për diçka që lidhet me arsim, shëndetësi apo strehim. Nuk e kam dëgjuar derën të trokasë dhe të thonë shqetësimet. Të vijnë të rinjtë dhe të thonë se duhet të ikësh mor zotëri.

Të thonë dhe dua të ikësh ti sepse një arsye, dy arsye, tre, katër, pesë. Të thonë se ka mbaruar ora e demokracisë dhe votës dhe ka ardhur koha e gurit, se ti do hapësh rrugën, se unë të rrënoj. Ju them prindërve, që ndodh në shtëpinë tuaj, që fëmija merr gurin dhe të thotë më jep rrogat e gjithë vitit ose të vrava. A ndodh kjo? Ne kemi edhe programe të reja për strehim social e të përballueshëm”, tha kryeministri.

Në fund, kreu i qeverisë akuzoi se protestat kanë për qëllim pengimin e rrugës evropiane të Shqipërisë.

Tirana në flakë dhe kaos, Edi Rama ikën të hënën nga Shqipëria

0

Edi Rama të hënën do të largohet. Jo nga pushteti, por jashtë Shqipërisë. Në Austri ku do të pritet me nderime ushtarake nga kancelari austriak Christian Stocker.

Vizita konfirmohet nga mediat austriake teksa ato i bëjnë jehonë edhe momentit kur ndodh kjo vizitë teksa Tirana është ndezur nga protestat studentore. 

Studentët kërkojnë prej pesë ditësh dorëheqje të kryeministrit, të cilin e akuzojnë për korrupsion, rritje të kostos së jetesës dhe favorizim të një grupi oligarkësh të lidhur me pushtetin e tij. 

Vetë Rama nga ana e tij ka thënë se nuk do të dorëhiqet dhe se do të vazhdojë punën për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. /LASPI.al

Aeroporti i Tiranës përgënjeshtron lajmet në rrjetet sociale: Fluturimet vijojnë normalisht

0

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës njofton se puna në këtë aeroport vijon normalisht dhe në kapacitet të plotë, duke përgënjeshtruar informacionet e shpërndara në rrjetet sociale për funksionimin e tij.

Në një njoftim në rrjetet sociale, aeroporti bën me dije se të gjitha fluturimet, si ato hyrëse, ashtu edhe ato dalëse, po kryhen sipas orareve të paracaktuara dhe se nuk ka asnjë ndërprerje të shërbimeve.

Administrata e aeroportit u ka bërë thirrje qytetarëve që për informacionet mbi fluturimet dhe funksionimin e tij t’u referohen vetëm kanaleve zyrtare të komunikimit.

Njoftimi i plotë:

Lidhur me disa informacione të rreme, të shpërndara në rrjetet sociale mbi funksionimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, sqarojmë se:

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka vijuar dhe vijon normalisht punën, në funksionalitet të plotë. Të gjitha fluturimet, si ato hyrëse, ashtu edhe ato dalëse, vijojnë sipas kalendarit të paracaktuar. Nuk ka asnjë ndërprerje të shërbimeve në aeroport. Përkundrazi, jemi në operacionalitet të plotë, duke i shërbyer me efikasitet çdo pasagjeri.

U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që t’u referohen vetëm kanaleve zyrtare të komunikimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës për informacione mbi kalendarin dhe mbarëvajtjen e fluturimeve, si dhe mbi funksionimin e aeroportit.

Transparenca e plotë është detyrimi ynë kryesor!