Ballina Blog Faqe 9

SPAK i komunikon Belinda Ballukut akuzat përfundimtare: 9 raste për shkelje të barazisë në tendera, korrupsion dhe pastrim parash

0

Ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku është paraqitur ditën e sotme në Prokurorinë e Posaçme, ku i janë komunikuar zyrtarisht akuzat.

Balluku është marrë e pandehur për ‘korrupsion’, ‘pastrim parash’, ‘shkeje të barazisë në tendera’ në 9 raste dhe fshehje pasurie.

 Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka komunikuar sot, më 20.10.2026, të pandehurës Belinda Balluku akuzat përfundimtare për veprat penale të mëposhtme:

•          “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim (nëntë herë), parashikuar nga neni 258/2 e 25 i Kodit Penal.

•          “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.

•          “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, i parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.

•          “Refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurive, interesave  privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, (dy herë), parashikuar nga neni 257/a, paragrafi i 2-të i Kodit Penal.

•          “Pastrim i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, parashikuar neni 287, gërma “b” i Kodit Penal, e kryer në rrethana cilësuese “në bashkëpunim dhe më shumë se një herë”, sipas nenit 287/2 të Kodit Penal (për dy pasuri të paluajtshme).

Prokuroria e Posaçme po vijon veprime konkrete procedurale për t’i komunikuar akuzat edhe personave të përfshirë në të njëjtën çështje penale.  Detaje të tjera do të bëhen të ditura në një moment të mëvonshëm.

I kërkoi Ramës zgjidhje politike, Spiropali nuk shkon në mbledhjen e Grupit Socialist

0

Kryeministri Edi Rama mblodhi sot Grupin Parlamentar të Partisë Socialistë në një kohë kur vendi është përfshirë në protestave masive, ku studentë dhe të rinj i kërkojnë kreut të qeverisë dorëheqjen.

Po ashtu edhe shumë ekspononte të PS, aktivë ose jo kanë shprehur hapur qëndrimin kundër kryeministrit Rama.

Mësohet se në mbledhjen e sotme të grupit socialist nuk ka qenë e pranishme vetëm Elisa Spiropali, e cila pak ditë më parë iu drejtua Edi Ramës me një letër të hapur, ku i kërkonte zgjidhje politike për situatën e krijuar, pas protestave studentore.

Në mesazhin e saj, Spiropali i bëri thirrje Ramës të mos fshihej pas shumicës parlamentare, duke nënvizuar nevojën për përgjegjësi politike dhe reflektim përballë zhvillimeve në vend.

Po ashtu mësohet se Rama në fjalimin e tij u ka kërkuar deputetëve socialistë të vijojnë punën dhe të mbajnë kontakte të vazhdueshme me qytetarët, për të dëgjuar nga afër pakënaqësitë e tyre.

Sipas Ramës, mosdalja e deputetëve në terren po krijon idenë në perceptimin publik sikur ata janë fshehur për shkak të protestave.

Sindikata e Pedagogëve njofton bojkot të mësimit në të gjitha universitetet, mblidhen sërish nesër në orën 10:00

0

Kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Sander Kovaçi, ka njoftuar bojkotin e procesit mësimor në të gjitha universitetet, duke filluar nga dita e nesërme.

Sipas Kovaçit, vendimi është marrë nga kryesia e sindikatës pas një mbledhjeje, ku është vendosur për ndërprerjen e mësimit në të gjitha institucionet e arsimit të lartë.

Ai bëri të ditur gjithashtu se në orën 10:00 do të mblidhen te Universiteti Politeknik i Tiranës, pas së cilës pedagogët me studentët do të marshojnë drejt Kryeministrisë.

10 aktivistë të Shoqërisë Civile kallëzojnë në SPAK Ramën dhe kreun e Policisë së Shtetit

0

Dhjetë aktivistë të Shoqërisë Civile kanë depozituar një kallëzim penal në SPAK ndaj kryeministrit Edi Rama dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita.

Në kallëzim renditen disa akuza, mes tyre shpërdorimi i detyrës, ndikimi i paligjshëm ndaj punonjësve të policisë, dhënia e urdhrave të paligjshëm, mosmarrja e masave për ndërprerjen e paligjshmërisë dhe pengimi i lirisë së shprehjes e organizimit. Aktivistët pretendojnë gjithashtu diskriminim dhe dhunë ndaj një pjese të shoqërisë.

1. Për genocid ndaj një pjese të shoqërisë duke e diferencuar nga pjesa tjetër nëpërmjet etiketimit, diskriminimit, linçimit dhe zhvlerësimit. Ky veçim bëhet me dhunë, përndjekje, shkaktim demi te madh fizik dhe psikologjik.

2. Ushtrimi i ndikimit për veprimet të paligjshme duke i premtuar para punonjësve të rendit.

3. Shpërdorimi i detyrës me veprime që sjellin pasoja në interesat e shtetasve

4. Dhënia e urdhrave të paligjshëm që cenojnë lirinë dhe integritetin e individit

5. Mosmarrja e masave për ndërprerjen e gjendjes së paligjshmërisë

6. Kryerja e veprimeve aktive për të penguar lirinë e shprehjes dhe organizimit./A2 Televizion

Pedagogët dhe të rinjtë heqin karriget e Ramës nga Kryeministria: Lironi studentët!

0

Pedagogët dhe të rinjtë që janë pjesë e protestës në Tiranë kanë hequr karriget e vendosura nga kryeministri Edi Rama para godinës së Kryeministrisë, në shenjë kundërshtimi ndaj thirrjeve për dialog të Edi Ramës.

Me këtë veprim, protestuesit kanë përcjellë mesazhin se refuzojnë dialogun e propozuar, ndërsa kanë kërkuar lirimin e studentëve të ndaluar gjatë protestave.

“Refuzojmë dialogun! Lironi studentët!”, “Pa dorëheqje, nuk ndalojmë!”, këto kanë qenë thirrjet e protestuesve poshtë zyrës së Ramës.

Sa kushton jetesa për një të ri në Tiranë, si u trefishuan kostot në pak vjet

0

Kostoja e jetesës për një të ri në Tiranë është rritur ndjeshëm vitet e fundit, e ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i qirave, ushqimeve dhe shërbimeve. Sipas një përllogaritjeje zyrtare orientuese të shpenzimeve mujore, një i ri që jeton vetëm në kryeqytet, paguan qira dhe ka një jetë sociale modeste, mund të shpenzojë nga 76 mijë deri në 120 mijë lekë në muaj nëse është student ka tarifa shkolle për të paguar.

Kostot janë ndjeshëm më të larta krahasuar me disa vite më parë, kur për një buxhet të ngjashëm vlerësohej se mjaftonin 350–450 lekë në euro në muaj. Shtrenjtimi ka prekur pothuajse çdo kategori të konsumit, por rritja më e fortë është regjistruar te qiratë, që përbëjnë edhe shpenzimin më të madh të një personi që kërkon të jetojë në mënyrë të pavarur.

Për të rinjtë që janë në fillim të karrierës, kostot e banimit dhe të konsumit të përditshëm po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë përballimin e shpenzimeve vetëm me një pagë, duke nxitur bashkëjetesën me persona të tjerë ose qëndrimin më të gjatë në familje. Ndërkohë që pagat janë rritur me ritme më të ulëta se çmimet, studentët paguhen më pak se pjesa e tjetër e të punësuarve. Për shkak të orareve më të kufizuara dhe mungesës së përvojës studentët punojnë në punë që paguhen pak dhe kanë paga 35-55 mijë lekë në muaj.

Qiratë, shpenzimi më i madh, deri në 600 euro për një apartament 1+1 Qiraja zë peshën më të madhe në buxhetin e një të riu që jeton vetëm në Tiranë. Në rang vendi indeksi i çmimeve të qirave u rrit me 20% ndërmjet 2015-2025, sipas INSTAT, por në Tiranë rritja është shumëfish më e lartë.
Para pandemisë një garsonierë ose apartament 1+1 në zonat jo qendrore mund të merrej me qira për 200–300 euro në muaj. Sot, një apartament i ngjashëm në zonat dytësore ose pranë qendrës kushton rreth 350–500 euro në muaj, ndërsa në disa zonat afër universiteteve dhe vendeve të punës i kalon të 600 eurot në muaj,

Në periudhën janar – qershor 2026, sipas të dhënave të agjencisë imobiliare “Century 21” (të analizuara në bazë të transaksioneve, për 13 zona në Tiranë që përfshijnë si periferinë edhe qendrën), qiraja mesatare mujore ka arritur në 590 euro nga 565 euro në muaj që ishte në muajt janar – qershor 2025. Në një apartament me qira të tipologjisë 1+1, duhet të paguajë mesatarisht 590 euro në muaj. Ndërsa për një apartament me sipërfaqe më të madhe, kostoja mesatare e qirasë arrin në 954 euro në muaj.

Sipas vlerësimeve orientuese, qiratë janë rritur me 40–70% gjatë viteve të fundit, duke u kthyer në një nga faktorët kryesorë të rritjes së kostos së jetesës. Për të përballuar këtë shpenzim të rinjtë që vijnë nga rrethet për studiuar ose punuar në Tiranë punojnë dhe ndajnë apartamentin me persona të tjerë. Në këtë rast, kostoja individuale e qirasë mund të zbresë në 175–250 euro në muaj.

Ushqimet, deri në 25 mijë lekë në muaj

Pas qirasë, ushqimet përbëjnë një nga zërat më të rëndësishëm të shpenzimeve mujore.

Çmimet e produkteve bazë, si mishi, bulmeti, buka, frutat dhe perimet, vlerësohet se janë rritur në dekadën e fundit e sidomos pas pandemisë kur nisi kërkesës së turistëve me ritme shumë më të larta se inflacioni i përgjithshëm. Sipas të dhënave të INSTAT nga 2015 në 2025 indeksi mesatar çmimeve u rrit me 29% pikë, ndërsa çmimet e ushqimeve me 57 pikë %. Ne mesin e ushqimeve psh rritjen më të fortë e kishin zarzavatet dhe patatet me 148 pikë % rritje të indeksit të çmimit ndërmjet 2015-2025. Më tej me rritje më të madhe ishin frutat me 92 pikë %, bulmeti dhe vezët me 63.8%.

Për një person që gatuan kryesisht në shtëpi, shpenzimet mujore për ushqime mund të arrijnë në 18–25 mijë lekë. Brenda kësaj shume, rreth 2–3 mijë lekë shkojnë për bukë dhe produkte brumi, 3,500–5,000 lekë për bulmet dhe vezë, ndërsa 4–5 mijë lekë për mish, pule dhe peshk. Frutat dhe perimet kërkojnë mesatarisht 4–5 mijë lekë në muaj, ndërsa produktet e tjera të konsumit, përfshirë vajin, orizin, makaronat dhe artikuj të ngjashëm, mund të kushtojnë 4,500–6,000 lekë.

Këto përllogaritje nuk përfshijnë ushqimin e konsumuar në restorante apo fast-food, i cili e rrit më tej faturën mujore.

Faturat, deri në 8,500 lekë në muaj

Një tjetër kategori e rëndësishme janë shpenzimet për shërbimet bazë të banesës. Fatura e energjisë elektrike për një person që jeton vetëm vlerësohet në rreth 2,500–4,000 lekë në muaj, në varësi të stinës dhe përdorimit të pajisjeve elektrike. Fatura e ujit varion nga 500 në 1,000 lekë, ndërsa interneti në shtëpi kushton rreth 1,500–2,000 lekë në muaj referuar çmimeve zyrtare për këto shërbime.

Në këto shpenzime shtohet edhe telefoni celular, me një kosto të vlerësuar prej 800–1,500 lekësh në muaj. Në total, faturat mujore për energjinë, ujin, internetin dhe telefoninë mund të arrijnë në rreth 5,300–8,500 lekë.

Jeta sociale, nga kafeja te restorantet dhe argëtimi shtrenjtohen

Të grup-moshat e reja në ditët e sotshme argëtimi dhe jeta sociale zë një hapësire të konsiderueshme të shpenzimet. Një kafe në Tiranë kushton sot mesatarisht 100–150 lekë, krahasuar me 70–90 lekë që para pandemisë. Për një të ri që konsumon 15–20 kafe në muaj, shpenzimet mund të arrijnë në 1,500–3,000 lekë.

Edhe ushqimi jashtë shtëpisë ka pësuar shtrenjtim. Çmimet në restorante dhe fast-food-et vlerësohet se janë dyfishuar në shumë raste. Psh hamburgerët kushtojnë 7-1100 lekë për një porcion, çmimi i sufllaqeve nga 150 lekë para pandemisë tani është 250-300 lekë. Për katër deri në gjashtë dalje në muaj, një i ri mund të shpenzojë rreth 4–7 mijë lekë.

Ndërkohë, për aktivitete kulturore, kinema apo forma të tjera argëtimi, mund të nevojiten edhe 1,000–2,500 lekë në muaj. Në total, një jetë sociale modeste mund të kushtojë nga 6,500 deri në 12,500 lekë në muaj.

Higjiena dhe veshje, deri në 13,500 lekë të tjera

Përveç nevojave bazë dhe argëtimit, të rinjtë përballojnë edhe shpenzime për kujdesin personal, si higjena dhe veshjet. Psh produktet e higjienës, shampo, larës enësh detergjente për rrobat etj. çmimet gati janë dyfishuar në krahasim me para pandemisë. Këto produkte në të kërkojnë 2–3,500 lekë në muaj. Ndërkohë, duke shpërndarë gjatë vitit shpenzimet për veshje dhe artikuj të tjerë personalë, kostoja mujore mund të llogaritet në rreth 3–5 mijë lekë.

Në total, kjo kategori mund t’i shtojë buxhetit mujor edhe 8–13,500 lekë.

Studimet, deri në 750 euro në vit në universitetet publike

Kostoja akademike për një student në Tiranë varion nga 330 deri në 750 euro në vit për studimet Bachelor në universitetet publike, ndërsa për programet Master shpenzimet arrijnë nga 670 deri në 1,200 euro në vit, në varësi të degëve. Këto përfshijnë tarifat e shkollimit, librat, materialet mësimore dhe shpenzimet e kancelerisë, etj.

Pesha më e madhe e shpenzimeve i takon tarifës së shkollimit, e cila në universitetet publike për nivelin Bachelor varion nga 20 mijë deri në 45 mijë lekë në vit, sipas te dhënave zyrtare. Studentët me rezultate të larta akademike dhe ata që u përkasin kategorive të caktuara sociale mund të përfitojnë ulje ose përjashtim nga tarifat.

Për studimet Master, kostot janë më të larta. Një Master Profesional kushton rreth 100–120 mijë lekë për të gjithë programin, ndërsa një Master Shkencor nga 120 mijë deri në 160 mijë lekë.

Një tjetër zë i rëndësishëm janë librat dhe materialet mësimore. Sipas studenteve blerja e teksteve të reja origjinale mund të kushtojë nga 20 mijë deri në 60 mijë lekë në vit. Shpenzimet për kancelari, printime dhe detyra kursi vlerësohen në 3–6 mijë lekë në vit.

Për studentët e degëve që kërkojnë pajisje dhe materiale specifike, si Arkitektura apo Mjekësia, kostot mund të rriten me 10–30 mijë lekë të tjera në vit. Në këtë mënyrë, edhe kur zgjidhet arsimi publik, studimet universitare përfaqësojnë një shpenzim të konsiderueshëm për buxhetet familjare.

Sa duhet të fitojë një i ri për të jetuar vetëm në Tiranë

Përllogaritja e të gjitha kategorive tregon se një i ri që jeton vetëm në Tiranë, paguan qira individuale dhe përballon shpenzimet e zakonshme të konsumit, mund të ketë nevojë për një buxhet mujor prej 76,400 deri në 112,100 lekësh.

Vetëm qiraja, ushqimet dhe faturat përbëjnë rreth 58–84 mijë lekë në muaj, pa përfshirë transportin, daljet, veshjet dhe shpenzimet e tjera personale.

Nëse qiraja ndahet me një person tjetër, buxheti individual mund të ulet në rreth 58,900–90,100 lekë në muaj, duke supozuar se shpenzimet e tjera mbeten të pandryshuara. Kjo tregon se banimi i përbashkët është një nga mënyrat kryesore për të reduktuar kostot, sidomos për studentët dhe të punësuarit në vitet e para të karrierës.

Rritja e çmimeve po ndikon jo vetëm në konsumin e përditshëm, por edhe në mundësinë e të rinjve për të kursyer dhe për të krijuar pavarësi financiare. Për ata që jetojnë vetëm, një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave shkon për nevojat bazë, duke lënë pak hapësirë për kursime apo shpenzime të paparashikuara./ Monitor

Kryeministri Rama kërkon dialog me studentët, nxjerr karriget jashtë Kryeministrisë

0

Pak para nisjes së protestës së studentëve dhe të rinjve në Tiranë, në ditën e tetë të saj, mëngjesin e kësaj të marte, në ambientet e jashtme të godinës së Kryeministrisë janë vendosur disa karrige të kuqe, në formë sfere.

Në video shfaqet kryeministri Edi Rama, i cili vendos mbi to disa letra, ku shkruhet “Dialog”.

Ndërkohë, pasi i kanë parë karriget jashtë Kryeministrisë, një numër i vogël protestuesish kanë reaguar duke shkruar fjalën “Dorëheqje” mbi letrën me mbishkrimin “Dialog”. Një prej protestuesve u shpreh se kryeministri mund ta shohë dialogun vetëm në ëndërr dhe se dialogun e bëjnë ata që shkojnë pas tij.

Pedagogët mblidhen para Universitetit “Politeknik”: Rama të dëgjojë kërkesat e studentëve

0

Siç edhe paralajmëruan, pedagogët janë mbledhur paraditen e sotme në mbështetje të studentëve. Një numër i lartë pedagogësh janë bërë bashkë ndërsa shprehin qëndrimet e tyre pro studentëve. Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) iu bashkua reagimeve kundër dhunës policore ndaj studentëve protestues.

Organizimi i tyre ka nisur para Universitetit Politeknik të Tiranës. Gjithashtu nga ana e pedagogëve është bërë edhe një peticion, ku bëhet thirrje që të dëgjohen kërkesat e studentëve.

Kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Sandër Kovaçi në fjalën e tij para të gjithë pedagogëve, i kërkoi kryeministrit Rama që të japë dorëheqjen dhe t’i japë zgjidhje politike situatës së krijuar.

Teksa tha se padogëgët janë në mbështetje të të rinjve, ai dënoi dhunën e ushtruar nga policia ndaj të rinjve që protestojnë.

Sipas tij, kjo qeveri nuk i dëgjon studentët dhe kur nuk dëgjon protestat paqësore do përballesh me të rinj të revoltuar.

“Kjo është një qeveri që nuk dëgjon. Meqë nuk dëgjoi studentët është logjike që do eskalonte kjo lëvizje. Kur nuk i përgjigjesh protestave paqësore, do presësh protestues të revoltuar.

Fatkeqësisht qeveria dhe kryeministri në vend që ti përgjigjej protestuesve paqësore sot ajo iu përgjigj me dhunë. Ajo që është më e keqja është se në kemi parë edhe persona civilë që rrezikojnë jetën e qytetarëve, ne si profesorat jemi të shqetësuar. Brutaliteti ndaj rinisë shqiptare është e papranueshme. I bëjmë thirrje përfaqësive ndërkombëtare, ambasadave që të hedhin sytë nga Shqipëria dhe nga ky brutalitet”, tha Kovaçi.

“Në mbështetje të tyre kemi vendosur që të bëjmë një marsh kundër dhunës së policisë. Sot duhet një zgjidhje dhe zgjidhja duhet të vijë nga politika”, tha Kovaçi, i cili kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Rama.

Dhuna ndaj studentëve/ Tabaku: Rama të mbajë përgjegjësi

0

Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Jorida Tabaku, denoncoi sot dhunën e ushtruar ndaj studentëve dhe qytetarëve gjatë protestave, duke kërkuar hetim të plotë të ndërhyrjeve policore dhe përgjegjësi politike nga kryeministri Edi Rama.

Në konferencën për shtyp, Tabaku theksoi se përshkallëzimi i situatës është pasojë e një pakënaqësie të gjatë dhe e mungesës së reagimit të qeverisë ndaj kërkesave të protestuesve. Sipas saj, pas 150 ditësh protestë dhe gjashtë ditësh përplasjesh, përgjegjësia e kryeministrit shkon përtej ngjarjeve të fundit.

“Qeveria kishte përgjegjësinë të vepronte përpara se tensioni të mbërrinte këtu. Prandaj përgjegjësia politike e Edi Ramës fillon shumë përpara datës 13 tetor”, deklaroi Tabaku.

Ajo solli në vëmendje shqetësimin e familjeve shqiptare, të cilat, krahas pasigurisë për të ardhmen e fëmijëve, sipas saj, po përballen tashmë edhe me frikën për sigurinë e tyre gjatë protestave dhe në ambientet e policisë.

Tabaku bëri të ditur se, së bashku me këshilltarët e PD-së në Kuvend, ka përgatitur një raport mbi ndërhyrjet e Policisë së Shtetit gjatë datave 13–18 tetor, mbështetur në pamje filmike, dëshmi, raportime, deklarata zyrtare dhe kontakte të drejtpërdrejta me qytetarët.

Sipas të dhënave që ajo paraqiti, të paktën 46 persona të kontaktuar në Bllokun e Sigurisë kishin shenja të dukshme dhune dhe nevojë për kontroll apo trajtim mjekësor. Tabaku tha gjithashtu se të dhënat e mbledhura flasin për mbi 1 mijë të rinj të shoqëruar ose të ndaluar gjatë këtyre ditëve.

Një shqetësim të veçantë ajo ngriti për trajtimin e të miturve, duke përmendur denoncime për marrje në pyetje pa praninë e prindit, psikologut apo avokatit, si dhe mangësi në shërbimin mjekësor. Ajo kërkoi zbardhjen e rastit të 19-vjeçarit të dëmtuar në këmbë më 13 tetor dhe të çdo rasti tjetër të denoncuar.

“Kur një qytetar ndodhet nën kontrollin e policisë, përgjegjësinë e mban shteti”, theksoi Tabaku, duke kërkuar që hetimi të përfshijë edhe zinxhirin drejtues: urdhrat e dhënë, mbikëqyrjen e ndërhyrjeve dhe reagimin pas denoncimeve të para.

Deputetja i bëri thirrje Prokurorisë të veprojë pa vonesë dhe ministrit të Brendshëm, Ervin Demo, t’i përgjigjet kërkesës së PD-së për të raportuar në Kuvend.

Në planin politik, Tabaku akuzoi Ramën për standard të dyfishtë ndaj qytetarëve që protestojnë dhe zyrtarëve që, sipas saj, kanë përfituar mbrojtje politike. Ajo kundërshtoi kërcënimet që, sipas deklaratës së saj, janë drejtuar ndaj protestuesve lidhur me bursat dhe përfitimet financiare.

Tabaku denoncoi edhe presionin ndaj medias. Sipas saj, janë identifikuar 27 raste dhune ose kërcënimi ndaj gazetarëve, në 25 prej të cilave përgjegjësia i atribuohet policisë. Ajo njoftoi se raporti do t’i përcillet Komisionit Europian, Komisionerit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Europës dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Duke dënuar njëkohësisht sulmet ndaj punonjësve të policisë dhe dëmtimin e pronës, Tabaku bëri thirrje për vazhdimin paqësor të protestës. Ajo kërkoi dorëheqjen e Edi Ramës dhe hapjen e një procesi për një qeveri tranzitore që garanton zgjedhje të lira e të ndershme, ndërsa u zotua të ndjekë rastet e denoncuara dhe të kërkojë llogaridhënie nga institucionet.

Protestuesit hyjnë brenda Gjykatës së Apelit dhe thyejnë xhamat

0

Në ditën e shtatë të prostestave të dhunshme në Tiranë, revolta e protestuesve ka përfshirë edhe Gjykatat.

Një grup protestuesish i kanë thyer sportelin ku vendosen njoftimet e gjykatës si edhe dedektorët që përdoren në hyrje të goditës, për personat që hyjnë në gjykatë.

Më pas dolën prej aty duke iu drejtuar Ministrisë së Jashtme.