Deputetja e pavarur, Marjana Koçeku u ka drejtuar një letër të hapur përfaqësive më të larta diplomatike dhe institucioneve ndërkombëtare në Shqipëri, duke ngritur shqetësimin për dhunën policore ndaj protestuesve, veçanërisht të miturve, ndalimet arbitrare dhe ndërhyrjet e personave me veshje civile, pa shenja identifikimi policor.
Letra, e cila mban datën 16 tetor 2026, i është drejtuar Delegacionit të Bashkimit Evropian, Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Prezencës së OSBE-së, Zyrës së Këshillit të Evropës, Koordinatorit të Përhershëm të Kombeve të Bashkuara, si dhe drejtuesve të misioneve diplomatike të akredituara në Shqipëri.
Në dokumentin zyrtar, Koçeku shpreh shqetësimin për përdorimin e tepruar të forcës nga policia, goditjen e protestuesve të shtrirë në tokë, keqtrajtimin gjatë ndalimeve dhe raportimet për shkelje të të drejtave të personave të shoqëruar në komisariate.
“Duke qenë personalisht e pranishme në protesta, kam parë vendosmërinë e të rinjve shqiptarë, të cilët kërkojnë ndryshim, llogaridhënie dhe një të ardhme më të mirë, në kushtet e pakënaqësisë së përhapur ndaj korrupsionit, mundësive të kufizuara dhe dështimeve institucionale. Shqetësimet e tyre meritojnë vëmendje serioze politike dhe institucionale. Në vend të kësaj, veprimet e fundit të forcave të rendit kanë ngritur pikëpyetje të rënda për mbrojtjen e të drejtave të tyre themelore. Pamjet filmike, dëshmitë e personave të pranishëm dhe raportimet mediatike dokumentojnë episode të dhunës së rëndë policore: goditje ndaj protestuesve të shtrirë në tokë, përdorim të tepruar të forcës gjatë ndalimeve dhe trajtime që cenojnë sigurinë dhe dinjitetin njerëzor. Dhuna ndaj të miturve është veçanërisht alarmante. Gjithashtu, rastet e keqtrajtimit të raportuar në komisariate dhe kushtet e mbajtjes në ndalim kërkojnë hetim të menjëhershëm, të pavarur dhe të paanshëm”, thuhet ne leter.
Një vëmendje të veçantë deputetja i kushton ndërhyrjeve të personave me veshje civile, pa identifikim policor, të cilët, sipas saj, kanë marrë dhe larguar me forcë protestues nga tubimet publike. Ajo kërkon sqarimin e identitetit të këtyre personave, kompetencave të tyre, bazës ligjore të ndërhyrjeve dhe zinxhirit të komandimit.
“Shqetësim të veçantë dhe urgjent përbëjnë ndërhyrjet e personave me veshje civile, pa shenja të dukshme identifikimi policor, të cilët kanë rrëmbyer dhe larguar me forcë protestues nga tubimet publike. Mungesa e identifikimit në këto ndërhyrje është e papranueshme dhe duhet të marrë përgjigje të qarta institucionale. Kur personat që ushtrojnë kompetenca policore nuk identifikohen dhe nuk e bëjnë të qartë statusin e tyre zyrtar, protestuesit dhe kalimtarët mund të mos jenë në gjendje të dallojnë një ndërhyrje të ligjshme të forcave të rendit nga një rrëmbim i paligjshëm. Kjo krijon rreziqe serioze frike, përshkallëzimi dhe abuzimi. Autoritetet kompetente duhet të sqarojnë nëse këta persona ishin punonjës policie të autorizuar, mbi çfarë baze ligjore vepruan, kush i drejtoi operacionet e tyre dhe ku u mbajtën më pas personat e privuar nga liria”, thuhet ne letren e deputetes Koçeku.
LETËR E HAPUR DREJTUAR KOMUNITETIT DIPLOMATIK NDËRKOMBËTAR NË SHQIPËRI
Drejtuar:
Kreut të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri
Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri
Kreut të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri
Kreut të Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë
Koordinatorit të Përhershëm të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri
Drejtuesve të misioneve diplomatike të akredituara në Republikën e Shqipërisë
Lënda: Dhuna policore, personat me veshje civile pa identifikim dhe mbrojtja e të drejtave themelore gjatë protestave në Shqipëri
Shkëlqesi,
Në cilësinë time si deputete e pavarur e Kuvendit të Shqipërisë, po i drejtohem me këtë letër të hapur komunitetit diplomatik ndërkombëtar për të shprehur shqetësimin tim të thellë për dhunën e rëndë policore ndaj protestuesve, veçanërisht të miturve, ndalimet arbitrare dhe ndërhyrjet e personave me veshje civile, pa identifikim policor, gjatë protestave të fundit në të gjithë Shqipërinë.
Duke qenë personalisht e pranishme në protesta, kam parë vendosmërinë e të rinjve shqiptarë, të cilët kërkojnë ndryshim, llogaridhënie dhe një të ardhme më të mirë, në kushtet e pakënaqësisë së përhapur ndaj korrupsionit, mundësive të kufizuara dhe dështimeve institucionale. Shqetësimet e tyre meritojnë vëmendje serioze politike dhe institucionale. Në vend të kësaj, veprimet e fundit të forcave të rendit kanë ngritur pikëpyetje të rënda për mbrojtjen e të drejtave të tyre themelore.
Pamjet filmike, dëshmitë e personave të pranishëm dhe raportimet mediatike dokumentojnë episode të dhunës së rëndë policore: goditje ndaj protestuesve të shtrirë në tokë, përdorim të tepruar të forcës gjatë ndalimeve dhe trajtime që cenojnë sigurinë dhe dinjitetin njerëzor. Dhuna ndaj të miturve është veçanërisht alarmante. Gjithashtu, rastet e keqtrajtimit të raportuar në komisariate dhe kushtet e mbajtjes në ndalim kërkojnë hetim të menjëhershëm, të pavarur dhe të paanshëm.
Shqetësim të veçantë dhe urgjent përbëjnë ndërhyrjet e personave me veshje civile, pa shenja të dukshme identifikimi policor, të cilët kanë rrëmbyer dhe larguar me forcë protestues nga tubimet publike. Mungesa e identifikimit në këto ndërhyrje është e papranueshme dhe duhet të marrë përgjigje të qarta institucionale.
Kur personat që ushtrojnë kompetenca policore nuk identifikohen dhe nuk e bëjnë të qartë statusin e tyre zyrtar, protestuesit dhe kalimtarët mund të mos jenë në gjendje të dallojnë një ndërhyrje të ligjshme të forcave të rendit nga një rrëmbim i paligjshëm. Kjo krijon rreziqe serioze frike, përshkallëzimi dhe abuzimi. Autoritetet kompetente duhet të sqarojnë nëse këta persona ishin punonjës policie të autorizuar, mbi çfarë baze ligjore vepruan, kush i drejtoi operacionet e tyre dhe ku u mbajtën më pas personat e privuar nga liria.
Të ndjekin rezultatet e hetimeve dhe çdo masë për përcaktimin e përgjegjësive, përmes dialogut ekzistues diplomatik dhe mekanizmave ndërkombëtarë të monitorimit të të drejtave të njeriut.
Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe partneritetet e saj me aleatët demokratikë mbështeten në respektimin e të drejtave të njeriut, parimeve demokratike dhe shtetit të së drejtës. Këto angazhime duhet të pasqyrohen në veprimtarinë e institucioneve shtetërore, veçanërisht kur qytetarët kundërshtojnë ata që janë në pushtet.
Reagimi institucional ndaj dhunës policore dhe ndërhyrjeve të personave të paidentifikuar do të jetë një tregues i rëndësishëm i përkushtimit të Shqipërisë ndaj standardeve që priten nga një shtet demokratik dhe një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Vëmendja e vazhdueshme ndërkombëtare, në përputhje me sovranitetin e Shqipërisë dhe detyrimet e saj ndërkombëtare, mund të ndihmojë në mbrojtjen e lirive themelore dhe të sigurojë që askush që ushtron autoritet publik të mos cënojë të drejtat dhe liritë e qytetarëve.
Ju falënderoj për vëmendjen dhe konsideratën Tuaj.
Me respekt,
Marjana Koçeku
Deputete e pavarur
Kuvendi i Republikës së Shqipërisë






