Ballina Blog Faqe 12

Alesia Balliu: Berisha do humbë thellë në zgjedhjet vendore

0

Ish anëtarja e PD, Alesia Balliu thotë se kryedemokrati Sali Berisha do regjistrojë humbje edhe më të thellë në zgjedhjet e ardhshme vendore.

Në një intervistë për “Ora e Fundit” në ABC News, Balliu u shpreh se shqiptarët do e refuzojnë opozitën e shitur të Sali Berishës.

Balloi shtoi se vendi ka nevojë për opozitë të re, që ta mundë me votë kryeministrin Edi Rama.

Sali Berisha është minorancë dhe në zgjedhjet e bashkive do jetë edhe më i humbur. Shqiptarët do e refuzojnë këtë opozitë të shitur e më pas do përballen me Ramën. Të thuash ripërtëritje me Flamur Nokën, me persona që kanë humbur, kjo ishte ripozicionim i oborrit të besnikëve të Sali Berishës. E ka kthyer PD në dyqan. Kjo opozitë, vetëm opozitë nuk është. Duhet t’i mblidhte ajo njerëzit në protestë. Ajo parti, sa kohë ka Berishën, ka një program, si ta ruajë dyqanin për interesat e tij, për të ruajtur pasuritë e tij. Nuk është objektivi i tij fitorja. Kjo protestë e ka shuar Sali Berishën. Vendi ka nevojë për opozitë të re, ka nevojë për ndryshim, ka nevojë për dikë që e mund Ramën me votë. Këtë prodhon Sali Berisha sot, mungesën e alternativës”, theksoi ajo.

Gjykata lë në burg Ylli Zallën, avokati i tij: Nuk paraqet rrezikshmëri të lartë, u dorëzua vetë

0

Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Ylli Zallën, ndërsa mbrojtja e tij ka kërkuar një masë më të lehtë, duke kundërshtuar pretendimin se ai paraqet rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Avokati i Zallës argumentoi se as personi dhe as vepra për të cilën ai dyshohet nuk paraqesin rrezikshmëri të veçantë. Sipas mbrojtjes, armët dhe municionet e sekuestruara janë gjetur në pjesën e pasme të banesës, mes ferrave, pa masa të veçanta për ruajtjen apo ambalazhimin e tyre.

Mbrojtja pretendon gjithashtu se disa prej kapsollave detonatore nuk kanë qenë funksionale, ndërsa disa mjete shpërthyese nuk kanë qenë të lidhura në mënyrën e duhur për të shkaktuar shpërthim.

Sa i takon armëve, avokati deklaroi se bëhet fjalë për armë të vjetra, të prodhimit kinez, të viteve ’80. Edhe sasia e kanabisit e sekuestruar, sipas tij, ka qenë e ekspozuar ndaj faktorëve atmosferikë dhe nuk tregon kujdes të veçantë për ruajtjen e saj.

Avokati theksoi se Ylli Zalla nuk është i përfshirë në ngjarje të tjera kriminale dhe se nuk ka prova që materialet e gjetura të jenë përdorur në ngjarje të tjera apo që ai të ketë ndërmarrë veprime për shitjen e lëndëve narkotike.

Një tjetër argument i mbrojtjes lidhet me mënyrën e dorëzimit të tij. Avokati tha se, pavarësisht angazhimit të forcave të shumta të policisë dhe përdorimit të dronëve gjatë operacionit, Zalla nuk u kap nga forcat e policisë, por vendosi vetë të dorëzohej.

Sipas avokatit, ai ka thirrur një efektiv që ndodhej pranë banesës, i është prezantuar dhe është dorëzuar, me qëllim që të sqaronte pozicionin e tij.

Për këto arsye, mbrojtja kërkoi që ndaj Ylli Zallës të vendosej një masë më e lehtë sigurie, por gjykata vendosi “arrest në burg”.

Një tjetër argument i mbrojtjes lidhet me mënyrën e arrestimit. Avokati pretendon se Zalla është dorëzuar vetë, pavarësisht angazhimit të forcave të shumta të policisë dhe përdorimit të dronëve në operacion.

“Në këtë drejtim, me interes të veçantë të theksohet se Ylli Zalla është dorëzuar vetë. Është e vërtetë që policia është angazhuar me dron dhe me efektivë të shumtë, por kështu ajo ka realizuar çdo operacion ndaj Ylli Zallës për ta kapur dhe nuk ka mundur dot ta kapë atë. I vetmi element që solli sukses në operacionin e policisë ishte dëshira e Yllit për t’u dorëzuar, për të sqaruar pozicionin e tij.”

Avokati iu referua edhe pamjeve të bëra publike nga operacioni, duke pretenduar se ato tregojnë momentin kur Zalla identifikohet dhe dorëzohet.

“Videot publike para shtëpisë së tij e tregojnë më së shumti këtë gjë. Madje ai vetë ka thirrur me zë një person që i është dukur si pjesë e forcave RENEA dhe i është prezantuar, duke u dorëzuar kësisoj.”

Për këto arsye, mbrojtja kërkoi që ndaj Zallës të vendosej një masë më e lehtë se “arresti në burg”, masë e kërkuar nga Prokuroria. Megjithatë, gjykata nuk e ka pranuar kërkesën e mbrojtjes dhe ka vendosur që 49-vjeçari të qëndrojë në burg.

Ylli Zalla ishte shpallur në kërkim që prej nëntorit 2025, pasi në banesën e tij u zbulua një arsenal armësh gjatë hetimeve që pasuan atentatin në Rinas.

Në të kaluarën, Zalla është arrestuar edhe për vepra të tjera penale, ndërsa emri i tij është lidhur nga autoritetet me akuza për prodhim eksplozivësh dhe veprimtari të lidhura me narkotikët. Megjithatë, këto janë çështje të veçuara dhe akuzat duhet të vërtetohen përmes procesit gjyqësor.

Banorët e Patosit dalin në protestë, kundërshtojnë bashkimin me Fierin

0

Banorët e Patosit janë ngritur paraditen e sotme për të dytën herë në protestë për të kundërshtuar propozimin e Partisë Socialiste për hartën e re territoriale ku parashikohet shkrirja e bashkisë Patos me atë të Fierit.

Me pankarta në duar dhe disa fjalime, ata kanë kërkuar njëzëri që kryeministri Rama të rishikojë këtë propozim pasi Patosi është qytet me identitet dhe histori, teksa kanë theksuar se dhe performanca e bashkisë renditet ndër më të mirat në vend.

“Unë jam naftëtar i vjetër. E kemi bërë me kontribut vullnetar këtë Patos. Spitali, ambulanca, shkolla janë bërë me kontribut vullnetar. Kemi punuar 8 orë në naftë dhe ktheheshim këtu.”

“I bëjmë thirrje Ramës të bisedojë me naftëtarët, të marrë mendimin e tyre. Është krim të shkrihet bashkia e Patosit. I themi jo reformës së bërë nga Partia Socialiste”, thanë disa prej banorëve.

Ata kanë argumentuar se nëse Patosi i bashkohet Fierit do të humbasin të gjitha shërbimet duke ua vështirësuar jetën e përditshme ndërsa kanë theksuar se ekziston edhe rreziku i shkrirjes së shumë institucioneve.

“Nëse mbyllet bashkia, shkurtimi i fuqisë punëtore do të bëhet me 50%. Sa më e vogël të jetë bashkia, aq më organizim e kërkesë llogarie ka. Kontrollon çdo gjë.”

“Sa më afër bashkia e komuna, aq më të zgjidhshme janë problemet. Neve nuk na mposhtin.”

“Bashkia e Patosit është ndër më të mirat, ku çdo gjë gjelbëron e lulëzon”, thanë qytetarët.
Protestuesit kanë paralajmëruar përshkallëzim të protestave teksa kanë shprehur vendosmërinë për ta kundërshtuar deri në fund këtë propozim të Partisë Socialiste.

Shehaj denoncon ‘kërcënimin’ ndaj deputetit Kapri, ja mesazhi që iu dërgua deputetit të Partisë Mundësia

0

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka denoncuar se deputeti Erald Kapri është kërcënuar sipas tij nga një zyrtar i Partisë Socialiste. 
 
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Shehaj bën me dije se në telefonin e deputetit Kapri ka ardhur një mesazh ku shkruhej: “Mos vazhdo më, se ndryshe do ta tregojmë ne!”

Ndërkohë vetë deputeti Kapri pretendon se ky kërcënim i ka ardhur sipas tij pas denoncimit të bërë nga ai për drejtoreshën e Postës në Durrës.

Në reagimin që shoqëron videon, Shehaj shkruan:

 “Pasi vodhën me çanta paratë e pensionistëve, zagarët e Edi Ramës kërkojnë t’i mbyllin gojën deputetit të Partisë Mundësia. Kur kërcënojnë një deputet, imagjinoni çfarë u bëjnë këta qytetarëve të zakonshëm, pa imunitet! Asnjë hap pas. Do denoncojmë çdo padrejtësi dhe do flasim për këdo që nuk ka zë dhe është i pambrojtur përballë pushtetit banditesk e të korruptuar të Edi Ramës.”

Ndërruan jetë pas aksidentit tragjik, shoferi 25-vjeçar dhe e reja italiane ishin martuar vetëm para pak ditësh

0

Kleo Vrioni, drejtuesi i mjetit që ndërroi jetë pas aksidentit tragjik ishte martuar vetëm disa ditë më parë (të dielën) me të renë italiane me Sara Brugentelli, e cila gjithashtu ndërroi jetë.

Sipas informacioneve paraprake të rinjtë kishin qenë në një lokal nate në Maminas dhe po ktheheshin.

Ndërkohë dyshohet se 25-vjeçari ka qenë duke lëvizur me shpejtësi.

Rama i quan protestuesit ‘sorra’, Çepani: Protesta po sjell një model të ri

0

Aktivistja Edlira Çepani ka folur për rolin e protestës qytetare dhe mundësinë që ajo të ndikojë në mënyrën se si bëhet politikë në Shqipëri.

E ftuar në News 24, Çepani tha se faktori ndërkombëtar mbetet i rëndësishëm, por ndryshimi nuk mund të imponohet nga jashtë. Ajo theksoi se qytetarët janë ata që duhet të marrin përsipër nismën për ndryshimin që kërkojnë.

Çepani përmendi edhe vëmendjen ndërkombëtare ndaj protestës, duke theksuar se ajo është pasqyruar në mediat e huaja dhe është diskutuar edhe në Parlamentin Evropian.

Unë mendoj se çdo gjë ka rolin e vet, patjetër që prezenca ndërkombëtare nuk ka qenë e vogël. Ne kemi prezente protestën në titujt kryesorë në gazetat më të famshme, është folur në Parlamentin Evropian. Por unë jam një nga njerëzit që mendon se ndryshimi fillon nga vetja. Kështu që patjetër që cdo përpjekje paralele është e rëndësishme, por ndryshimi fillon nga njerëzit dhe ndryshimin në këtë moment po e bëjnë shqiptarët  për veten e tyre”, tha Çepani.

E pyetur nëse politika është frikësuar përballë protestave, Çepani tha se një model i ri reagimi qytetar mund të krijojë shqetësim te politika, por kritikoi mënyrën se si mund t’i përgjigjet ajo këtij fenomeni.

“Patjetër që ngjall frikë  një model që është ndryshe, por mendoj se arroganca nuk është mënyra e duhur për ta trajtuar. Ky model po del pa arrogancë, po del me teza demokratike dhe jo radikale. Nuk më duket një protestë që duhet ti përgjigjesh në mënyrë arrogante. Nëse unë do isha në drejtim të një institucioni do ti përgjigjesha ndryshe”, tha aktivistja.

Tragjedi në Manzë/ Automjeti përplaset me bordurën, humbin jetën 3 të rinj, 2 në gjendje të rëndë

0

Një aksident i rëndë ka ndodhur rreth orës 02:22 të kësaj të mërkure, në rrugën dytësore në Manzë të Durrësit.

Një automjet ka humbur kontrollin dhe është përplasur me një bordurë betoni.

Si pasojë, kanë humbur jetën drejtuesi i automjetit, Kleo Vrioni, 25 vjeç, dhe dy pasagjerët, Sara Brugentelli, 26 vjeçe, dhe Alvi Muhaxhiri, 15 vjeç, njofton Policia.

Dy pasagjerë të tjerë, R. V., 25 vjeç, dhe K. D., 16 vjeç, janë plagosur. Sipas informacioneve paraprake, njëri prej tyre ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Tre të rinjtë ndërruan jetë në vend, ndërsa dy të tjerët u dërguan me autoambulancë fillimisht drejt spitalit të Durrësit, ndërsa më pas në Tiranë, për një mjekim më të specializuar.

Dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia tejet e lartë e lëvizjes, gjë që ka çuar më tej në humbjen e kontrollit të automjetit tip BMW.

Një nga viktimat mësohet se është shtetase italiane.

“26-vjeçarja ishte ardhur për pushime”, theksoi gazetarja. Katër të tjerët janë banorë të Sukthit, kushërinj dhe të njohur me njëri-tjetrin.

Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor. Vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit.

Vrasja e të riut portugez në Ksamil, PD: Turisti u kthye me arkëmort, qeveria nuk garanton sigurinë

0

Partia Demokratike ka reaguar pas vrasjes së turistit të huaj në Ksamil, duke e cilësuar sezonin turistik të këtij viti si një “verë të zezë” për Shqipërinë.

Në një deklaratë për mediat, PD rendit ndër problematikat e muajve të fundit vrasjet, zjarret dhe shpërthimet me tritol, duke akuzuar qeverinë dhe Policinë e Shtetit për dështim në garantimin e sigurisë publike.

“Sezoni turistik i sivjetshëm u kthye në ‘verë të zezë të Shqipërisë’, me tre muaj ku spikati terrori i dhjetëra vrasjeve, zjarret anekënd vendit, shpërthimet me tritol, pasiguria”, thuhet në deklaratën e PD-së.

Duke iu referuar vrasjes së turistit në Ksamil, opozita shprehet se 20-vjeçari, i cili sipas informacionit fillestar u raportua si francez, ndërsa më pas Policia konfirmoi se ishte shtetas portugez, “do t’i kthehet familjes dhe vendit të vet në arkëmort”.

PD i ka shprehur ngushëllimet familjes së viktimës, ndërsa e ka cilësuar ngjarjen si një goditje për imazhin e turizmit shqiptar.

“Për autoritetet e vendit, për narko-qeverinë, kjo vrasje makabre nuk mund të trajtohet si një tjetër komunikatë në kronikën e zezë. Ajo është faqja e zezë e Policisë dhe qeverisë”, deklaron PD.

Sipas opozitës, Policia e Shtetit është përqendruar te njoftimet për kapjen e autorëve pas ngjarjeve, në vend që të ketë si prioritet parandalimin e krimit dhe garantimin e rendit publik.

“Policia e Shtetit është kthyer në një agjenci që ndjek ‘autorët e ikur në drejtim të paditur’, jo një forcë të parandalimit të krimit, garantimit të sigurisë, forcimit të rendit publik”, thuhet më tej në deklaratë.

Partia Demokratike ka akuzuar gjithashtu qeverinë për emërime politike në strukturat shtetërore dhe për lidhje me grupet kriminale, duke deklaruar se kjo situatë ka dëmtuar funksionimin e Policisë.

Në fund të deklaratës, PD ka prezantuar edhe një prej angazhimeve të saj politike, duke premtuar një “Paketë Anti-Krim” në 100 ditët e para në rast të ardhjes në qeveri.

Sipas opozitës, kjo paketë synon rikthimin e sigurisë publike dhe shkëputjen e strukturave shtetërore nga grupet kriminale.

“Rikthimi i sigurisë publike, siç është dëshmuar në Qeverinë Berisha 2005-2009 është prioriteti ynë kryesor; jo një premtim politik, por një detyrë patriotike për t’u kryer”, deklaron Partia Demokratike.

PD e mbyll reagimin duke e cilësuar vrasjen e turistit në Ksamil si “ditë zie për turizmin shqiptar” dhe si një dëshmi se siguria kërkon, sipas saj, seriozitet dhe jo vetëm publicitet.

Detaje të reja nga vrasja në Ksamil! Shoqërohen 42 persona, arrestohet një oficer policie

0

42 persona janë shoqëruar nga policia e Sarandës për t’u marrë në pyetje lidhur me vrasjen e 20-vjecarit portugez në orët e para të mëngjesit të sotëm në lokalin “Principotes” në Ksamil.

Burime bëjnë me dije se pritet arrestimi edhe i të tjerë personave pas 29-vjecarit Sokrat Vata. Bashkë me të pritet arrestimi edhe i dy shtetasve turq që e ndihmuan të largohej por edhe i personave të tjerë.

Moisid Matushaj 24 vjec, banues në Gjirokastër, me detyrë Ndihmës Specialist i Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Kufirit Gjirokastër, është ndaluar nën dyshimet se ka ndihmuar 29-vjecarin Sokrat Vata, autorin e vrasjes së 20-vjecarit sot në Ksamil.

Hetimet e policisë kanë zbuluar se Matushaj punonte si bodyguard i kompanisë “Elite Security” bashkë me Sokrat Vatën tek lokali “Principote” dhe dyshohet se e ka ndihmuar atë që të largohej nga vendi i ngjarjes. Policia po heton gjithashtu edhe rolin e ciftit turk që drejtonte mjetin ku ishte fshehur autori vrasjes, pasi ka dyshimet se Sokrat Vata punonte edhe si bodyguard i shtetasit turk.

Ndërkohë mësohet se është shpallur në kërkim edhe shtetasi Bekim Bulica, 36-vjec i cili nga hetimet rezulton se ndodhej në vendin e ngjarjes dhe më pas është larguar drejt Tiranës për t’iu shmangur hetimit.

Ksamil, Sarandë/Informacion shtesë

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur mëngjesin e sotëm në Ksamil, ku humbi jetën një shtetas i huaj, sqarojmë se:

Bazuar në të dhënat paraprake të disponueshme në momentet e para të ngjarjes, viktima u identifikua fillimisht si shtetas francez, me inicialet M. M. Në vijim të veprimeve hetimore dhe pas gjetjes së dokumentit të identifikimit, u konfirmua se ishte shtetas portugez, me inicialet L. V., i datëlindjes 27.09.2005.

Ndërkohë, hetimet janë përqendruar edhe në verifikimin e përfshirjes së dy shtetasve turq në automjetin e të cilëve u kap autori i dyshuar, ndërsa po e transportonin atë në drejtim të Tiranës.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të ngjarjes.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, do të ketë njoftim të plotë në lidhje me këtë ngjarje.

Po ngjitej drejt kalasë së Beratit, autobusi me turistë përfshihet nga flakët gjatë lëvizjes

0

Një autobus është shkrumbuar nga flakët paraditen e kësaj të marte në Berat. Bëhet me dije se autobusi me turistë po ngjitej drejt kalasë së Beratit. Në ato momente shoferi ka kuptuar se kishte një defekt dhe ka zbritur menjëherë pasagjerët. 

Fatmirësisht nga flakët nuk ka asnjë person të lënduar. Siç shihet edhe në pamje, zjarri që ka përfshirë mjetin ka shkaktuar tym të dendur e të zi që ka mbuluar zonën. Megjithatë, ende nuk dihen rrethanat e ngjarjes dhe shkaku që ka shkaktuar zjarrin.