Ballina Blog Faqe 12

Përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe policisë te MAS

0

Protesta e studentëve dhe gjimnazistëve para Ministrisë së Arsimit është tensionuar, ku protestuesit kanë goditur me gurë dhe sende të forta, ndërsa Policia e Shtetit është kundërpërgjigjur me ujë dhe gaz lotsjellës në drejtim të turmës. 

Kjo ka bërë që turma të shpërndahej përkohësisht, në rrugët dytësore pranë Rrugës së Durrësit, për t’u rigrupuar sërish pas disa minutash para MAS. 

Përplasjet kanë përshkallëzuar situatën, ku protestues janë shoqëruar në mënyrë të dhunshme nga uniformat blu, duke u tërhequr zvarrë dhe duke u qëlluar me shkopinj gome. 

Në ditën e katërt të protestës, studentët, gjimnazistët dhe qytetarët bëjnë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Ish-ministrja e PS: Kërkesa për largimin e Kryeministrit nuk mund të shpërfillet

0

Ish-ministrja socialiste, Ermelinda Meksi bën thirrje për dialog politik dhe një zgjidhje serioze të krizës, duke theksuar se kërkesa e qytetarëve për largimin e kryeministrit nuk duhet të shpërfillet. “Shqipëria është mbi çdo individ, post apo parti”, shkruan ajo.

Në një reagim në lidhje me situatën e krijuar nga protestat masive të studentëve, Meksi thekson se kriza nuk mund të zgjidhet duke mohuar problemet apo duke shpërfillur shqetësimet e qytetarëve, por përmes dialogut dhe një procesi serioz konsultimi.

Meksi u bën thirrje drejtuesve politikë, deputetëve, forumeve partiake, intelektualëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile që të marrin përgjegjësinë për situatën.

Nga Ermelinda Meksi

Kur vendi është në krizë, urtësia  të marrë fjalën!

Kam pritur të shkruaj, jo sepse nuk kam pasur shqetësim, por sepse në momente të tilla fjalët duhet të peshohen mirë dhe thirrjet duhet të çojnë drejt zgjidhjes, jo drejt përshkallëzimit.

Përvoja shumëvjeçare politike më ka mësuar se asnjë krizë e rëndë nuk zgjidhet duke mohuar problemin, duke shpërfillur pakënaqësinë apo duke vendosur interesa të ngushta mbi interesin e vendit.

Gjatë angazhimit shumëvjeçar në OSBE, jam marrë edhe me rëndësinë e adresimit të korrupsionit, për të parandaluar që pakënaqësia e akumuluar të kthehet në revoltë që cenon stabilitetin dhe sigurinë e vendit. Kjo përvojë më ka bindur se stabiliteti i qëndrueshëm nuk sigurohet duke heshtur pakënaqësinë, por duke adresuar shkaqet e saj.

Shqipëria ka nevojë për urtësi, përgjegjësi dhe një zgjidhje politike serioze. Kur besimi te qeverisja është tronditur dhe zemërimi qytetar është kaq i dukshëm, nuk mjaftojnë deklaratat dhe formulat e zakonshme. Nevojitet guxim politik për t’u përballur me realitetin dhe për të gjetur një rrugëdalje që i shërben vendit.

Përvoja në politikë më ka mësuar se forumet politike kanë vlerë kur krijojnë hapësirë për debat të hapur, reflektim dhe vendimmarrje kolektive. Në momente të vështira, një forcë politike duhet të ketë kurajën të dëgjojë edhe zërat kritikë, të vlerësojë situatën pa paragjykime dhe të vendosë interesin e vendit mbi çdo konsideratë tjetër.

Kërkesa për largimin e Kryeministrit nuk mund të shpërfillet dhe as të bëhet shkak për përplasje të mëtejshme. Ajo duhet të trajtohet me përgjegjësi politike, në respekt të vullnetit qytetar dhe të procedurave demokratike. Është koha që drejtuesit politikë të shqyrtojnë me seriozitet mundësitë për një zgjidhje që qetëson situatën, garanton funksionimin e institucioneve dhe ndihmon në rikthimin e besimit.

U bëj thirrje drejtuesve politikë, deputetëve, forumeve politike, intelektualëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile të marrin përgjegjësinë që kërkon ky moment.

Hapni një proces të vërtetë konsultimi dhe dialogu, ku të dëgjohen shqetësimet e qytetarëve, veçanërisht të studentëve, dhe të shqyrtohen me sinqeritet rrugët e mundshme të daljes nga kriza.

Dhuna nuk është zgjidhje. Por as shpërfillja e shkaqeve të zemërimit nuk sjell paqe. Duhen shmangur provokimet, mbrojtur protesta paqësore dhe mos lejojuar që kriza politike të kthehet në një plagë edhe më të thellë shoqërore.

Shqipëria është mbi çdo individ, post apo parti. Asnjë pushtet nuk vlen më shumë se paqja sociale, dinjiteti i qytetarëve dhe e ardhmja e vendit.

Është koha që politika të tregojë urtësi, jo duke fituar kohë, por duke gjetur zgjidhje. Përgjegjësia politike matet jo vetëm me mënyrën si fitohet pushteti, por edhe me guximin për të vepruar kur interesi i vendit e kërkon.

Le të mbizotërojnë urtësia dhe përgjegjësia ndaj Shqipërisë!/ E.Meksi, 16 Tetor 2026

Protestat përhapen në qytete, gjimnazistët dalin në rrugë edhe në Fushë-Arrëz, Kamëz e Rrëshen

0

Protestat po përhapen në disa qytete të Shqipërisë, ku të rinjtë dhe gjimnazistët po i bashkohen lëvizjes.

Grumbullime janë raportuar në Fushë-Arrëz, Kurbin, Kamëz, Rrëshen dhe Elbasan.

Në Kamëz, gjimnazistët kanë dalë në protestë, ndërsa në Rrëshen lëvizjes i janë bashkuar edhe nxënësit e shkollës profesionale.

Në Elbasan ka nisur grumbullimi i pjesëmarrësve, ndërsa protesta raportohen edhe në Fushë-Arrëz dhe Kurbin.

Ndërkohë, ditën e djeshme, protesta në Tiranë u shoqërua me dhunë dhe përplasje mes protestuesve dhe Policisë, ku mbetën të plagosur persona nga të dyja palët, ndërsa disa studentë u arrestuan. 

Tensione te Zogu i Zi, protestuesit u vënë flakën koshave të mbeturinave

0

Tensione po shënohen në zonën e Zogut të Zi, aty ku janë grumbulluar një pjesë e protestuesve.

Ata kanë nisur t’u vënë zjarrin koshave të mbeturinave, duke krijuar kaos dhe tensione.

Ndërkohë, është bllokuar edhe rruga në këtë zonë, duke paralizuar qarkullimin e automjeteve.

Sot dita e katërt e protestës në kryeqytet, protestuesit grumbullohen në Sheshin Skënderbej

0

Protesta në kryeqytet shënon sot ditën e katërt, ndërsa qytetarët kanë nisur të grumbullohen në Sheshin Skënderbej për t’iu bashkuar tubimit.

Ndërkohë, studentët e Fakultetit të Mjekësisë kanë nisur marshimin drejt protestës.

Gjatë rrugës, pranë zonës së Medresesë, ata janë përballur me një kordon policor, i cili ka tentuar t’u pengojë vijimin e marshimit.

Pavarësisht pengesës, studentët kanë arritur të çajnë kordonin policor dhe të vijojnë marshimin drejt protestës.

Mbështetje për studentët kanë shprehur edhe qytetarët që lëviznin me automjete në zonë, duke u rënë borive në shenjë solidariteti.

Gjykata lë në burg një protestues! Arrest shtëpie për 6 të tjerë, 12 nën detyrim paraqitjeje

0

Arrest shtëpie për një prej 19 protestuesve të arrestuar në ditën e parë të protestës (13 tetor), vendosi gjykata ditën e sotme. 6 janë lënë nën arrest shtëpie dhe 12 në detyrim paraqitjeje.

Seanca, me gjyqtare është Amarilda Sulaj, nisi në orën 08:30 dhe u zhvillua në grupe.

Një pjesë e mirë prej protestuesve ishin të maskuar kur ndodhën sulmet. Më i riu që u arrestua është 23 vjeç, ndërsa të tjerët janë nga 27 deri në 59 vjeç. Mes tyre ka edhe persona të moshave 48, 52, 55 dhe 57 vjeç.

Ndaj të arrestuarve rëndojnë 8 vepra penale, “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”, “Shkatërrimi i pronës”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Nën hetim përfunduan edhe 49 persona, si dhe u lënduan 6 policë.

MASAT

Klevi Metaj arrest shtepie
Olsi Vogli Detyrim paraqitje
Xheison Petoku arrest shtëpi
Erand Zenollari arrest shtepi
Hamza Bushi detyrim paraqitje
Korado Aliaj arrest ne shtepi
Kalosh Hysbajrami arrest shtepie
Brixhet Bali detyrim per paraqitje

Protesta në Korçë, arrestohen 2 persona dhe procedohen 23 të tjerë, 15 prej tyre të mitur

0

Dy persona janë arrestuar në flagrancë dhe 23 të tjerë janë proceduar penalisht pas akteve të dhunës të regjistruara gjatë tubimit të zhvilluar më 15 tetor në qytetin e Korçës.

Sipas Policisë, gjatë tubimit, disa prej pjesëmarrësve, mes tyre edhe persona të maskuar, kanë hedhur gurë, pllaka guri dhe sende të forta metalike në drejtim të institucioneve shtetërore dhe punonjësve të Policisë.

Si pasojë e incidenteve, janë dëmtuar godinat e Bashkisë Korçë, Drejtorisë Arsimore, Universitetit “Fan S. Noli” dhe gjimnazit “Raqi Qirinxhi”. Dëmtime janë shkaktuar edhe në kangjellat e trotuareve, tabelat e reklamave dhe sinjalistikën rrugore.

Në vijim të veprimeve hetimore, në drejtimin e Prokurorisë së Korçës, janë arrestuar shtetasit F. L., 21 vjeç, banues në Voskop, dhe O. K., 19 vjeç, banues në Bilisht. Ndërkohë, 23 persona të tjerë janë vënë nën procedim penal, 15 prej të cilëve të mitur.

Elbasani revoltohet për të dytën ditë, gjimnazistët dhe studentët bojkotojnë mësimin dhe dalin në protestë

0

Gjimnazistët dhe studentët në Elbasan kanë dalë sërish në protestë këtë të premte, për të dytën ditë radhazi. Të rinjtë janë mbledhur në qendër të qytetit, ku kanë vijuar me thirrje dhe mesazhe lidhur me kërkesat e tyre, në një kohë kur protestat studentore dhe qytetare po zhvillohen edhe në Tiranë dhe qytete të tjera.

Gjatë protestës, disa prej protestuesve u kanë vënë flakën kazanëve të mbeturinave, duke krijuar një situatë të tensionuar në rrugët e qytetit.

Tubimi në Elbasan vjen pas protestës së një dite më parë, ndërsa lëvizja e të rinjve po shtrihet gradualisht edhe jashtë kryeqytetit. Gjatë ditës pritet që protesta të vijojë në qendër të qytetit, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do t’i bashkohen edhe studentë e gjimnazistë të tjerë.

SPAK merr nën hetim ish-ministren Olta Xhaçka

0

Ish-ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, është marrë zyrtarisht nën hetim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), në kuadër të hetimeve ku është përfshirë edhe bashkëshorti i saj, biznesmeni Artan Gaçi.

Sipas gazetares Klodiana Lala, SPAK i ka komunikuar Xhaçkës se është person nën hetim për “akuzat e korrupsionit” dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale”.

Kujtojmë se Xhaçka u paraqit në ambientet e SPAK të mërkurën, vetëm pak minuta pasi ambientet e godinës së xhamtë i kishte lënë bashkëshorti i saj, ish-deputeti socialist Artan Gaçi, i cili po ashtu është nën hetim për të njëjtat akuza.

Nga hetimet e deritanishme janë gjetur të dhëna që e implikojnë ish-ministren e Jashtme në afera korruptive dhe transaksione përmes kompanive të të shoqit. Artan Gaçi, ish-ligjvënës i mazhorancës, ka statusin e investitorit strategjik dhe po ndërton një resort turistik mbi një pronë që rezulton se është përfituar përmes falsifikimit.

Resorti në Himarë dhe dyshimet për tjetërsimin e tokës

Çështja që ka vënë prej vitesh në qendër të vëmendjes çiftin Gaçi-Xhaçka lidhet me një sipërfaqe toke në Gjilekë të Himarës, ku ishte planifikuar ndërtimi i resortit turistik “Dreamades Luxury Suites”.

Në vitin 2021, kompania “AG.TCC”, në pronësi të Artan Gaçit, përfitoi statusin e investitorit strategjik për projektin, me vlerë të deklaruar rreth 5.5 milionë euro. Projekti parashikonte ndërtimin e një strukture turistike luksoze, ndërsa kompania përfitoi edhe të drejtën e përdorimit të një zone bregdetare për 30 vjet.

Por përfitimi i këtij statusi u vu në pikëpyetje pas denoncimeve për mënyrën se si ishte përfituar toka ku do të ndërtohej resorti.

Kallëzimi penal i bërë nga Fredi Beleri në SPAK përfshinte Artan Gaçin, Olta Xhaçkën dhe ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro. Në qendër të denoncimit ishte një sipërfaqe prej 5.512 metrash katrorë në Gjilekë, për të cilën pretendohej se ishte regjistruar në pronësi private përmes dokumenteve të falsifikuara.

Sipas pretendimeve të paraqitura në kallëzim, dokumentacioni i pronësisë kishte parregullsi dhe toka ishte kaluar nga pronë shtetërore në favor të subjekteve private, përpara se të blihej nga kompania e lidhur me Gaçin dhe të përdorej për projektin turistik.

Në tetor të vitit 2023, SPAK sekuestroi truallin prej 5.512 metrash katrorë në kuadër të hetimeve për dyshime mbi falsifikimin e aktit të marrjes së tokës në pronësi. Në vijim, u sekuestrua edhe një sipërfaqe tjetër prej rreth 5.080 metrash katrorë, e lidhur me projektin.

Hetimet për këtë çështje çuan në arrestimin e Jorgo Goros në mars të vitit 2024, nën dyshimet për shpërdorim detyre, në lidhje me kalimin e pronave shtetërore në favor të subjekteve private. Sipas hetimeve të raportuara nga mediat, dyshohej se zyrtarë të bashkisë dhe të institucioneve të tjera kishin ndërmarrë veprime që mundësuan tjetërsimin e tokës.

Në kallëzimin e asokohe, u përfshi edhe emri i ish-ministres Olta Xhaçka për shkak të lidhjes bashkëshortore me Gaçin dhe dyshimeve për konflikt interesi, në një kohë kur ajo ushtronte funksionin e Ministres së Jashtme.

Në kallëzim pretendohej se Xhaçka nuk kishte deklaruar konfliktin e interesit dhe se, nëpërmjet regjimit martesor, mund të kishte përfituar të drejta pasurore nga investimi i bashkëshortit. Këto pretendime u lidhën me statusin e investitorit strategjik dhe përfitimet që shoqëronin projektin.

Në prill të vitit 2025, Gjykata e Posaçme urdhëroi SPAK të regjistronte kallëzimin penal ndaj Xhaçkës dhe Gaçit lidhur me këtë çështje. Kallëzimi përfshinte dyshime për shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Hetimi i ri ndaj Artan Gaçit për pastrim parash

Ndërkohë, paraqitja e fundit e Artan Gaçit në SPAK lidhet me një hetim të ri, të ndryshëm nga çështja e pronave në Himarë.

Gaçi është nën hetim për dyshime për pastrim parash, pas të dhënave që dyshohet se janë zbuluar gjatë këqyrjes së telefonit të një shtetaseje që ka bashkëpunuar me drejtësinë në një çështje tjetër.

Nga këto materiale, dyshohet se janë zbuluar komunikime që lidhen me transferta monetare drejt disa shteteve. Hetuesit po verifikojnë rrethanat e këtyre lëvizjeve financiare dhe lidhjet e mundshme me persona të tjerë.

Gaçi u paraqit në SPAK më 8 tetor, i shoqëruar nga avokati i tij, ndërsa më 14 tetor u paraqit edhe Xhaçka. Pas paraqitjes në SPAK, ish-ministrja ashtu si bashkëshorti i saj janë marrë zyrtarisht nën hetim për korrupsion dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Efektivi i “Shqiponjave”, Kristi Koceku, puth flamurin shqiptar, momenti nga protesta

0

Një moment që ka tërhequr vëmendjen gjatë protestës së grupimit “Autochthonous” është ai kur efektivi i forcave “Shqiponja”, Kristi Koceku, puth flamurin shqiptar.

Pamjet e këtij momenti vijnë në një kohë kur protesta është zhvendosur drejt selisë së Partisë Socialiste në Shkodër, ku protestuesit kanë vijuar tubimin e tyre.

Lëvizja e protestës drejt selisë së PS-së ka sjellë një tjetër zhvillim në këtë tubim, ndërsa vëmendja është përqendruar edhe te momentet e regjistruara mes efektivëve të policisë dhe protestuesve.

Momenti kur Kristi Koceku puth flamurin shqiptar është një prej pamjeve që spikat nga protesta, duke u kthyer në një nga episodet më të komentuara të këtij zhvillimi.

Protesta vijon të jetë në fokus të vëmendjes në Shkodër, ndërsa priten më shumë detaje mbi zhvillimet e mëtejshme.