Ballina Blog Faqe 13

SPAK sekuestron celularin e Ermal Gjinajt, bashkëshortit të Ogerta Manastirliut

0

SPAK ka sekuestruar paraditen e sotme celularin e Ermal Gjinajt, bashkëshortit të ish-ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu.

Agjentët e BKH-së kanë zbatuar një vendim të prokurores së posaçme, Dorina Bejko.

Vetë ish-ministrja e Arsimit Manastirliu është paraqitur përpara dy viteve në SPAK, si person që ka dijeni për Koncesionin e Sterilizimit.

Protestuesit hedhin gurë drejt Ministrisë së Mjedisit, thyejnë dhe xhamat e Teatrit të Kukullave

0

Protesta e zhvilluar në kryeqytet është shoqëruar me incidente edhe pranë Ministrisë së Mjedisit dhe Teatrit të Kukullave, ku janë shkaktuar dëme materiale në godinat e institucioneve. Protestuesit kanë hedhur gurë në drejtim të objektit, duke thyer xhamat dhe dëmtuar derën e godinës.

Situata vjen në një kohë kur protestat e studentëve dhe gjimnazistëve në Tiranë janë përshkallëzuar, ndërsa gjatë tubimeve janë regjistruar incidente dhe dëmtime në institucione publike. Tensionet në kryeqytet vijojnë, teksa protestuesit kanë lëvizur në disa zona të qytetit dhe përplasjet kanë shoqëruar zhvillimet e ditës.

A do të japë dorëheqjen pas protestave? Kryeministri Rama përgjigjet për “Reuters”

0

Kryeministri shqiptar Edi Rama i tha agjencisë së lajmeve “Reuters” të enjten se nuk do të japë dorëheqjen për shkak të protestave të dhunshme, të cilat kanë hyrë në ditën e tretë radhazi.

 “Sa u përket thirrjeve për dorëheqjen time, qeveritë ndryshohen përmes zgjedhjeve demokratike. Ne zhvilluam zgjedhje vitin e kaluar, jo një revolucion”, u shpreh Rama në një përgjigje me shkrim për “Reuters”.

“Përgjegjësia ime është të dëgjoj, t’u përgjigjem shqetësimeve legjitime dhe ta çoj Shqipërinë përpara. E kundërta do të ishte një tradhti ndaj shqiptarëve që më dhanë një mandat të fortë për të përfunduar negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Europian”, shprehet kreu i qeverisë. 

Rama tha se Shqipëria po e lufton korrupsionin si kurrë më parë dhe aludoi se ndoshta forca brenda dhe jashtë vendin nuk duan suksesin në procesin e anëtarësimit. 

“Korrupsioni duhet të luftohet dhe, siç ka rikonfirmuar së fundmi edhe vetë BE-ja, Shqipëria po e lufton atë si kurrë më parë. Ndoshta disa forca, brenda dhe jashtë vendit, nuk duan që Shqipëria të ketë sukses si pararendëse në procesin e anëtarësimit në BE. Por unë nuk do të lejoj që dhuna të devijojë të ardhmen europiane të Shqipërisë.”

Policia përdori ujë me presion dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, të cilët thyen xhama dhe dëmtuan institucione publike dhe prona private në kryeqytet. Protesta e dhunshme e zhvilluar dje, dhe paralajmërimet për të rrethuar Kuvendin sot, bënë që të anulohej seanca plenare.

Ndërkaq situata vijon të jetë e tensionuar në disa rrugë të kryeqytetit dhe në disa qytete të vendit. 

Të rinjtë sulmojnë selinë e Partisë Socialiste, ndërhynë policia me gaz lotsjellës

0

Tensionet gjatë protestës në kryeqytet janë shtrirë edhe te selia e Partisë Socialiste, e cila raportohet se është sulmuar nga protestuesit.

Ngjarja vjen në një moment kur protesta është shoqëruar me përplasje dhe akte dhune në disa zona të Tiranës.

Pas tensioneve të krijuara pranë godinës, ka ndërhyrë policia, e cila ka përdorur gaz lotsjellës në përpjekje për të shpërndarë turmën.

Tensione në qendër të Tiranës, në flakë koshat e plehrave dhe frigoriferët e kioskave

0

Situata në qendër të kryeqytetit është tensionuar, ku koshat e plehrave dhe frigoriferët e kioskave janë përfshirë nga flakët dhe janë vendosur në mes të rrugës.

Protestuesit kanë sulmuar një kioskë pas Muzeut Kombëtar në Tiranë. Ata kanë marrë frigoriferët dhe iu kanë vënë flakën në mes të rrugës.

Të tjera bizneseve u kanë thyer xhamat. 

Këto incidente vijnë në një moment kur protesta studentore është shoqëruar me përplasje dhe akte dëmtimi në disa zona të Tiranës.

Vendosja e sendeve në rrugë ka krijuar pengesa për qarkullimin, ndërsa situata në terren vijon të jetë e tensionuar.

Protesta zgjerohet në rrethe/ Gjimnazistë dhe studentë marshojnë në rrugë! Thyejnë xhama dhe djegin kosha

0

Protestat e studentëve dhe gjimnazistëve janë shtrirë edhe jashtë Tiranës.

Të rinj kanë dalë në rrugë në Korçë, Elbasan, Vlorë dhe Durrës, duke braktisur mësimin dhe i janë bashkuar lëvizjes që prej ditësh ka përfshirë kryeqytetin.

Tubimet në disa prej qyteteve janë shoqëruar me tensione. Sipas raportimeve, protestuesit kanë thyer xhama dhe kanë djegur kosha mbeturinash.

Përhapja e protestave në disa qytete vjen në një kohë kur studentët dhe gjimnazistët kanë bojkotuar mësimin dhe po vijojnë të shprehin pakënaqësitë e tyre në rrugë.

Situatë e tensionuar në Shkodër, studentët qëllojnë me gurë dhe thyejnë xhamat e Bashkisë

0

Situata është tensionuar nga protesta në Shkodër, ku studentët po hedhin gurë në drejtim të Bashkisë.

Studentët e revoltuar kanë shkruar me bojë në muret e Bashkisë, ndërsa po thyejnë xhamat dhe po hedhin kapsolla drejt godinës.

Nga kjo situatë raportohet se një vajzë është plagosur nga gurët.

Mësohet se policia ka nisur shoqërimin e protestuesve. Protestuesit kanë kundërshtuar shoqërimin dhe kanë tentuar të largohen nga duart e efektivë.

Protestues të tjerë kanë ndërhyrë duke u bërë thirrje protestuesve që që t’i lirojnë ata.

“Marre”, dëgjohen duke thënë një zëri ata.

Policia e Shtetit apel nxënësve dhe prindërve: Qëndroni larg dhunës

0

Policia e Shtetit u ka bërë thirrje nxënësve dhe prindërve të ruajnë qetësinë dhe të shmangin përfshirjen në akte dhune, në një kohë kur protestat e të rinjve vijojnë të shoqërohen me tensione.

Përmes një mesazhi publik, policia u kërkon nxënësve të mos përfshihen në veprime që mund të rrezikojnë jetën, shëndetin dhe të ardhmen e tyre, si dhe të largohen menjëherë nga vendet ku ushtrohet dhunë.

Një apel i veçantë u drejtohet edhe prindërve, të cilëve u kërkohet të kujdesen për fëmijët dhe t’i këshillojnë ata të qëndrojnë larg situatave të rrezikshme.

Policia thekson se efektivët janë në terren për të garantuar rendin, qetësinë dhe sigurinë publike, si dhe për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

“Siguria e tyre është përgjegjësi e përbashkët”, thuhet në apelin drejtuar prindërve, ndërsa Policia e Shtetit u kërkon qytetarëve bashkëpunim për të shmangur përshkallëzimin e situatës.

Protesta e studentëve, reagon për herë të parë kryeministri Rama: Orë të vështira…

0

Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur ambientet e Kolegjit të Europës, pranë Piramidës në Tiranë, për të reaguar pas dhunës së regjistruar gjatë ditës së djeshme. Ai e cilësoi godinën e dëmtuar si simbol të asaj që, sipas tij, po ndodh në vend, duke pretenduar se aktet e dhunës nuk përfaqësojnë studentët, por opozitën.

Rama deklaroi se qeveria është e gatshme të ulet në bisedime me studentët për të diskutuar dhe gjetur zgjidhje, ndërsa paralajmëroi përgjegjësi ligjore për personat e përfshirë në akte të dhunshme.

“Deri dje kjo ishte zyra e Kolegjit të Europës, shkollës së Europës së Bashkuar, që e çelëm në Shqipëri së bashku me udhëheqësit europianë të pranishëm në Tiranë. Sot kjo është rrënoja e duarve që nuk janë dhe nuk mund të jenë kurrë duart e studentëve. Studentët janë e ardhmja, ata që shohin larg dhe që duan të shkojnë më larg dhe më shpejt. Janë gjithnjë të mirëpritur dhe ne jemi gati të ulemi, të flasim, të diskutojmë dhe të gjejmë zgjidhje”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë akuzoi opozitën se po përpiqet ta largojë Shqipërinë nga rruga europiane, ndërsa theksoi se përgjegjësit për dëmet do të përballen me ligjin.

“Kushdo që mendon se ligji është larg, gabon. Përgjegjësia përpara ligjit është e gjithsecilit. Kushdo që ka dorë do të paguajë, sepse Shqipëria nuk do të kthehet më kurrë pas”, deklaroi kryeministri.

Tirana në kaos total/ Bankat e shkollave bosh, nxënësit dhe studentët bojkot, marshim e shkatërrim

0

Protesta e studentëve hyn sot në ditën e saj të tretë. Ishte parashikuar që protestuesit të mblidheshin në orën 10:00 para Kuvendit, në të njëjtën kohë me nisjen e seancës plenare, por seanca e Kuvendit u anulua.

Studentët dhe gjimnazistët e Tiranës kanë bojkotuar mësimin, një pjesë e tyre janë duke marshuar në rrugën e Elbasanit duke iu drejtuar gjimnazit “Asim Vokshi” dhe Fakultetit të Histori Filologjikut. Gjatë rrugës shumë student u vendosin flakën koshave të mbeturianave dhe hedhin lëndë piroteknike. E njëjta gjë po ndodh edhe në zonën e “9 katsheve” dhe “Pazari i Ri”.

Gjimnazistët në Kamëz këtë të enjte kanë bojkotuar orët e mësimit, duke iu bashkuar protestës studentore.

I boshatisur është paraqitur këtë mëngjes edhe gjimnazi “Raqi Qirinxhi” në Korçë, ku gjimnazistët kanë bojkotuar mësimin. Studentë dhe nxënës të gjimnazeve në Korçë kanë paralajmëruar edhe një protestë e cila pritet të mbahet në qendër të qytetit.

Studentët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Shkodër bojkotuan mësimin dhe dolën në protestë. Ata marshuan nga fakulteti drejt Bashkisë Shkodër dhe më pas u ndalën përpara godinës së Rektoratit të Universitetit “Luigj Gurakuqi”. Gjatë grumbullimit te Rektorati u shënua një incident, ku studentë qëlluan me vezë derën e godinës.