Ballina Blog Faqe 82

Protesta e opozitës, Berisha: Degët të bëjnë rikonjicionin e selive të PS

0

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u shpreh sot, 21 shkurt, gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët se protesta e 20 shkurtit ishte një ditë triumfi.

“Dje ishte ditë triumfi për kryengritësit paqësorë të pamposhtur, të cilët u përballën dhëmb për dhëmb 3 orë me narkoshtetin në një betejë epike kundër qeverisë së paligjshme të Tiranës, kundër Edi Ramës, Lubi Ballukut, farsës së tyre elektorale, vjedhjeve të tyre të papërmbajtura”, tha Berisha.

Ai deklaroi se në protestën e opozitës u përdorën të gjitha mjetet e dhunës. Ai theksoi se edhe adoleshentët dhe të miturit u përpoqën

“Dënoj me forcën më të madhe dhunën dhe terrorin policor. Dënoj gjuajtjen me seleksion të qytetarëve, pas koke njërit prej tyre, në gjoks nënkryetarit të PD dhe deputetit Luçiano Boçi dhe të tjerëve me plumba gome etj”, tha ai.

Berisha dënoi edhe, sipas tij, sulmin ndaj selisë së Partisë Demokratike.  

“Por në përshkallëzimin e tyre të djeshëm në një akt urrejtje të papërmbajtur janë hedhur në oborrin e selisë së PD sasi të mëdha gazi lotsjellës dhe bomba tymuese. Ky përbën një agresion të hapur ndaj selisë së PD dhe pluralizmit. Me këtë rast u kërkoj të gjitha degëve të bëjnë rikonjicionin e plotë të selive të PS në çdo rreth. Dhe garantoj Edi Ramën se sulmet ndaj selisë së PD do të sjellin sulme asgjësuese për selitë e partisë së krimit në të gjithë territorin e vendit. Ndaj dhe hiq dorë nga aventura dhe provokimi i ulët. Ne betejën e kemi me Edi Ramën si kryeministër i krimit, si kryetar i organizatës kriminale. Por në qoftë se ju sulmoni selinë e PD, PD do u përpiqet ju ashtu siç e meritoni. Hiq dorë nga sulmi i selisë për të mbrojtur krimet e tua, vjedhjet e tua. PD është në një kryengritje paqësore”, tha Berisha.

Sa i përket të shoqëruarve, Berisha tha se mes tyre ka njerëz që nuk kanë marrë pjesë kurrë në protesta. Ai dënoi edhe sjelljen e një pjese të policisë.

“Janë sjellë me rrugaçëri në mënyrë antiligjore, janë sjellë si patronazhistë dhe kriminelë të vërtetë”, tha Berisha.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Protesta kombëtare, policia: Janë arrestuar 18 persona dhe proceduar 28 të tjerë, mes tyre një deputet

0

Policia e Tiranës ka bërë të ditur masat e marra pas protestës së zhvilluar një ditë më parë nga Partia Demokratike në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë dhe Parlamentit.

Në njoftimin zyrtar bëhet me dije se 18 persona janë arrestuar mes tyre edhe tre të mitur, ndërsa 28 të tjerë janë proceduar penalisht.

Në pranga kanë rënë shtetasit Alvaro Karrata, 19 vjeç, Dionis Gremi, 32 vjeç, Abdulla Isha, 42 vjeç, Vilson Isha, 22 vjeç, Egli Xhaferi, 18 vjeç, Krenar Nela, 23 vjeç, Riza Isenlikaj, 20 vjeç, Edvin Cato, 46 vjeç, Robert Patuçi, 26 vjeç, Marsel Kuçi, 31 vjeç, Agim Deda, 31 vjeç, Kujtim Kothi, 45 vjeç, Fatmir Dodaj, 23 vjeç Bledar Bivja, 23 vjeç, Ardian Deda, 53 vjeç dhe 3 shtetas të mitur.

Ndërkohë në gjendje të lirë janë proceduar 28 të tjerë, mes të cilëve edhe deputeti demokrat Klevis Balliu, i akuzuar për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.

Policia bën me dije se nga protesta e djeshme janë sekuestruar 25 molotovë të pashpërthyer, 27 celularë dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Njoftimi i policisë:

Hodhën lëndë piroteknike, molotovë, dhe sende të forta si dhe kundërshtuan punonjësit e Policisë, gjatë tubimit të zhvilluar dje, identifikohen 46 shtetas. Arrestohen 18 prej tyre, procedohen penalisht 28 të tjerët.

Sekuestrohen 25 molotovë të pashpërthyer, 27 celularë dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Strukturat e Policisë Tiranë në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera në lidhje me veprimet e kundraligjshme të kryera nga një grup protestuesish gjatë tubimit të zhvilluar mbrëmjen e djeshme nga subjekti politik Partia Demokratike, të cilët kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë së Shtetit që kishin marrë masa për ruajten e institucioneve shtetërore, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike dhe për lëvizjen e lirë të qytetarëve përrreth territorit ku po kryehej tubimi, si dhe kanë hedhur drejt punonjësve të policisë dhe institucioneve lëndë djegëse (molotovë) dhe sende të forta drejt tyre, arrestuan në flagrancë shtetasit:

K., 19 vjeç, D. G., 32 vjeç, A. I., 42 vjeç, V. I., 22 vjeç, E. Xh., 18 vjeç, K. N., 23 vjeç, R. I., 20 vjeç, E. C., 46 vjeç, R. P., 26 vjeç, M. K., 31 vjeç, A. D., 31 vjeç, K. K., 45 vjeç, F. D., 23 vjeç B. B., 23 vjeç, A. D., 53 vjeç dhe 3 shtetas të mitur;
Si dhe proceduan penalisht 27 shtetas të tjerë.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. B, deputet, për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Lirohet nga burgu ish-deputeti i PS-së, Jurgis Çyrbja

0

Ish‑deputeti socialist Jurgis Çyrbja është liruar nga burgu, pasi ka përfunduar vuajtjen e dënimit pas vendimit të Gjykatës së Posaçme. Çyrbja u deklarua fajtor dhe dënua me 3 vite burgim për korrupsion në zgjedhje, përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrjes së sekretit shtetëror. Në aplikim të gjykimit të shkurtuar ai duhet të vuante 2 vjet burg.

Megjithëse kërkesa e ish‑deputetit për lirimin e menjëhershëm ishte rrëzuar nga Apeli i Gjykatës së Posaçme ditën e premte, gjykata konstatoi se shumica e dënimit ishte shlyer gjatë kohës së qëndrimit në paraburgim, duke i mundësuar Çyrbjas daljen nga burgu këtë të shtunë. Gjithashtu pjesën më të madhe të kohës ish-deputeti e kaloi në paraburgim.

Për çfarë u arrestua Çyrbja?

Ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja është arrestuar më datë 28 tetor të vitit të kaluar. Ndaj ish-deputetit janë 3 akuza, konkretisht: “Tregimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”, kryer më tepër se një herë, “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer më tepër se një herë si dhe për korrupsion aktiv në zgjedhje. 

Çyrbja akuzohet se informonte Altin Hajrin dhe persona të tjerë që kërkohen nga autoritetet shqiptare, në rast se do kishte operacione policore për kapjen e tyre në qytetin e Durrësit. Në kompensim të ketij favori, Çybrja kërkonte vota për kandidimin e tij në qarkun e Durrësit në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021. Për të njejtën çështje, me urdhër të SPAK u arrestua edhe Ahmet Masha, ndërsa është shpallur në kërkim Altin Hajri, i cili po gjykohet në GJKKO për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Vrasja e 31-vjeçarit ditën e djeshme në Tiranë/ Zbardhet dëshmia në polici e bashkëshortes së autorit: Egli më ngacmonte!

0

Ngacmimi i gruas së autorit Gazmend Buçpapa, nga Egli Pashollari dyshohet se është bërë shkak për vrasjen me thikë të 31-vjeçarit pasditen e të premtes në Tiranë.

Sipas burimeve të policisë, bashkëshortja e autorit, e cila punon shitëse në një market në afërsi të vendit ku ndodhi krimi, i ka treguar burrit për ngacmimet e Pashollarit.

Gazmend Buçpapa, bashkë me gruan dhe një tjetër person rreth orës 15:40 u konfliktuan me 31-vjeçarin, ku dhe e goditën me thikë për vdekje.

Pas ngjarjes ata janë larguar me makinën e autorit dhe pasi e kanë braktisur kanë marrë taksi për në banesën e tyre në zonën e Sharrës. Pasi kanë shkuar në shtëpi, autori është arratisur, dhe tashmë ndodhet në kërkim nga policia.

Gruaja e tij është marrë në pyetje dhe ka thënë se viktima e ngacmonte shpeshherë dhe nuk e linte rehat.

Në pyetje janë marrë edhe prindërit e autorit, të cilët kanë dhënë të njëjtin version si gruaja.

Si ndodhi ngjarja

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:40, në rrugën “Kongresi i Lushnjes” në Tiranë, pranë Komisaratit nr.2 të Policisë.

Sapo ka dalë nga makina, 31-vjeçari është sulmuar nga tre personat. Gjatë përleshjes fizike, Gazmend Buçpapa dyshohet se e ka goditur të paktën një herë me thikë në kurriz.

Pashollarit i është dhënë ndihma e parë pranë një lokali në zonë dhe më pas është nisur me makinën e tij drejt spitalit nga disa persona të tjerë, dëshmitarë në vendngjarje. Megjithatë, ai nuk ka mundur të mbijetojë dhe ka humbur jetën gjatë rrugës për në spital.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Protesta kombëtare e opozitës/ Civilë të maskuar kundër protestuesve, bombula me gaz në selinë e PD

0

Policia i është kundërpërgjigjur me një agresivitet të shtuar protestuesve që Partia Demokratike thirri këtë 20 shkurt në bulevard, në një datë që përkon me rënien e bustit të diktatorit Enver Hoxha 25 vite më parë. Mesazhet për protestuesit u mbyllën shpejt dhe kishin në qendër akuzat për korrupsion, skandalet që kanë përfshirë qeverinë me kryefjalë dyshen Rama-Balluku. I fundit, si zakonisht ishte fjalimi i kreut të PD-se Sali Berishës, që e quajti Ramën pjesë të bandave kriminale duke paralajmëruar ndëshkimin e tij.

“Aldo Baret sot janë Edi Rama, Lubi Balluku, ministrat e tij, kurse kartelet e drogës, Elvis Doçi, Suel Çela janë thjesht ushtarët e tyre. Ta dinë mirë se edhe prapa diellit po të shkojnë, ne do t’i gjejmë ata, ne do t’i ndëshkojmë ata me forcën e ligjit” u shpreh Berisha.

Menjëherë pas fjalimit të Berishës, protestuesit kanë nisur të hedhin breshëri fishekzjarresh dhe molotovë që ndezën në flakë shkallët e kryeministrisë. Ky moment është tashmë një “deja vu” nga protestat e shkuara dhe në disa raste ia ka dalë të krijojë një skenografi që tërheq vëmëndjen e mediave ndërkombëtare.

Vetëm se para se organizatorët e protestës të rikrijonin këtë moment panoramik, policia ndërhyr me shpejtësi. U duk sikur Berisha nuk e kishte mbaruar fjalën, kur nga ana e kryeministrisë ka shpërthyer uji me presion që  fiku me shpejtësi flakët e molotovëve. Brenda pak sekondash sapo kishin nisur shpërthimet e para të fishekzjarrëve, protestuesit u shpërndanë me ujë me presion.

U duk se policia kishte marrë urdhër që kësaj here t’i përgjigjej protestuesve dhëmb për dhëmb.

Sapo ujëhedhëset nisën të lëvizin përballë kryeministrisë, siç ka ndodhur në tubimet e tjera kombëtare, mbështetësit e opozitës u drejtuan për tek godina e parlamentit. Veçse aty i priste një grup tjetër i forcave të rendit, të armatosur me bombula me gaz.

Sapo një pjesë e protestuesve hodhën flakadanët e parë në drejtim të forcave të policisë përgjigjia ka qenë e shpejtë. Rruga përballë parlamentit është mbushur me një re tymi të dendur dhe shpërthime të vogla të bombolave me gaz shoqëruar me ujë me presion për të shpërndarë turmën.

Brenda pak minutave, zona përballë parlamentit u mbulua nga tymi, ndërsa protestuesit u shpërndanë në disa drejtime. Sjellja e policisë këtu u bë akoma më agresive.

Sasi të mëdha gazi lotsjellës u hodhën jo vetëm në anën ku ishin protestuesit, por edhe në oborrin e xhamisë ku ishin duke falur namazin një numër i konsiderueshëm besimtarësh myslimanë.

Paralelisht, ndërsa opozitarët po qëndronin në rrugë, ndërsa disa prej tyre po tërhiqeshin drejt selisë së PD, dhjetëra vetë u gjendën nën sulmin e grupeve të policëve civilë dhe u shoqëruan në komisariate për verifikim. Grupet e personave civilë që lëviznin në rrugicat përreth protestës ishin po aq të shumtë, me qëllim kapjen e çdo personi të dyshuar si protestues.

Filmimi më poshtë është publikuar nga numri dy i PD, Flamur Noka dhe tregon civilë të maskuar, me veshje sportive që marrin protestues dhe i shoqërojnë dhunshëm për në makinat e policisë. “Ninxhat si puna e këtij dhe civilët që i dërgon krimi i organizuar për të ndaluar qytetarët të protestojnë, duke i zvarritur drejt komisariateve të policisë”, shkruan Noka në rrjetet sociale.

Ndryshe nga herët e tjera, forcat e rendit përndoqën deri në selinë e Partisë Demokratike protestuesit edhe pse këto ishin duke u larguar për shkak të gazit lotsjellës.

Në videon më poshtë duket një prej protestuesve që është qëlluar në kokë me bombulën e gazit, ndërsa po qëndronte në rrugën përballë selisë blu.

Tensionet u shtuan akoma më shumë pas vendosjes së një grupi policësh përballë selisë së Partisë Demokratike. Ndërkohë që protesta kishte mbaruar, këto shoqëronin çdokënd që dilte në rrugë. U desh ndërhyrja e deputetëve të Partisë Demokratike për të larguar forcat e rendit, që duket se kishin rrethuar selinë e partisë më të madhe në opozitë.

Në orët e vona të mbrëmjes u raportua për disa dhjetëra persona të shoqëruar me forcë në komisariate, ndërkohë që deputetët e PD ishin shpërndarë në komisariate.

Më shumë se për mesazhet politike, kjo protestë e datës 20 shkurt do të mbahet mend për mënyrën se si shteti zgjodhi të përgjigjej me sasi të mëdha gazi lotsjellës, me ujëhedhëse që u aktivizuan brenda sekondash dhe me shoqërime masive nga policë të veshur civilë dhe të maskuar. Perceptimi është ai i një reagimi më shumë represiv se herët e tjera, që pati qëllim jo thjesht ndëshkimin, por imponimin e frikës tek ata që do të tentojnë të protestojnë sërish kundër qeverisë./Lapsi.al

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

El Pais: Shqipëria, laboratori i Evropës ku inteligjenca artificiale lufton (ose fsheh) korrupsionin

0

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, di si të tërheqë vëmendjen ndaj vendit të tij. Ish-basketbollisti i kombëtares (1.98 m i gjatë) prezantoi në shtator të vitit të kaluar Diellën, një ministre virtuale përgjegjëse për prokurimet publike.

Kreu i Partisë Socialiste, në pushtet prej më shumë se 12 vitesh dhe tashmë në mandatin e katërt, fitoi zgjedhjet e vitit 2025 duke premtuar anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në BE deri në vitin 2030. Për të arritur këtë objektiv, lufta kundër korrupsionit mbetet thelbësore, një nga kërkesat kryesore të Brukselit ndaj vendit me 2.3 milionë banorë, i cili nisi zyrtarisht negociatat e anëtarësimit katër vite më parë.

Duke prezantuar nismën, Rama sqaroi: “Nuk po i delegojmë [Diellës] përgjegjësinë për të qeverisur apo për të marrë vendime përfundimtare. Po i japim përgjegjësinë të bëjë atë që bën më mirë: të përpunojë të dhëna me shpejtësi dhe të na japë përgjigje shumë të shpejta […] Tenderët publikë do të jenë 100% pa korrupsion.”

Opozita reagoi duke pyetur: “Kë do të arrestojë policia nëse kjo ministre gabon apo lehtëson një mashtrim? Programuesin?” Diella, emri i së cilës do të thotë “Diell” në shqip, iu përgjigj kritikave përmes ekranit në parlament: “Ndryshe nga njerëzit, unë nuk kam të afërm për të favorizuar, as miq për t’u dhënë kontrata, dhe as emocione që të më turbullojnë gjykimin mbi të dhënat publike. Besnikëria ime është matematikore.”

Rama, 61 vjeç, argumentoi: “Teknologjia nuk ka miq, nuk pranon kafe dhe nuk ka frikë nga hakmarrja.” Ai mbrojti idenë se algoritmi do të kapërcejë “nepotizmin strukturor” të vendit. “Ne jemi një vend kushërinjsh — nuk është e lehtë të kesh ndërveprime plotësisht të drejta dhe transparente në një vend kushërinjsh,” deklaroi ai në një intervistë për The New York Times në janar.

Emërimi i Diellës u pasqyrua gjerësisht nga mediat ndërkombëtare. Megjithatë, shumë shqiptarë shprehën mosbesim. Mes tyre ishte Jorida Tabaku, deputete e Partisë Demokratike dhe kryetare e Komisionit për Çështjet Europiane. “Nëse sistemi që përdor këto mjete nuk ka integritet, inteligjenca artificiale rrezikon të kthehet në një ‘kuti të zezë’ që përqendron pushtetin në vend që të zbulojë abuzimet,” deklaroi ajo.

Vetëm dy muaj pas emërimit të Diellës, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kërkoi pezullimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke e akuzuar për “shkelje të barazisë në tenderë publikë”. Çështja përfundoi në Gjykatën Kushtetuese, e cila më 6 shkurt e shkarkoi nga detyra. Rama kritikoi vendimin dhe refuzoi t’i hapë rrugë heqjes së imunitetit parlamentar të saj.

Skepticizmi ndaj inteligjencës artificiale u thellua kur SPAK vendosi në arrest shtëpie drejtuesit e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), përfshirë drejtoreshën Mirlinda Karçanaj dhe zëvendësen e saj Hava Delibashi, si dhe akuzoi disa persona të tjerë për korrupsion. Akuzat përfshijnë manipulim tenderësh dhe ushtrim presioni ndaj një sipërmarrësi të teknologjisë për t’u tërhequr nga një garë publike.

Më 24 janar, disa parti opozitare thirrën protesta, ku pati edhe incidente përpara zyrës së kryeministrit. Demonstratat vijuan më 10 dhe 11 shkurt me kërkesa për dorëheqjen e Ramës. Ndërkohë, aktorja Anila Bisha, mbi imazhin dhe zërin e së cilës u ndërtua avatar-i Diella, paditi qeverinë për përdorim të paautorizuar të figurës së saj.

Gazment Bardhi, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, e quajti ministren virtuale “propagandë të pastër”, duke theksuar se personat që e krijuan janë nën hetim për korrupsion. “Në një qeveri të korruptuar, asnjë algoritëm nuk e zgjidh problemin,” deklaroi ai.

Ekspertë të pavarur theksojnë se ndikimi i inteligjencës artificiale në luftën kundër korrupsionit mbetet i paqartë. Andi Hoxhaj, profesor i së drejtës në King’s College London, vëren se është ende herët për të vlerësuar efektivitetin e Diellës. Ndërsa Rovena Sulstarova nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim shprehet se IA mund të rrisë transparencën, por nuk përbën zgjidhje më vete.

Shkrimtari dhe intelektuali Fatos Lubonja, i cili kaloi 17 vite burg gjatë diktaturës komuniste, shpreh skepticizëm të thellë ndaj qeverisë. Ai argumenton se pushteti i Ramës mbështetet në katër shtylla: oligarkët, mediat e lidhura me ta, krimin e organizuar dhe mbështetjen ndërkombëtare. Sipas tij, marrëdhënia e Shqipërisë me qendrat e fuqisë ndërkombëtare ka funksionuar historikisht mbi bazën e legjitimitetit të jashtëm dhe tolerimit të problemeve të brendshme.

“Njëra janë oligarkët, të gjithë njerëzit e pasur që e rrethojnë. Njëra është media që ata zotërojnë ose financojnë. E treta është krimi i organizuar. Dhe e katërta është mbështetja ndërkombëtare, veçanërisht nga Evropa Perëndimore dhe SHBA-ja”, shprehet ai.

Në fund të fundit, pastrimi i niveleve të larta do të varet nga vullneti njerëzor. Lubonja përfundon: “Nuk besoj se SPAK-u i vetëm mund ta ndryshojë vendin. Nuk mund ta reformosh vetëm sistemin e drejtësisë kur politika, ekonomia dhe krimi i organizuar po lëvizin të gjitha në drejtim të kundërt. Dhe Rama nuk po vepron me mirëbesim.

Marrë nga: El Pais

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Ambasada e SHBA ndan mesazhin e Rubios: Do t’ia heqim vizën personave që përbëjnë kërcënim për politikën e jashtme

0

Ambasada Amerikane në Tiranë ka shpërndarë në rrjetet sociale një mesazh të Sekretarit të Shtetit Marc Rubio.

Kryediplomati amerikan thotë se SHBA-të do t’i heqë vizën çdo vizitori që përbën kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA-ve, apo politikën e jashtme.

Sekretari Rubio: Nëse unë identifikoj një vizitor në vendin tonë, prania e të cilit përbën kërcënim për politikën tonë të jashtme dhe sigurinë kombëtare, ne do t’ia heqim vizën”, thuhet në mesazhin e Rubios. 

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Sali Berisha: Skenarin e protestës do ta shihni në shesh

0

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar sot një konferencë për mediat ku ka folur lidhur me protestën që do të mbahet pasditen e sotme para Kryeministrisë.

Berisha tha se protesta do të jetë paqësore ashtu siç e kanë deklaruar edhe më herët, ndërsa shtoi se nuk do të ndalen deri në fitore.

“Protesta është paqësore, pavarësisht çfarë thonë ata. Ne kemi në platformë protestën paqësore. Ne jemi opozitë demokratike. Opozita nuk ka banditë si Proda dhe Sokol Bizhga. Nuk ka kriminelë e trafikantë si ata. Opozita do të vazhdojë deri në fitore të plotë. Këta minj që po ikin do të kapen kudo që të jenë. Së pari korrupsioni do të shpallet krim i rëndë”, u shpreh kreu i PD-së.

I pyetur lidhur me skenarin e zhvillimit të protestës, Berisha tha se gjithçka do të shihet në shesh para Kryeministrisë.

“Skenarin do ta ndiqni atje me shumë vëmendje”, u përgjigj ai.

Lidhur me hedhjen e molotovëve dhe lëndëve piroteknike, kryedemokrati u shpreh se ky veprim nuk është kryer nga asnjë eksponent i PD-së.

“Këto nuk i organizon PD, pse shihni inskenimet e Prodës në zyrat e policisë dhe i paraqesin si prova, nuk i pranon kush ato. Asnjë eksponent i PD-së nuk ka hedhur molotov, mund të ketë pasur ndonjë qytetar të zemëruar. Do ta shihni aty se çfarë do të ndodhë”, tha Berisha.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Ish-deputeti Çyrbja kërkesë për të dalë nga burgu, Apeli i GJKKO: Ka edhe disa orë për të shlyer

0

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar këtë të premte ka rrëzuar kërkesën e ish-deputetit socialist, Jurgis Çyrbja për të dalë nga burgu pasi ka përfunduar dënimin. Sipas togave të zeza ai ka edhe disa orë për të shlyer në burg deri rreth mesnatës. Ai pritet të lirohet në ditët në vijim.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Daniela Shirka (kryesuese), Florjan Kalaja (anëtar) dhe Tereza Merkaj (anëtare), sot më datë 20.02.2026, disponoi për çështjen penale nr. 73 akti, datë 18.02.2026 regjistrimi, mbi kërkesën e të pandehurit J.Ç, me objekt:

“Shuarjen e masës së sigurimit “Arrest në burg”, caktuar me vendimin nr. 126, datë 20.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, verifikuar me vendimin nr. 129, datë 22.10.2024 të kësaj gjykate, për shkak të përfundimit të dënimit të dhënë me vendimin nr. 68, datë 03.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, si vijon:

– Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit J.Ç. U shpall në Tiranë, sot më datë 20.02.2026”, thuhet në njoftim.

Ish-deputetit socialist, Jurgis Çyrbja u arrestua më datë 28 tetor të vitit 2024. Çyrbja u shpall fajtor nga Gjykata e Posaçme dhe u dënua me 3 vjet burg. Dënimi i tij zbriti në 2 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Ai akuzohet për veprat penale “Tregimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”, kryer më tepër se një herë, “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer më tepër se një herë si dhe për korrupsion aktiv në zgjedhje. 

Çyrbja sipas akuzave informonte Altin Hajrin dhe persona të tjerë që kërkoheshin nga autoritetet shqiptare, në rast se do kishte operacione policore për kapjen e tyre në Durrës.

Në këmbim, Çybrja kërkonte vota për kandidimin e tij në qarkun e Durrësit në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021. Lidhur me këtë çështje, u arrestua edhe Ahmet Masha.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Çfarë ka konstatuar në takimet me demokratët? Ja si përgjigjet Salianji

0
Ish deputeti Ervin Salianji duke folur per gazetaret ne ambientet e Partise Demokratike pasi gjykata e Fierit vendosi te ndryshoje masen e sigurise ne "liri me kusht". Salianji ka vuajtur 9 muaj e gjysme nga denimi njevjeçar per kallezim te rreme./r/n/r/nFormer MP Ervin Salianji speaking to journalists at the Democratic Party premises after the Fier court decided to change his security measure to "conditional release". Salianji has served 9 and a half months of a one-year sentence for false reporting.

Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji, i ftuar në “Quo Vadis” të moderatores Pranvera Borakaj, ka folur për lëvizjen e nisur prej tij në takime me qytetarë dhe simpatizantë të PD-së.

I pyetur nga gazetarët në studio se çfarë ka konstatuar në takimet me demokratët, Salianji tha se ata janë gënjyer dhe u janë treguar përralla për 13 vite, duke u thënë çdo javë: “Hajdeni në protestë se do të rrëzojmë Ramën”.

Pjesë nga biseda:

Çifligu: Meqenëse zoti Salianji ka disa muaj që ka nisur takimet me anëtarësinë, unë nuk kam kuptuar cili është qëllimi? E ke nisur me disa fjalime parimore, jo të forta, jo goditëse. Qëllimi është të ringremë PD-në. I vetmi moment kur kulmoi ishte përplasja e hapur me Nokën; dje apo pardje fole për zotin Berisha. Çfarë po synon të arrish? Çfarë besimi kërkon të arrish te demokratët, te elektorati gri?

Salianji: Unë dua ta bëj PD-në fituese. Kam nisur duke dëgjuar shqetësimin e mijëra demokratëve, të cilët mendojnë se me këtë rrugë nuk fitojmë dot.

Çifligu: Kush ua kërkoi? Kush jeni ju?

Salianji: Jam anëtar i Kryesisë së PD-së, kam mbajtur kosto dhe jam një prej figurave në PD që kam parë si fitohet. Kam fituar në 2021 në Korçë, kam fituar edhe në Kavajë. Në Korçë ka qenë rezultati më i mirë në vitin 2017. Lista e përfaqësuesve ka humbur rëndë në zgjedhje. Kam parë që PD ka qenë në gjumë letargjik. Të gjitha shqetësimet i kam thënë në mbledhje të Kryesisë. Pasi dola nga izolimi kam qenë në Kryesinë e PD-së dhe kam thënë: meqenëse janë vjedhur zgjedhjet, të dalim në rrugë. Opozita e ka detyrim të protestojë si formë reagimi në shtator; nuk dolën në protestë. Vetëm pasi unë nisa lëvizjet, PD doli në terren dhe filloi konkurrencën.

Çifligu: Çfarë ke konstatuar në takime?

Salianji: Të gjitha ato që kam thënë: ka demotivim te demokratët. Kanë 13 vite që dëgjojnë të njëjtat përralla. Nuk mund t’u thuhet javë për javë: “Hajde se do të rrëzojmë Edi Ramën”. Po ashtu, në PD nuk ka meritokraci.

Borakaj: Si bëtë ju karrierë në PD?

Salianji: Unë jam bashkuar në opozitë me PD-në në 2013, kam bërë fushatë 5 vjet dhe më pas kam ardhur si propozim i demokratëve në Korçë.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx