Ballina Blog Faqe 9195

Gjysmëfinalet e Champions, Bayern-Real dhe Liverpool-Roma

0

Bayern-Real dhe Liverpool-Roma janë çiftet gjysmëfinaliste që përcaktuan goglat e shortit të hedhur në Nion të Zvicrës, nën përzgjedhjen e ambasadorit të Championsit të sivjetshëm, Andriy Shevchenko. Sikurse në Europa League, edhe në kompeticion më prestigjioz të Europës për klube, shorti i kësaj faze nuk kishte kufizime, e përballjet ishin të hapura për cilindo mes 4 pretendentëve të mbetur në garë, gjermanët e Bayernit, italianët e Romës, anglezët e Liverpoolit, si dhe spanjollët kampionë në fuqi të Europës, Real Madrid. Ndeshjet e para do të luhen të martën e 24 prillit dhe të mërkurën e 25 prillit, ndërsa ato të kthimit më 1 dhe 2 maj. Rrugëtimi drejt finales së Kievit, edhe në Champions ka mbërritur në distancën më të shkurtër, aty ku nuk lejohet asnjë gabim për ata që duan të rrëzojnë nga froni madrilenët e Realit, apo edhe për këta të fundit nëse duan të fitojnë titullin e tretë radhazi. Finalja e madhe, mes fituesit të çiftit të parë dhe fituesit të çiftit të dytë, do të luhet të shtunën e 26 majit, në stadiumin “NSC Olimpiyskyi” të Kievit, në Ukrainë, ku kryebashkiak është një emër i njohur botëror, ish-boksieri Vitaly Klitschko.

Hapja e negociatave, Mogherini: Momenti i ndryshimeve pozitive

0

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini dhe Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn do të vijnë në Tiranë më 17 prill për t’i dorëzuar progres-raportin qeverisë shqiptare. Para vizitës në Ballkanin Perëndimor, Përfaqësuesja e Lartë në Bashkimin Europian, Federica Mogherini tha: “Ballkani Perëndimor është Europë dhe do të jetë e ardhmja e Bashkimit Europian, për një Bashkim të fortë, të qëndrueshëm. Kjo është çështje e ndarjes së interseit dhe të përgjegjësisë së vendeve të këtij rajoni për të mirën e qytetarëve tanë. Ky është momenti për të sjellë ndryshime pozitive për të bërë përparim të pakthyeshëm dhe transformues drejt BE-së” Sipas njoftimi zyrtar të zyrës së shtypit të Mogherinit do të takohet me autoritet politike, përfshi dhe përfaqësues të qeverive dhe partive politike. Ndërsa më 18 shkurt do të jetë në Shkup ku do të marrë pjesë në një takim informal të kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Komisioni Europian do të publikojë progres raportin më 17 prill, bashkë me vlerësimet për progresin e arritur vjetor. Qeveria shqiptarë pret që pikërisht atë ditë të vijë dhe propozimi për çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Vendosën tra në Surrel! Të rinjtë e opozitës shoqërohen në Komisariat

0

Pas bllokimit të akseve kombëtare dhe të Kuvendit, protesta e opozitës është zhvendosur në Surrel, pikërisht në rrugën që të çon në shtëpinë e Kryeministrit Edi Rama.Të rinj të Partisë Demokratike dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim u tubuan në këtë rrugë, ku në shenjë simbolike kundër vendimit të qeverisë për të bërë me pagesë Rrugën e Kombit, vendosën një tra me mbishkrimin “Dalja falas”. Kryetari i FRPD-së, Belind Këlliçi dhe Kryetarja e LRI-së, Floida Kërpaçi u shoqërohen në Komisariatin e Policisë nr.4 në Tiranës pas vendosjes së traut pranë shtëpisë së Kryeministrit Rama. Të rinj të Partisë Demokratike dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim u tubuan në këtë aks, ku në shenjë simbolike kundër vendimit të qeverisë për të bërë me pagesë Rrugën e Kombit, vendosën një tra.

 

PD e Shkodrës organizon protestë të shtunën

0

Opozita do të protestojë të shtunën në Shkoder jo vetëm duke mbështetur biznesin me mbyllje te qepenave për 60 minuta, por axhendën e ka shtrirë edhe më tej.

Ajo do të nisë që prej orës 09.30 minuta në sheshin “Nënë Tereza” reagimin e saj kundër taksave të shtuara të qeverisë dhe diskriminit që kjo e fundit po i bën veriut të vendit. Shkodra sipas partisë demokratike është një prej qyteteve që po vuan më shumë pasojat e kësaj sjellje diskriminuese.

Protesta në sheshin “Nënë Tereza” megjithatë nuk do të jetë një model i mosbindjes civile, pasi selia blu ka porositur strukturat e saj që çdo gjë të jetë paqësore.

Kjo nënkupton edhe faktin se bashkia e Shkodres drejtohet nga e djathta dhe çdo dëmtim është kosto për qytetin.

Protesta e opozitës përkon me një axhende tjetër që përfaqësues të mazhorancës kanë parashikuar të shtunën në kryqendrën e veriut, ku do të kenë takime me strukturat e PS, si dhe në një shkollë të arsimit profesional.

Presidenti Thaçi dhe kryediplomati grek flasin për forcimin e marrëdhënieve bilaterale

0

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikolaos Kotzias. Presidenti Thaçi ka thënë se e çmon pozicionin pozitiv dhe parimor të Greqisë për perspektivën evropiane të Kosovës. “Jemi mirënjohës për përkrahjen e Greqisë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe kërkojmë që kjo përkrahje të vazhdojë edhe për anëtarësimin tonë në INTERPOL, UNESCO, NATO, Bashkim Evropian dhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, u shpreh presidenti Thaçi, duke shtuar se “është shumë me rëndësi që Greqia ta ruaj qëndrimin konstruktiv”. Kreu i shtetit me ministrin Kotzias ka folur edhe për rëndësinë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, i cili forcon paqen në tërë rajonin tonë. Në anën tjetër, kryediplomati grek ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve mes shteteve në Ballkanin Perëndimor, por edhe në vetë Bashkimin Evropian, është shumë i rëndësishëm për të gjitha shtetet. “Greqia e mbështet planin e integrimit evropian në të gjitha nivelet”, u shpreh Kotzias. Presidenti Thaçi dhe ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikolaos Kotzias, kanë diskutuar edhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik. “Kosova ka krijuar një ambient biznesor mjaft atraktiv dhe janë të mirëseardhur investitorët grekë”, u shpreh presidenti Thaçi. Gjatë takimit të presidentit Thaçi me ministrin e Jashtëm të Greqisë është diskutuar edhe për procesin dhe modalitetin e hapjes së zyrës së Kosovës në Athinë, e cila do të ndihmonte në forcimin e marrëdhënieve bilaterale në mes Kosovës dhe Greqisë.

Përfundojnë konsultimet me partitë, 5 Yjet: Berlusconi, bëj një hap pas!

0

Në Itali u zhvillua sot raundi i dytë i konsultimeve të Presidentit të Republikës me përfaqësuesit e forcave politike për zgjidhjen e ngërçit të formimit të qeverisë që ka mbërthyer Italinë që prej zgjedhjeve të 4 marsit. Pas përfundimit të takimeve me kreun e shtetit të gjitha grupet politike kanë shprehur preokupimin e tyre për situatën në Siri duke konfirmuar rëndësinë e formimit sa më të shpejtë të qeverisë në mënyrë që Italia të prezantohet sa më denjësisht në vendimet me rëndësi ndërkombëtare. Delegacioni i Partisë Demokratike drejtuar nga kryetari i përkohëshëm i saj Maurizio Martina ka rikonfirmuar qëndrimin e saj opozitar. “Duhet dhënë fund taktikave politike e personalizmit ekstrem, ka deklaruar ai. Vendi ka nevojë për pakte të qarta. “Koalicioni i qëndrës së djathtë është prezantuar në konsultimet me Presidentin Mattarella me një delegacion të vetëm të përbërë nga 3 liderat e partive të këtij formacioni; Silvio Berlusconi i Forza Italia, Matteo Salvini i Lidhjes e Giorgia Meloni e Fratelli D’Italia. Pas këtij takimi para gazetarëve Matteo Salvini ka deklaruar se “koalicioni i djathtë është i bashkuar e i gatshëm për formuar një qeveri afat gjatë me një kryeminsitër të dalë nga partia Lidhja”. “Presim nga të gjitha forcat politike, tha Salvini, si dhe nga Lëvizja 5 Yje të njëjtin sens përgjegjësie që koalicioni ynë fitues i zgjedhjeve ka ndaj vendit.” Konsultimet e Presidentit janë mbyllur me takimin me delegacionit të Lëvizjes 5Yje. Lideri i saj Luigi Di Maio është shprehur se “nuk duhet humbur më kohë për formimin e qeverisë. E vetmja rrugë për të zhbllokuar krizën qeverisëse është që Silvio Berlusconi të bëj një hap pas e të lejoj krijimin e një koalicioni qeverisës vetëm mes Partisë Lidhja e 5 Yjeve.” “Me Partinë Lidhja kemi një sinergji institucionale e demostruar me fakte në komisionet e në grupet tona parlamentare, tha ai, por nuk kuptoj sesi kjo forcë politike pas bisedimeve mes nesh pretendon një qeveri me përfaqësues nga të forcat e koalicioni të djathtë.”

 

Rusia shkon në luftë me SHBA nëse ka përgjigje ushtarake ndaj Sirisë

0

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov tha se sulmi i dyshuar me armë kimike në Siri është inskenuar nga agjentët e huaj. Gjatë një konferencë për shtyp, ai theksoi se Kremlini posedon “prova të pakundërshtueshme” që inskenimi është pjesë e një “fushate rofobike” që drejtohet nga një shtet, të cilin nuk e përmendi me emër. Për këtë Rusia ka kërkuar edhe një mbledhje të Këshillit të Sigurisë. Më herët Moska paralajmëroi Uashingtonin se ndonjë bombardim i mundshëm ajror si kundërpërgjigje për sulmin e dyshuar me armë kimike në Siri mund të shkaktojë një luftë mes dy vendeve. “Prioritet i menjëhershëm është të shmanget rreziku i luftës”, tha ambasadori i Moskës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Vassily Nebenzia. Ai akuzoi Uashingtonin për vendosjen në rrezik të paqes ndërkombëtare dhe tha se situata është “shumë e rrezikshme”. “Fatkeqësisht ne nuk mund të përjashtojmë ndonjë mundësi”, shtoi i dërguari i Moskës pas një mbledhje private të Këshillit të Sigurisë së OKB-së në NJu Jork. Nebenzia nënvizoi se ka pasur rritje të “rrezikut të përshkallëzimit” për shkak të prezencës së Ushtrisë së Rusisë në Siri. Aktualisht, në mediat ndërkombëtare qarkullojnë raportime se fuqitë perëndimore po përgaten për sulme. Por Rusia, aleati kryesor i regjimit të Bashar al-Assad, kundërshton një veprim të tillë dhe paralajmëron me rrëzim të raketave. Ndërkohë, Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike, njoftojnë se ekspertët po udhëtojnë për në Siri dhe do të fillojnë një hetim të shtunën. Kërkesa për veprim erdhi pas sulmit të dyshuar me armë kimike në qytetin Duma të kontorlluar nga rebelët, ku u vranë rreth 100 persona. Perëndimi akuzon regjimin e Bashar al-Assad për masakrën në fjalë. Ndërsa qeveria sirian, Irani dhe Rusia pretendojnë se sulmi është një fabrikim i Perëndimit për të justifikuar ndërhyrjen ushtarake.

ALEATËT E TRUMP KUNDËR COMEY, DISKREDITOJNË LIBRIN E ISH-SHEFIT TË FBI

0

 

Aleatët e presidentit amerikan Donald Trump kanë nisur një fushatë diskreditimi ndaj ish-shefit të FBI James Comey.  Javën e ardhshme, Comey do të publikojë një libër me kujtime, që pritet të paraqesë një portret aspak të mirë të zotit Trump, i cili e shkarkoi nga detyra një vit më parë.  Kështu, republikanët kanë hapur një faqe online ku ata e etiketojnë ish-zyrtarin e lartë të zbatimit të ligjit në vend, si “Gënjeshtari Comey”. Sipas disa fragmenteve të shkëputura nga ky libër, të cilat janë publikuar në të përditshmen amerikane The Washington Post, Comey krahason presidentin Trump me një kryetar të një organizate mafioze. Ish-drejtori i FBI shkruan se bisedat dhe ndërveprimet me kreun e shtetit, i kujtojnë çastet e para të karrierës së tij si prokuror kundër bandave.  Comey thekson se ai kurrë nuk e ka parë presidentin të qeshë dhe këtë e konsideron si një shenjë të “pasigurisë së thellë të Donald Trump dhe paaftësisë së tij për të qenë i cënueshëm, gjë që në fund e bën atë një udhëheqës të trishtë dhe një president të frikshëm”. Për promovimin e librit “Një besnikëri më e lartë: E vërteta, Gënjeshtrat dhe Udhëheqja”, zoti Comey ka parashikuar një sërë intervistash me media të ndryshme. Ndërkohë, porositë paraprake online të librit e kanë kthyer atë në një best-seller në faqen e Amazon.

Sekuestrohen mbi 500 kg kanabis në Kavajë

0

Një 35-vjeçar u arrestua me mbi gjysmë ton hashash në makinë.  Në Kavajë janë sekuestuar 562 kg lëndë narkotike e llojit kanabis, e cila u gjet e fshehur në një fuoristradë që po transportohej mbi një karrotrec dhe kishte bërë që të dukej si e prishur nga një defekt teknik. Në pranga kanë rënë Saimon Beqiraj, 35 vjeç, banues në Frakull e Madhe i cili ishte drejtues i karrotrecit tip “Benz”.  Nga burimet policore mësohet se pronari i fuoristradës është shpallur në kërkim , bashkë me 3 persona të tjerë.  Mendohet se droga do të transportohej me gomone drejt Italisë, ndërsa po vijon puna për të identifikuar personat e tjerë të implikuar në këtë rrjet të trafikimit të narkotikëve.

13 taksa me pagesë online, Rama: Reduktohen mundësitë për korrupsion

0

13 shërbime të reja elektronike të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve mund të paguhen online në portalin qeveritar e-Albania.Pagesa e këtyre detyrimeve që u paralajmërua më herët, u njoftua sot nga kryeministri Edi Rama se ka nisur të zbatohet.Sipas kreut të qeverisë me shtimin e këtyre shërbimeve reduktohen mundësitë për korrupsion, radhët e gjata si dhe humbjet e kohës. Ndërkohë, ka shtuar më tej se vijon puna dhe rezultatet do të ndjehen në të gjitha shërbimet e administratës për qytetarin dhe biznesin. Shërbimet tatimore përfshijnë pagesat nga Tatim mbi të Ardhurat Personale të Biznesit të Vogël e deri në detyrimet për shlyerjen e penaliteteve.

Statusi i plotë:
Çdo ditë një hap në rrugën për SHQIPERINE QE DUAM
Vazhdojmë lehtësimin e shërbimeve dhe uljen sistematike të ndërveprimeve direkte me administratën, duke reduktuar vijimësisht mundësitë për korrupsion, radhat e kota dhe humbjet e kohës 👍
Sapo u publikuan në portalin e-Albania 13 shërbime të reja elektronike me pagesë, të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Nëpërmjet këtyre shërbimeve, bizneset mund të paguajnë direkt nga vendi i punës, shtëpia apo celulari, një sërë detyrimesh tatimore:
1. Tatim mbi të Ardhurat Personale të Biznesit të Vogël
2. Tatim i Lojërave të Fatit
3. Tatim mbi të Ardhurat nga Punësimi
4. Tatim i Mbajtur në Burim
5. Tatim mbi Vlerën e Shtuar
6. Tatim i Thjeshtuar mbi Fitimin
7. Tatim Fitimi
8. Tatim mbi të Ardhurat Personale
9. Taksat Kombëtare
10. Tarifat Kombëtare
11. Renta minerare
12. Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore
13. Detyrime globale/Penalitetet
Puna vazhdon, përditë dhe rezultatet do të ndjehen hap pas hapi në të gjitha shërbimet e administratës për qytetarin dhe biznesin