Familja mbretërore britanike duket se ka qenë në shënjestër të një kërcënimi fizik, teksa Princi Harry dhe e fejuara e tij Megan Markëll kanë marrë një pako të dyshimtë, që përmbante një letër ofenduese dhe pluhur të bardhë. Autoritetet dolën në konkluzionin se substanca nuk ishte e rrezikshme, por letra e dërguar Megan Markëll, po hetohet si krim i urrejtjes racore. Policia britanike po heton një kërcënim të mundshëm ndaj familjes mbretërore britanike, teksa mediat bëjnë me dije se Princi Harry dhe e fejuara e tij Meghan Markle kanë marrë një pako që përmbante pluhur të bardhë. Incidenti ka ngjallur frikë tek familja mbretërore, pasi mendohej se substanca ishte antraks. Por pas ekzaminimeve nga ekspertët rezultoi se nuk bëhej fjalë për një lloj pluhuri të rrëzikshëm. Ngjarja në fjalë po hetohet si krim i urrejtjes racore edhe nga zyrtarët e antit-terrorizmit, pasi pakoja shoqërohej edhe nga një letër me ofendime raciste ndaj Meghan Markle. Sipas autoriteteve, pakoja ka mbërritur në adresë të çiftit në 12 shkurt, në Pallatin St James në Londrën qendrore. Letra është hapur fillimisht nga një anëtar i stafit të pallatit përpara se të mbërrinte tek Princi dhe e fejuara e tij, sipas oficerëve të përfshirë në hetim. Epsiodi me gjasa do të shtojë shqetësimet e Familjes Mbretërore për sigurinë, pëpara dasmës mbretërore të çiftit që do të mbahet më 19 maj. Përpara kësaj date, Princi Harry dhe Meghan Markle do të duhet të bëjnë disa paraqitje publike në evente të ndryshme. Edhe pse Markle ka qenë subjekt i abuzimit racist online, kjo është hera e parë që ajo kërcënohet fizikisht, së bashku me të fejuarin e saj. Raportohet se Markle tashmë i është caktuar mbrojtje e specializuar e policisë, përpara se ajo të hyjë në familjen mbretërore.
Fruthi:Bëni vaksina të gjithë personat që kanë lindur në vitet 80-90
Autoritetet kanë pranuar tashmë se fruthi është kthyer në epidemi duke ndërmarrë një plan masash për të parandaluar zgjerimin e vatrës. Dyshohet se vaksinat e bëra tek personat e lindur gjatë viteve ’80-’90 nuk janë efektive dhe për rrjedhojë kërkohet rivaksinimi i tyre nga Instituti i Shëndetit Publik. “Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale gjen rastin të përsërisë apelin për të gjithë prindërit, që të mos hezitojnë të kryejnë vaksinën për fëmijët e tyre si dhe personat që i përkasin ditëlindjes ’80-’90 të vaksinohen sërish, për të mbrojtur veten dhe njerëzit përreth nga sëmundja e fruthit”., – bën me dije Ministria e Shëndetësisë. Deri më tani kanë ndërruar jetë disa fëmijë nga fruthi në Shqipëri, ndërsa numri i atyre që janë sëmurë është i lartë.
DOSJA “TAHIRI”, ÇOHET LETËRPOROSIA NË ITALI, DUAM DËSHMITË E HABILAJVE
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dërguar letërporosi në Itali ku kërkon tu vihet në dispozicion dëshmitë që të arrestuarit e dosjes “Habilaj” kanë dhënë. Dëshmitë do të merren në kuadër të hetimit ndaj ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Në fillim të shkurtit prokuroria kërkoi zgjatje të afatit të hetimit dhe për tre muaj të tjerë. Zgjatja e afatit të hetimeve sipas prokurorisë është bërë për shkak të nevojës për të kryer veprime të shtesë e mbledhur prova të reja jashtë Shqipërisë. Informacionet që kërkohen zotërohen nga autoritete jashtë Shqipërisë në lidhje me makinën Audi me targa AA 003 GB me të cilën dyshohet se Tahiri ka lëvizur bashkë me anëtarë të familjes Habilaj. Ndërkohë Prokuroria e Katanias ka mbyllur hetimet për operacionin “Rosa dei venti” i cili coi në shkatërrimin e grupit kriminale italo-shqiptar i drejtuar nga shqiptari Moisi Habilaj dhe pritet që dosja të shkojë në gjykatë
Policia u prish planin, hajdutët tentuan të vjedhin argjendarinë
Dy persona janë arrestuar nga policia e Kavajës pasi kanë tentuar të vjedhin një argjendari dhe një dyqan me artikuj të ndryshëm. Në pranga kanë rënë Aurel Hekurani 36 vjeç dhe Rifan Rrushi 34 vjeç, të dy të dënuar më parë për veprën penale të “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Ngjarja për të cilën akuzohen ka ndodhur rreth orës 23:00 të së mërkurës (21 shkurt 2018)në lagjen nr 3 Kavajë, në Tregun Industrial. Të arrestuarit u kapën në flagrancë duke tentuar të vjedhin dyqanin e artikujve të ndryshëm industriale dhe argjendarinë e shtetasit R. A., 60 vjeç. Gjatë kontrollit fizik shtetasve të mësipërm në momentin e kapjes ju gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një çekiç metalik. Materialet proçeduriale iu kaluan Prokurorisë pranë Rrethit Gjyqësor Kavajë për veprat penale parashikuar në Nenet 134/2 dhe 22 të Kodit Penal.
Kosovë, dështon sërish seanca për Demarkacionin
Kuvendi i Kosovës ka shtyrë sërish seancën e jashtëzakonshme për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Seanca e jashtëzakonshme fillimisht ishte parashikuar të mbahej një ditë më parë, por u shty për sot. Por edhe në seancën e së premtes duket se nuk u arrit asnjë marrëveshje, duke e shtyrë serish seancën për ditën e mërkurë. Aktualisht, Kuvendi po ballafaqohet me problematikën e vendimmarrjes, pasi nuk janë siguruar 80 votat e nevojshme për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje. Në fillim të seancës të së enjtes, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli kërkoi deklarimin e grupeve parlamentare, duke ua bërë me dije deputetëve, se votimi mund të ndodhë vetëm në një rast dhe nëse dështon ratifikimi i marrëveshjes, Kosova do ta humbasë liberalizimin e vizave. Të enjten, gjatë orëve të pasdites, partitë kanë zhvilluar konsultime intensive. Për ndërmjetësimin e arritjes së një marrëveshjeje, janë angazhuar edhe përfaqësuesit ndërkombëtar, por në përfundim nuk ka pasur dakordësim të plotë.Sidoqoftë, duket si një mision i pamundur sigurimi i 80 votave të nevojshme për miratimin e demarkacionit në një kohë kur Vetëvendosje, me 35 deputetë, dhe Lista Serbe me 10, kanë deklaruar votën kundër. Demarkacioni është kushti që Bashkimi Europian i ka vendosur vendit për liberalizimin e vizave, ndërkohë që Kosova mbetet i vetmi shtet në Europë që ka ende një regjim vizash për lëvizjen në zonën “Schengen”.
Europa League, Milani përballë Arsenalit
Është hedhur mesditën e sotme në Nyon të Zvicrës shorti për 1/8 e Europa League, duke vënë përballë njëri tjetrit dy pretendentë për të fituar këtë kompeticion, Milan-Arsenal. Ndërkohe çiftet e tjera janë: Lacio Dinamo e Kievit. Leipzig-Zenit; Atletico Madrid-Lokomotiv Moskva; CSKA-Lyon; Marseille-Atletic Bilbao; Sporting-Plzen; Dortmund-Salzburg dhe Milan Arsenal. Ndeshjet e para të kësaj faze do të zhvillohen në datën 8 mars, ndërsa të kthimit pas një jave. Me 3 skuadra në këtë fazë të Europa League nuk është as Spanja, as Anglia apo Italia, por Rusia. Janë Lokomotika e Moskës, CSKA dhe Zenit që vazhdojnë ende ëndrrën në këtë kompeticion dhe sot presin të mësojnë kundërshtarët.
Skandal u shkarkua për abuzim me detyrën, Rama e riemëron drejtor
Një tjetër skandal i qeverisë “Rama” është denoncuar sot nga Partia Demokratike. Zëdhënësja e PD, Ina Zhupa, në një dalje për mediat paraditen e sotme ka deklaruar se Rama ka riemëruar drejtor, Erion Manohasën, i cili më parë ka mbajtur detyrën e drejtorit të Fondit të Kujdesit Shëndetësor, por që është shkarkuar nga detyra me vendim gjykate për shpërdorim të detyrës. Zhupa theksoi se Manohasa ishte shkarkuar pasi kishte firmosur një kontratë korruptive, në kundërshtim me përcaktimet ligjore me një firmë private, që nuk plotësonte kushtet për kryerjen e dializës. Ndërsa Rama e ka riemëruar sërish drejtor duke e vendosur në krye të drejtorisë së inmtegrimit dhe projekteve në Institutin e statistikave. Sipas PD, të dhënat statistikore që BE do të marrë nga Shqipëtria janë nën përgjegjësinë e të njëjtit drejtor që o hoqi të sëmurëve të drejten e kurimit me hemodializë në një spital duke i detyruar ata që ta bënin në një apartament i cili nuk plotësonte asnjë kusht. Sipas PD, ky rast nxjerr në dritë realitetin që fshihet nga propaganda qeveritare.
FSHF shtyn ndeshjen Vllaznia-Luftëtari
Pas kërkesës së bërë nga Vllaznia, Federata Shqiptare e Futbollit, pasi u konsultua me të dy klubet, ka pranuar të shtyjë takimin Luftëtari-Vllaznia për të dielën në orën 14:00. Kjo përballje ishte parashikuar të zhvillohej të shtunën, por ngjarja e rëndë ku tentua të sulmohej me thikë trajneri Ernest Gjoka i detyroi shkodranët që të kërkonin shtyrjen e takimin, pasi ishte e pamundur që ajo të përgatitej normalisht në kushtet e tronditjes së thellë, jo vetëm të trajnerit, por edhe të pjesëtarëve të tjerë të Vllaznisë dhe opinionit publik, sidomos në Shkodër. Menjëherë pas ngjarjes ditën e kaluar, trajneri Gjoka, drejtuesit e Bashkisë dhe të klubit të Vllaznisë kanë komunikuar me Policinë e Shtetit, duke i vënë në dijeni për ngjarjen, si dhe duke kërkuar zbardhjen e plotë të saj dhe arrestimin e agresorit.
Abuzimet me rrugën Tiranë-Elbasan, kreu i ARRSH përballet me Krimet e Rënda
Ishte radha e drejtorit të Autoriteti Rrugor Shqiptar, Afrim Qëndro të dëshmojë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda mbi shkeljet e konstatuara në zbatimin e projektit Tiranë-Elbasan. Më herët kanë dëshmuar edhe 3 audituesit që konstatuan shkeljet që u denoncuan nga ministri Gjiknuri. Ndërkohë, në pyetje në lidhje mbi këtë hetim janë marrë edhe dy ish-ministrat e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Sokol Dervishaj dhe Edmond Haxhinasto. Ndërsa në arrest me burg janë lënë dy ish-zyrtarët, Dashamir Xhika dhe Andi Toma. Në listën e Prokurorisë pritet të pyetet edhe ministri Damian Gjiknuri, që dorëzoi pas një auditi ku evidentoheshin shkeljet dorëzoi një kallëzim ndaj ish-zyrtarëve të Autoritetit Rrugor. Prokuroria thotë se shtetit i është shkaktuar një dëm financiar në amendimet e kontratës, ndryshime që nisin nga shtyrja e afatit të punimeve, deri në reagimin me dy vjet vonesë në këtë aks, pavarësisht se aty kishte rrëshqitje dheu.
