Ballina Blog Faqe 9238

Wanda largon menaxherin Raiola nga burri i vet Icardi dhe tregon dhëmbët

0

Në një intervistë për Corriere dello Sport, argjentinasja që bën rolin e manaxheres së kapitenit të Interit, Mauro Icardi ka sjellë sërish në vëmendje se sulmuesin e kanë kërkuar disa nga klubet më të fuqishme të Evropës, por pa bërë të ditur emrat. Ky sinjal nga Wanda vjen në momentin kur Inter ka shprehur interes për të zgjatur kontratën me sulmuesin argjentinas. Në tetor të 2016 Icardi firmosi për 5 vjet të tjera me një përfitim prej 5.5 milionë eurosh në vit, ndërsa vendosën edhe klauzolën prej 110 milionë eurosh në rast të prishjes së kontratës. “Nuk jam takuar me Ausilion – tha Wanda – por dëgjohemi në telefon dhe unë e di mirë pozicionin e tij dhe të shoqërisë. Në këtë periudhë të fundit janë afruar disa skuadra të mëdha që kanë shprehur interes për Mauron. Dhe unë si përfaqësuese e tij kam detyrë ti dëgjoj, vlerësoj dhe të marr në konsideratë çdo situatë. Ka patur edhe në të shkuarën interes, por Mauro ka zgjedhur gjithnjë Interin. Ai është kapiteni i Interit që në moshën 22 vjeç dhe ka një raport shumë të mirë me shokët, pavarësisht çfarë thuhet. Por unë, dhe vetëm unë merrem me të ardhmen e tij, kështu që më duhet të vlerësoj të gjitha kërkesat që vijnë: gjithçka kalon nga unë, kush kërkon Icardin duhet të trokasë në portën timë”, deklaroi Wanda Nara. Ndër të tjera Wanda Nara foli edhe për zërat që kanë qarkulluar ditët e fundir se Icardi mund të kalojë nën prokurimin e Mino Raiolës. “Kam respekt për të, por janë të shumtë ata që pëlqejnë të kenë Icardin si futbollist të tyre. Por manaxherja e tij jam vetëm unë”, deklaroi Wanda, që ka thënë se pas pak javësh do të bëhet takimi  Interit, ku përveç pagës do të flitet edhe për klauzolën e shitjes së tij.

Jep 42 mln dollarë për të ndërtuar orën 10 mijë vjeçare

0

Një orë e gjatë rreth 152 metra e dizenjuar për të inkurajuar të menduarin në distanca të gjata por ndërtohet brenda një rruge malore në Teksasin Perëndimor në pronën e pronarit dhe themeluesit të Amazon, Jeff Bezos. Bezos lëshoi një video të instalimit gjatë së martës. Ora është një projekt i Fondacionit “Long Now” dhe synon të inkurajojë njerëzit të mendojnë për të ardhmen e largët, ose “për një kohë të gjatë”, siç shprehet projektuesi Danny Hillis. Ai e projektoi mekanizmin e orës për të punuar përreth 10 mijë vjet me mirëmbajtje dhe ndërprerje minimale. Në vend të sekondave dhe minutave, ai mat kohën në vite dhe shekuj. BBC raportoi se projekti ka tërhequr mbështetjen e artistëve dhe mendimtarëve me ndikim. Bezos ka vënë në dispozicion rreth 42 milionë dollarë për projektin e tij të çmendur dhe kushedi sa punëtorë të tij nuk arrijnë të përmbushin kërkesat jetësore. Ora pritet të marrë energji nga dielli, përdorur ndryshimet në temperaturë dhe një sistem të peshave për të fuqizuar aparatin e saj të matjes. Nuk ka aftësi për të ruajtur energji të mjaftueshme për të shfaqur kohën, përveç nëse vizitorët “e” e fryjnë atë me një rrotë me dorë. Do të ketë ingranazhe, zile dhe një lavjerrës, të bërë nga çelik inox, titan dhe qeramika të teknologjisë së lartë, por Hillis thotë se do të jetë shumë ndryshe nga një orë standarde.

Dora Bakojanis kërkon transparencë për marrëveshjne me Shqipërinë

0

Opozita greke ka theksuar sërish mungesën e transparencës nga ana e qeverisë sa u përket negociatave ndërmjet ministrave të jashtëm të Greqisë dhe Shqipërisë. Kësaj radhe është ish-ministrja e Jashtme, Dora Bakojanis, që kërkon interpelancë me shefin e diplomacisë greke, Nikos Kotzias. Në letrën që shoqëron kërkesën që u depozitua të enjten në kryesinë e parlamentit, deputetja konservatore nënvizon se qeveria Tsipras po zhvillon bisedime sekrete për të rishikuar marrëveshjen për delimitimin e zonave detare dhe të heqë dorë nga kuadri që u arrit në vitin 2009. Ish-ministrja e Jashtme greke, që kishte drejtuar negociatat për marrëveshjen e vitit 2009, nënvizon se “komuniteti shkencor ndërkombëtar në atë kohë kishte konkluduar se ishte një marrëveshje e ekuilibruar dhe me dobi reciproke, që zbatonte në mënyrë shembullore parimin e vijës së mesme”. Bakojanis shton se, sipas shtypit grek dhe atij shqiptar, Athina ka ndërmend të ndryshojë edhe vijën e delimitimit dhe t’i ofrojë palës shqiptare një zonë të madhe detare në ujërat e Korfuzit. Ish-ministrja e jashtme greke vë në dukje se mënyra e veprimit të qeverisë mbart rreziqe: “Në rast se Athina pranon disa nga pozicionet shqiptare për çështjet që kanë të bëjnë me influencën e ishujve, atëherë rrezikon të krijohen precedentë negative për delimitimet e ardhme në zona të tjera”, nënvizon Bakojanis. Deputetja e opozitës greke akuzon qeverinë se “po menaxhon me mangësi dhe papërgjegjshmëri një çështje të rëndësishme kombëtare. Pa konsensusin e nevojshëm me forcat politike të vendit, është e gatshme të pranojë anulimin e marrëveshjes së vitit 2009”. Ish ministrja e jashtme greke kërkon që shefi i diplomacisë t’u japë përgjigje tri pyetjeve: 1. Për ç’arsye qeveria po avancon në rishikimin e marrëveshjes së vitit 2009 që ishte nënshkruar edhe nga Greqia, edhe nga Shqipëria? 2. Cilat janë saktësisht pikat e marrëveshjes që ka ndërmend të rishikojë? 3. A është e vërtetë që qeveria do të ndryshojë qëndrimin konstant grek për delimitimin e zonave detyre në bazë të parimit të vijës së mesme?

Një person tenton të godasë me thikë trajnerin e Vllaznisë

0

Një person ka tentuar të therë trajnerin e Vllaznisë Ernest Gjoka. Ngjarja ka ndodhur në fushën sportive Reshit Rusi në Shkodër në fund të stërvitjes. Një shtetas me kapuç në koke i është afruar trajnerit dhe ka tentuar që ta sulmojë me thikë. Trajneri Gjoka e ka kuptuar se personi mund ta sulmonte dhe i eshte shmangur duke shpëtuar pa u dëmtuar. Policia është njoftuar menjëherë, ndërsa sipas informacioneve tre shtetas në afërsi të stadiumit “Loro Boriçi” janë shoqëruar në polici duke dyshuar se mund të ketë dijeni për ngjarjen. Ky ështe rasti dytë teksa edhe njëherë tjetër ka patur tentative për ta sulmuar teknikun Gjoka. Policia po heton per ta zbardhur ngjarjen dhe si pistë kryesore e këtij sulmi mendohet të jetë për shkak të detyrës.

Muza e Botërorit Rusi 2018

0

Ekaterina Enokaeva është një nga modelet më të kërkuara të momentit dhe si e tillë admiruesit e saj nuk mungojnë. Modelja ruse është e kërkuar nga shumë agjenci veshjesh të brendshme, pasi imazhi i saj është tejet tërheqës dhe ka korrur sukses deri më tani. Si një ruse, Ekaterina synon që të jetë “muza” e Botërorit që do të zhvillohet në 2018-ën në vendin e saj, Rusi. “Gjithçka është e mundur, por për momentin po e shijoj shumë punën time si modele. Gjithashtu po bëj kurs kërcimi dhe muzike”- ka thënë “rivalja” e Irina Shayk, e cila padyshim që kryeson listën e modeleve më të bukura dhe të suksesshme në botë.

 

 

Skandali me radarët e ushtrisë

0

Dokumentet zyrtarë të rrjedhur nga Ministria e Mbrojtjes tregojnë se mirëmbajtja e sistemit të radarëve detarë është një histori e mbushur me tendera të dyshimtë dhe abuzime të mëdha financiare. Historia nis në vitin 2011, kur pas largimit të gjigantit amerikan “Lockheed Martin” në lojë hyn kompania shqiptare “Idea Tel” me administrator Idlir Karkinin. Në gusht të vitit 2011 komanda e forcave detare përmes një tenderi të sekret i jep kompanisë “Idea Tel” mirëmbajtjen e radarëve një periudhë 4 mujore deri në fund të vitit me vlerë 487 mijë dollarë. Ndërkohë për 2010-ën, sistemi ishte mirëmbajtur nga “Locked Martin” për të gjithë vitin me vetëm 330 mijë dollarë. Kontrata me “Idea Tel” e forcave detare u gjet në shkelje nga një Audit i Ministrisë së Mbrojtës. Përveç shkeljeve financiare, kontrollet e mëvonshme për zbatimin e saj treguan se radarët nuk mirëmbaheshin siç duhej dhe disa prej tyre ishin jashtë funksionit. Pas këtyre shkeljeve Ministria e Mbrojtjes e përjashtoi kompaninë nga pjesëmarrja në tenderin për radarët. Por “Idea Tel” rikthehet sërish në lojë në vitin 2013. Në gusht të 2013-ës, kur kishin përfunduar zgjedhjet por ishte ende në pushtet qeveria e Partisë Demokratike, Ministria e Mbrojtjes zhvilloi një tjetër tender, këtë herë të hapur. Për mirëmbajtjen e radarëve dhe rivënien e tyre në gatishmëri të plotë me fond limit 560 mijë dollarë. Fituese u shpall kompania shqiptare “AR and TI”. Por dy javë pas formimit të qeverisë, ish ministrja Mimi Kodheli e anuloi tenderin. Një muaj më vonë, qeveria miraton një vendim për ribërjen e tenderit, saktësisht me të njëjtin objekt, por fondi limit u rrit me 50 për qind nga 560 mijë dollarë në 850 mijë dollarë. Tenderi sekret u bë pa garë, sipas një procedure ku ministria e mbrojtjes ftoi kompanitë e përzgjedhura nga vetë ajo që të bënin ofertë. Nga ftesat u përjashtua “Lockheed Martin” dhe tenderi u fitua pikërisht nga “Idea Tel” në një bashkëpunim të paqartë me italianen “Gem electronica”. Çmimi fitues rezultoi saktësisht sa fondi limit pra 850 mijë dollarë ose 50 për qind më i lartë nga tenderi i anuluar vetëm 4 muaj më parë.  Çështja e radarëve shpërtheu publikisht në vitin 2015 kur një “Audi”-t i KLSH gjeti se procedura ishte e paligjshme. Sipas KLSH, Ministria e Mbrojtjes duhet të bënte tender të hapur dhe të thërriste në garë kompaninë “Locked Martin”, e cila përveçse ndërtuesja e sistemit më parë e kishte mirëmbajtur atë për vetëm 220 mijë dollarë në vit. Por rritja e kostos nuk ka qenë abuzimi i vetëm në tender sipas institucioneve shtetërore. Më vonë një raport kontrolli i AKEP gjeti se një pjesë e madhe e radarëve të instaluar nga “Idea Tel” funksiononin në frekuenca të paautorizuara. Ndërsa një “Audi”-t i vetë Ministrisë së Mbrojtjes gjeti se funksionimi i radarëve ishte problematik.

Zien debati për vendimin e tij, Meta takon stilistin e tij personal

0

Presidenti i Republikës Ilir Meta, ka devijuar nga debatet politike, dhe ka gjetur kohën për tu takuar me stilistin e tij personal. Këtë takim, ai e ka publikuar në rrjetet sociale, ku teksa prezanton stilistin e tij, Altin Mici, ka postuar edhe një foto me të, me mbishkrimin: “Të dashur miq, kënaqësi të ndaja disa momente me mikun dhe rrobaqepësin tim duarartë Altin Mici.” Altin Mici është një emër i njohur në fushën e stilimit, pasi përveç Presidentit, ai ka veshur edhe figura të tjera si futbollistë, etj.

Fier, 32 vjeçari prej orës 12 mbi shtyllën e tensionit të lartë

0

Një 32 vjeçar në Fier ka hipur mbi një shtyllë të tensionit të lartë prej orës 12:00 dhe nuk zbret. Ngjarja është raportuar në fshatin Varibob,  ku shtetasi Arjan Lamcaj dyshohet se vuan nga sëmundja e epilepsisë. OSHEE ka ndërprerë energjinë elektrike me qëllim shmangien e kontaktit me korentin. Policia ndodhet në vendngjarje dhe po negociojnë me shtetasin në fjalë. Gjithashtu në vendngjarje ndodhen edhe shërbimet zjarrfikëse edhe ambulanca.

DONNARUMMA BRAKTIS MILANIN

0

E ardhmja e Gianluigi Donnarummës është në Paris. Të paktën kjo është ajo që publikohet në median italiane, e cila thekson se portieri i Milanit ka vendosur që të largohet nga kuqezinjtë në fund të sezonit për t’u transferuar te Paris Saint Germain. Gjithnjë sipas asaj që publikohet në median e vendit të Apenineve, vendimtare në këtë histori rezultoi të ishte ndërhyrja e Marco Verrattit që e ka bindur 19-vjeçarin që të pranojë transferimin në France. Mësohet se Donnarumma e mori vendimin e tij ne 3 muajt e fundit. Portieri italian, përveç projektit teknik të klubit transalpin, ka mbetur i mahnitur edhe nga vetë qyteti i Parisit. Këtyre faktorëve u shtohen edhe këshillat e Verrattit me këtë të fundit që ka të njëjtin agjent si Donnarumma, Mino Raiolën. Në krahun tjetër, edhe Milani mund ta shohë si një lëvizje të nevojshme kalimin e Donnarummës te PSG, pavarësisht deklaratave të Yonghong Li për mbajtjen e futbollistit në skuadër. Kuqezinjtë, nëse nuk do të kualifikohen për në Ligën e kampioneve, do të kenë nevojë për të ardhura financiare, kështu që shitja e kartonit të Donnarummës mund të jetë një ndër masat që mund të merren. Nëse Donnarumma do të kalojë te Paris Saint Germain, do të përfitojë një pagë 12 milionë Euro në sezon, shifër kjo që është 2 herë më e lartë se paga që përfiton aktualisht te Milan, ndërkohë që vetë klubi do të arkëtojë të paktën 70 milionë euro nga shitja e tij. Për sa i përket të ardhmes, Milani duket se e ka gjetur pasuesin e Donnarummës dhe bëhet fjalë për Pepe Reinën. Spanjolli është drejt përfundimit të kontratës me Napolin dhe kuqezinjtë duket se e kanë prenotuar kartonin e tij për verën e ardhshme. Një alternativë tjetër për milanezët është edhe Marketti që prej kohësh e ka humbur vendin e titullarit te Lazio kundrejt Strakoshës.

Italia shkatërron bandën shqiptare, kapet kokainë me vlerë 1 mln euro

0

Policia e qytetit të Ravenës në Itali ka shkatërruar një bandë trafikantësh shqiptarë me 41 kg kokainë në vlerë 1 milionë euro. Kokaina mendohet të jetë trafikuar nga Holanda. Lënda narkotike ishte fshehur në një nga bazat e bandës në një apartament në qëndër të Ravenës dhe ishte e konfeksionuar në 76 pako, gati për t’u shitur në tregun e Rivierës Adriatike. Për arsye hetimesh, policia italiane nuk ka bërë publik emrat e shqiptarëve, shumica e të cilëve janë në gjëndje arresti. “Është një nga sasitë më të mëdha të kokainës e sekuestruar në territorin tonë, me një vlerë 1 milionë euro”, ka deklaruar kreu i skuadrës operative të Policisë së Ravenës Claudio Cagnini. “Është një goditje e fortë që i kemi dhënë trafikut të drogës.Hetimet deri më tani kanë zbardhur se kemi të bëjmë me një bandë trafikantësh profesionistë të cilët zotëronin armë dhe kishin lidhje me disa banda grabitësish që vepronin në territorin e rajonit të Emilai Romanjës”, tha në konferencën e shtypit kreu i Policisë së Ravenës kuestori Rosario Eugenio Russo. Gjatë operacionit janë sekuestruar dhe 20 kg paracetomol i cili përdorej si pluhur përziers me kokainën. Mbi pakot me kokainë ishin stampuar fjalë në kode në gjuhën shqipe.