Po flasim për reçipetat, një aksesor i domosdoshëm në jetën e një femre. Ndoshta jo dhe aq, pasi këshillohet të mos i përdorni gjatë gjumit. Ky lajm mund të entuziazmojë partnerët tuaj, por shpjegimi shkencor është ai që duhet të vlejë në këtë rast. Ekspertët e shëndetit publik rekomandojnë të hiqni reçipetat kur flini pasi ato shtrëngojnë gjendrat dhe kanalet e ndryshme limfatike, duke penguar në këtë mënyrë filtrimin dhe eliminimin e toksinave nga organizmi. Siç e dini një pjesë e mirë e funksioneve të eliminimit të toksinave nga organizmi ndodh gjatë fazës së gjumit. Mbajtja e reçipetave natën shkakton gjithashtu akumulim të tepërt të ujit. Ky akumulim krijon dehidratim , por mund të çojë në shfaqjen e cisteve limfatike që ndikojnë drejtpërdrejt në kancerin e gjirit. Materiali përbërës i reçipetave ndikon në rritjen e temperaturës së gjoksit, mos harroni që gjoksi pre-kancerogjen ka temperaturë më të lartë se gjoksi i shëndetshëm. Studimet e ndryshme rekomandojnë që përdorimi i reçipetave nuk duhet të kalojë të 10 orët në ditë. Bëni kujdes me përzgjedhjen e materialit dhe formës që ju përshtatet, në mënyrë që të favorizoni qarkullimin e gjakut në këtë pjesë delikate të trupit.
Rama: Askush nuk e merr dot peng reformën në arsim
Askush nuk e merr dot peng reformën në arsim, është shprehur kryeministri Edi Rama në një takim me senatin e Universitetit të Tiranës. Ai tha se universiteti e ka problemin me veten, pasi reforma e arsimit të lartë i ka dhënë autonomi të zgjeruar. “Askush nuk e mer dot peng reformën, as me shfaqje as me firma e as me shqetësime sado legjitime që të jenë. Shqetësimet sado legjitime që të jenë kanë mundësinë të shprehen në rrugën e kësaj reforme, sepse problemi themelor që sot universiteti ka është me vetveten, nuk është as me qeverinë as me legjislacionin. Universiteti sot ka një sfidë të re që është një autonomi e zgjeruar, në letër, e zgjeruar. Debati që do të doja të bëja me universitetin, senatin, rektorin, dekanët, profesorët është ca duhet të bëjë qeveria më shumë për të garantuar këtë autonomi të zgjeruar, dhe jo si qeveria të hyjë të ndajë engjëjt nga djajtë të bëhet me disa kundër disave dhe histori të tilla që kanë të bëjnë me një të kaluar që mund të ketë shumë mendje në universitet po nuk ka lidhje as me mua e as me qeverinë”, tha Rama. Për kryeministrin vonesa e pagave të pedagogëve erdhi si pasojë e një debati mes ministrisë së Arsimi dhe asaj të Financave për trashëgimin e grantit të pakushtëzuar. “Vonesa e pagave është një shembull shumë i qartë i faktit që reforma është sfidë edhe për ne që e kemi udhëhequr dhe e kemi kthyer në legjislacion. Sepse na ka vonuar ne vetë si qeveri një debat midis ministrisë së Arsimit dhe të Financave, për çfarë? Për trashëgiminë e grantit të pakushtëzuar. MASR në këndvështrimin tim me të drejtë këmbëngul që granti i pakushtëzuar trashëgohet automatikisht dhe administrohet nga vetë universiteti, ministria e Financave këmbëngul që ‘po, të trashëgohet” po çdo vit duhet një aprovim i Ministrisë së Financave për trashëgueshmërinë”, thotë Rama.
CIA: RUSIA SYNON TË PËRZIHET NË ZGJEDHJET E ARDHSHME NË SHBA
Shefat e agjencive kryesore të inteligjencës në Shtetet e Bashkuara kanë tërhequr vërejtjen se Rusia synon të përdorë sulme kibernetike dhe taktika të tjera, në përpjekje për të ndikuar në zgjedhjet e ardhshme për Kongresin e Shteteve të Bashkuara dhe në disa vende evropiane. Duke dëshmuar para Komitetit të Inteligjencës së Senatit amerikan, drejtorët e CIA-s, FBI-së, Agjencisë Kombëtare të Sigurisë, dhe të tri agjencive të tjera të spiunimit, janë pajtuar me vlerësimin se Moska nuk i ka kufizuar përpjekjet e saj për të ndikuar në politikën amerikane, prej zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016. “Gjatë gjithë komunitetit, ne nuk kemi parë asnjë dëshmi të ndonjë ndryshimi të rëndësishëm”, tha Dan Coatsc, drejtor i Inteligjencës Kombëtare të Shteteve të Bashkuara. “Operacionet e vazhdueshme dhe të rënda kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara dhe aletatëve tanë evropianë do të vazhdojnë, me përdorim të zgjedhjeve si mundësi për shkatërrim të demokracisë”, tha Coats në deklaratën me shkrim. Në raportin e publikuar në janar të vitit të kaluar, agjencitë e Inteligjencës së Shteteve të Bashkuara patën konkluduar se Rusia ishte angazhuar në hakerizëm dhe përpjekje propaganduese, për të ndikuar në votimet presidenciale të vitit 2016. Moska disa herë i ka hedhur poshtë akuzat. Tri komitete të ndryshme të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, po zhvillojnë hetime ose për atë fushatë, ose për lidhjet e dyshuara ndërmjet zyrtarëve rusë dhe ndihmësve të tashëm dhe të dikurshëm të presidentit amerikan, Donald Trump. Një hetim i udhëhequr nga agjencia FBI për këtë çështje ka çuar në padi kundër dy ish-ndihmësve të zotit Trump, ndërsa dy të tjerë kanë deklaruar se ndjehen fajtorë.
MANCHESTER CITY NUK NJEH RIVAL, KALON ME LEHTËSI BASELIN E XHAKËS
Manchester City ka shkatërruar me rezultatin e pastër 4 me 0 Baselin e Taulant Xhakës. Të besuarve të Pep Guardiolës i janë dashur 9 minuta për të shënuar tre herë në portën e zvicerianëve, Fillimisht ishte Gundogan që zhbllokoi takimin. Kur po luhej minuta e 14-të, gjermani shfrytëzoi mjaft mirë një krosim nga këndi të Kevin de Bruyne për të mposhtur me kokë Vaclik. Katër minuta më vonë ishte Bernardo Silva që goditi fluturimthi për të dyfishuar rezultatin, ndërsa në minutën e 23-të sulmuesi më në formë i “qytetarëve” Sergio Aguero, me një goditje nga rreth 20 metra la të shtangur vendasit. Në fraksionin e dytë Gundogan plotësoi “pokerin” dhe golin e dytë personal. Pas kësaj fitoreje City hedh një hap të sigurtë drejt fazës çerekfinale.
Lindita Nikolla trë herë refuzon të paraqitet në komisionin e Arsimit
Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla ishte e thirrur në Komisionin e Arsimit në Kryesinë e Kuvendit për të dhënë shpjegime se përse nuk janë bërë gati aktet nënligjore, që shkaktuan vonesat e rrogave të pedagogëve. Në seancën dëgjimore, Lindita Nikolla nuk u paraqit, por dërgoi zv.ministrin e Arsimit duke thënë se kishte planifikuar një takim me homologun e saj të Kosovës, për një marrëveshje të përbashkët. Prania e Lindita Nikollës ishte kërkuar nga deputetët e opozitës, të cilët thanë se është hera e tretë që Lindita Nikolla tallet në këtë formë me deputetët. Me refuzimin për t’u paraqitur në komision, Lindita Nikolla refuzoi t’i japë një përgjigje 123 pedagogëve që i kanë dërguar disa kërkesa dhe që paralajmërojnë një grevë të përgjithshme, nëse këto nuk plotësohen. Kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi tha se për shkak të shpërdorimit të detyrës nga Ministrja Nikolla pedagogët mbeten pa paga dhe të hënën ata u paguan nga tarifat e studentëve. Pedagogët kanë firmosur një peticion me disa kërkesa për ministren e Arsimit, Lindita Nikolla. Në rast se kërkesat nuk do të plotësohen, 123 pedagogë paralajmërojnë të hyjnë në grevë.
TOTTENHAM “SURPRIZON” JUVENTUSIN NË SHTËPI
Ka rezultuar spektakolar akti i parë i fazës së 1/16-ave të Uefa Champions League mes Juventusit e Tottenhamit, e cila u mbyll në barazim 2 me 2. Dy gola të Higuain dhe një i Harry Kane kanë ndezur këtë takim që në sekondat e para. Duhen vetëm 80 sekonda që Gonzalo Higuain të ngrejë peshë zemrat e të gjithë tifozëve të Juventus-it. Mjafton një goditje dënimi, Pjanic pason te argjentinasi që i pambuluar e dërgon topin në rrjetë dhe 1 me 0. Si të mos mjaftonte një gol, Davies shkakton 11-metërsh që ekzekutohet saktë nga Higuain për 2 me 0. Por, tronditja e 10 minutave të para përfundon për londinezët, të cilët kur nuk kanë ç’të humbasin dhe hidhen në sulm dhe shpesh me Alli e Kane kërkojnë të shfrytëzojnë hapësirat dhe gjuajnë portën. Në minutën e 35-të Kane ndërmori një sulm personal që e konkretizoi po vetë në gol. Në sekondat shtesë të ndeshjes Aurier shkakton 11-metërsh ndaj Douglas Costa. Afër 11 metërshit afrohet përsëri Gonzalo Higuain por këtë herë argjentinasi gaboi shenjestër duke e stampuar në traversë sferën. Pas rikthimit në fushë, Tottenham u shfaq më e uritur për të gjetur golin, me Kane që tentonte thuajse nga të gjitha pikat. “Gjelat” e gjetën golin me anë të Eriksen. Danezi ekzekutoi saktë një goditje dënime dhe duke përfituar nga një devijim i murit mposhti Buffon. Përfundimisht 2 me 2 dhe në ndeshjen e 7 marsit, Tottenham-it i mjafton administrimi i këtij rezultati, ndërsa Juventus përveçse duhet të djersis, duhet edhe të shënoj më shumë se dy gola për të shpresuar në kalimin në fazën çerekfinale.
Guxim Alimani:Haradinaj fyu dhe dhunoi simbolet nacionale
Ka patur reagime të ashpra në lidhje me zevëndësimin e flamurit shqiptar në Prishtinë. Ja se çfarë shkruan Guxim Alimani në faqen e tij në Facebook.
Apel Presidentit te Republikes se Shqiperise
ILIR REXHEP META
Shkelqesi!
Nuk di fyerje me te madhe per nje komb sesa dhunimi i simboleve te tij nacionale.Nje veprim i tille ndodhi dje ne Prishtine me urdher te Ramush Haradinaj,duke ulur e shkulur flamurin kombetar shqiptar.Ky nuk eshte nje veprim spontan dhe eshte i izoluar por nje praktike e perseritur nga mendermethane Qeveria e Kosoves. Pak dite me pare nje tjeter “eksponent”keshilltar i Haradinaj,Halil Matoshi kerkoi largimin e bustit te Gjergj Kastriotit nga Prishtina. Ne keto kushte si qytetar i Shqiperise i indinjuar nga nje veprim i tille barbar kerkoj revokimin e menjehershem te dekretit tuaj mbi dhenjen e shtetesise shqiptare Ramush Haradinaj. Po ashtu duhet te thirret per konsultime urgjentisht sipas rregullave diplomatike Ambasadori yne ne Prishtine. Ramush Haradinaj i njohur per mediokritetin e tij njerezor po shkon larg ne demtimin e kauzes kombetare. Ky injorant e delirant qe premtoi se do ngrinte flamurin tone ne trojet e Isa Boletinit ne Mitrovice guxon e shkul nga Prishtina simbolet e Kombit! I bej thirrje vellezerve e motrave shqiptare ne Kosove te denojne kete akt te turpshem i cili eshte ne limitet ekstreme te tradhetise Kombetare.GA
GJASHTË BORËPASTRUESE NË QAFË-THANË, PËR TË BËRË TË KALUESHME RRUGËT
Normalizohet situata në të gjitha akset rrugore të Qarkut të Korçës, përfshi edhe Qafë-Thanën. Është dashur ndërhyrja e 6 borëpastrueseve për të mbajtur nën kontroll Qafë-Thanën, nga Lini deri në Prrenjas. Trashësia e borës në majën e Qafës së Thanës ka shkuar në 30 cm. Policia, në bashkëpunim me firmën nënkontraktore dhe institucionin e prefektit, për gjatë gjithë natës nuk ka lejuar kalimin e mjeteve të tonazhit të rëndë dhe të papajisur me zinxhirë edhe për të lehtesuar punën e borëpastrueseve. Si rezultat i kësaj pune, i gjithë aksi rrugor, të gjitha rrugët nacionale të Qarkut të Korçës janë të kalueshme normalisht. Përjashtim bëjnë vetëm akset në zonat e thella malore, ku kalimi bëhet me zinxhirë. Edhe në aksin Bulqizë-Peshkopi kalohet pa zinxhirë. Por, akset e tjera kalohen me zinxhirë dhe disa fshatra janë të bllokuara në njësinë administrative Zerqan dhe Trebisht. Si pasojë e motit të rënduar, disa fshatra kanë mbetur pa energji elektrike në zonën e Devollit dhe në rrethin e Pogradecit. Në Stëblevë të Librazhdit bora arrin 70 cm, ndërsa në fshatin Jagodinë të Elbasanit u përmbytën 30 ha tokë bujqësore nga përroi i Llixhës. Pasditen e së martës, në Shkodër u bllokua aksi Shkodër-Theth dhe Shkodër-Breg Lumi. Disa akse në veri dhe verilindje janë të kalueshme me zinxhirë. Lartësia e borës në aksin Tunel-Kalimash është 20 cm, por rruga është e kalueshme dhe borëpastrueset janë në punë. Nga reshjet shumë të dendura të rëna gjatë mesditës në qytetin e Vlorës ka pasur rritje të nivelit të ujit në disa rrugë.
Rama korçarëve: Hiqni dore nga patatja, ju mundi Divjaka dhe Kukësi
Tani kur gjithçka ka përfunduar dhe fermërëve të Korçës i ka mbetur patatje e pashitur, kryeministri Edi Rama i ka bërë thirrje atyre që mos ta mbjellin më atë prodhim bujqësor, pasi kanë konkurrent të fortë pataten e Kukësit dhe të Divjakës. Gjatë një takimi me studentët e Universitetit Bujqësor, Rama tha se nuk është faji i shteti që fermerëve të kësaj zone nuk i shitet prodhimi, duke theksuar se ata duhet të mbjellin mollë.
Rama: Në Korçë ka një problem, ka mbiprodhim të patates, nuk ka treg dhe të gjithë shikojnë nga shteti, a thua se është qeveria që duhet të shkojë tu blejë patatet. Në një treg të lirë ku ka konkurrencë të hapur dhe nuk mund të shkosh pas berihait, me idenë ku ta prodhoj njëherë dhe pastaj mesiguri do ta shes. Ka disa arsye se pse ata që kanë mbjellë patatë në atë zonë duhet të heqin dorë nga mbjellja e patateve dhe nuk duhet të rrinë dhe të mendojnë se patatja nuk u shitet sepse shteti nuk i bën të mundur shitjen e saj. Ka disa arsye, është një patate e bardhë që së pari është më pak e preferueshme se patatje e verdhë e Kukësit dhe së dyti del kur del patatja e dytë e Divjakës dhe kështu që janë të detyruar ta mbajnë pataten nëpër stoqe. Kështu që çfarë duhet të bëjmë? Duhet të ndërrojnë lojë. Të heqin dorë nga patatja dhe të kalojnë tek pemtaria, tek molla.
Haradinaj heq flamurin shqiptar në Prishtinë
Flamuri kombëtar shqiptar, që gjendet në një rreth-rrotullim në hyrje të Prishtinës, u kthye në mollë sherri, në prag të festës së Pavarësisë. Kryeministri Ramush Haradinaj urdhëroi më herët heqjen e tij dhe zëvendësimin me flamurin e Kosovës, por komuna e Prishtinës, e drejtuar nga Shpend Ahmeti, ishte kundër kësaj iniciative. Mbrëmjen e së martës, persona të autorizuar nga qeveria, arritën më në fund ta hiqnin flamurin kuq e zi, e ta zëvendësonin atë me një flamur më të vogël shtetëror, pavarësisht kundërshtive të qytetarëve dhe problemeve me energjinë elektrike. U desh ndërhyrja e zjarrfikëses dhe policisë për të zhbllokuar situatën e krijuar. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, kryeministri i vendit doli në mbrojtje të vendimit të tij për vendosjen e flamurit shtetëror në rreth-rrotullim. “Flamuri kombëtar është flamuri i lirisë sonë. Me shekuj kemi rrugëtuar me këtë flamur dhe gjithmonë do ta duam dhe do ta respektojmë. Vendosja e flamurit të shtetit bëhet në respekt të Kosovës dhe shënimit të përvjetorit të dhjetë të shtetit tonë. Me këtë flamur synojmë njohjen ndërkombëtare. Me këtë flamur zhvillojmë Kosovën dhe të ardhmen euro-atlantike”, shkroi Haradinaj në Facebook. Urdhërin për zëvendësimin e flamurit, ai e dha më herët, gjatë së hënës.




