Ka shkaktuar përplasje dhe akuza, deklarata e presidentit amerikan Donald Trump për publikimin e një informacioni. FBI të mërkurën njoftoi se ka shqetësime të mëdha lidhur me saktësinë e një memorandumi mbi hetimin për Rusinë, të cilin kreu i Shtëpisë së Bardhë do ta bëjë publik. Sipas mediave amerikane, Drejtori i FBI dhe Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm i kanë thënë Shtëpisë së Bardhë se publikimi i dokumentit mund të vendosë një precedent të rrezikshëm. Republikanët thonë se memorandumi zbulon survejimet e papërshtatshme nga FBI dhe Departamenti i Drejtësisë në hetimin për “Russiagate”. Por FBI shprehu shqetësimin se faktet e rëndësishme janë lënë jashtë memorandumit. Kjo deklaratë e përshkallëzon më tej konfliktin brenda administratës lidhur me memorandumin. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders tha për CNN se dokumenti po rishikohet nëse bie ndesh me aspektin ligjor dhe të sigurisë kombëtare. Kurse shefi i personelit i Shtëpisë së Bardhë, John Kelly, nënvizoi se shpresonte që memorandumi të publikohej “shumë shpejt në mënyrë që ta shohë e gjithë bota”. Ndërkohë, një zyrtar i lartë demokrat në Komitetin e Inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve akuzoi republikanët se kanë manipuluar një memorandum rreth përgjimeve të FBI në zgjedhjet presidenciale të 2016. Adam Schiff thotë se republikanët kanë ndryshuar tekstin përpara se të votohej. Dokumenti sekret është kaluar në komitetin e dominuar nga partia në pushtet por nevojitet aprovimi nga presidenti Trump që të bëhet publik.Demokratët dyshojnë se dokumenti është një pretekst për të diskredituar hetimin për lidhjet e ekipit të fushatës presidenciale të Trrump me Rusinë, që udhëhiqen nga prokurori special Robert Mueller. Nëse presidenti amerikan do ta aprovojë, memorandum do të publikohet gjatë orëve të vona të së enjtes.
Spaho paralajmëron bojkot të Kuvendit
Kryetari i grupit Parlamentar të PD, Edmond Spaho paralajmëroi se opozitë do të përdorë të gjitha format, madje edhe bojkot të kuvendit, derisa ata të arrijnë objektivin e tyre. Në një deklaratë për mediat, jashtë Kuvendit, kur Spaho u pyet nëse do të ketë bojkot, ai tha: Të gjitha format do ti përdorim derisa të arrijmë objektivin”. Spaho tha se aksioni opozitar do të vazhdojë me frymën e protestës së 27 janarit. Ne do ta vazhdojmë këtë betejë, është beteja e opozitës. Ne do të jemi këtu sa kohë që këta të vazhdojnë në këtë rrugë dhe do të na kenë përballë dhe do të përplasen alternativat me qëndrimin tonë. Do të përdorim të gjitha format dhe mjetet për tiu kundërvënë kësaj bande. Aksioni i sotëm vazhdoi me frymën e protestës, kështu do të vazhdojë edhe në ditë e tjera, madje duke intesifikuar formën e aksionit tonë.
Kryemadhi:Rama do të marrë në kokë çizmet e të gjithë shqiptarëve
Protestat nuk do të ndalen u shpreh kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, teksa vijoi se Kuvendi do t’i kthehet normalitetit kur kur t’i kthehet Kushtetutës. “Protestat nuk do të ndalojnë në asnjë moment. Nuk janë thjesht thirrja e qytetarëve në bulevard, nga më të ndryshmet. Kemi protestat te gjimnazistët, studentët për tarifa më të ulëta, minatorët, edhe tek ata qytetarë që quhen shtresa e mesme po që edi rama i shkatërroi me taksat e larta. Rikthimi normal do të jetë kur Parlamenti t’i kthehet Kushtetutës”, tha Kryemadhi. Në mënyrë simbolike kryetarja e LSI tha se tashmë “çizmja e çdo shqiptari do të bjerë mbi kokën e Edi Ramës”. “E prisja dhe pres akoma gjëra më të rënda. Sado të mundohet të largojë vëmendjen me historira nga më të ndryshmet dhe për të ringjallur histerinë popullore për skena si regjisor apo artist që mundohet ti krijojë nuk do ta shpëtojnë dot. Sot i kisha këpucët me takë të rënda mos u shqetësoni çizmja është simboli, çizmja më e rëndë është çizmja e krimit të organizuar, dhe duhet të kthehet në çizme të çdo shqiptari në kokën e Edi Ramës”, tha ajo.
Salianji i PD me peshk në Kuvend
Në oborrin e kuvendit ka folur edhe deputeti demokrat Ervin Salianji. Me një peshk në duar, ai ka shigjetuar pretendimin se nga reforma në drejtësi do kapeshin peshqit e mëdhenj. Salianji tha se peshku ishte për kryeministrin Rama. “Ka kaluar janari dhe i vetmi peshk i kapur është ky.Për të gjithë qytetarët shqiptarë unë e kam justifkuar paratë e taksave e tyre. Tentova ta fus në Kuvend t’ia jap kryeminsitrit në mënyrë simbolike, por punonjësit e gardës më thanë që këtu lejohen vetëm peshkaqenë. Peshqit e mëshenj nga Sajmir Tahiri e Nezar Seiti janë larguar të gjithë, peshkaqenjtë janë këtu”- deklaroi Salianji.
Doni të fitoni 21 mijë euro ?
Fshati zvicerian Albinen, i vendosur në kantonin Valais, është një fshat i vërtetë përrallor. Autoritetet e këtij vendi vendosën të ofrojnë 21,500 euro për secilin person që shkon për të jetuar aty. Kjo politikë u nis pasi të rinjtë e zonës po largoheshin masivisht. Kjo politikë ka entuziazmuar banorët e Evropës. Banorët e fshatit kërkojnë nga autoritetet lokale për të siguruar të ardhmen dhe mbijetesën e fshatit. Plani i këshillave lokale për familjet apo individë, të huajt, të cilët vendosin për të blerë ose ndërtojnë një shtëpi në Albinen, në rrethana të caktuara, marrin dhuratë nga 25.000 franga (21.500 euro) për çdo të rritur në familje dhe një shtesë prej 10.000 franga (8.500 euro) për fëmijë . Një familje me katër persona, sipas këtij propozimi, do të merrte një bonus me vlerë 70.000 franga zvicerane.
Nuk do të ketë amnisti për të dënuarit e dhunës në familje
Nuk do të ketë falje dënimi për të dënuarit për dhunë në familje është shprehur kreu i shtetit Ilir meta në një koncert bamirësie të organizuar nga shoqata “Të ndryshëm, por të barabartë”. “Gjatë mandatit tim si President i Republikës nuk do të trajtoj me falje të dënimit, asnjë person i cili është dënuar për dhunë në familje dhe njëkohësisht do kundërshtoj çdo amnisti të veprave penale të dhunës në familje apo të lidhura me to”, – theksoi ai. Ai kërkoi nga instancat shtetërore që të gjithë bashkë të parandalojnë rënien viktimë të dhunës së trafikimit. “Rastet e fundit tragjike, të Ariela Muratit dhe Fildez Hafizit, na bëjnë më të vetëdijshëm se që nga qeverisja qendrore, pushteti lokal, qendrat komunitare e sociale, organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe çdo punonjës policie, prokuror e gjyqtar, të gjithë duhet të bashkëveprojmë për të parandaluar rënien viktimë të dhunës e trafikimit, të çdo vajze e gruaje shqiptare, të çdo të mituri apo personi në nevojë”, ka theksuar Presidenti Meta.
Berisha paralajmëron Ramën: Matu mirë! Nuk firmos marrëveshje pa kaluar mbi trupat tanë
Ish kryeministri Sali Berisha akuzon Edi Ramën se po i jep Greqisë fushën e gazit më të madh në Mesdhe dhe paralajmëroi se nuk do të firmosë marrëveshjen pa shkelur më parë në trupat e tyre. “Bëri pazarin e kufirit detar me Greqinë ku ministri i Jashtëm grek thotë fituam zgjerimin e ujrave territoriale me 12 milje. Të gjithë ata që mendojnë se është propagandistike, gënjejnë veten e tyre aio e ka 100 % të vërtetë. Edi Rama ka dorëzuar fushat e gazit më të mëdha të Mesdheut dhe Jonit, kjo është 100% e sigurtë por dhe naftës. Sipas marrëveshjes tonë i takonin 100% Shqipërisë. Marrëveshja jonë ishte ajo që të takon në distancën e barazlarguar marrëveshja e tij është po të jap thërrime dhe po mbaj llokmën për vete. Ai është i gatshëm të bëjë çdo lloj kompromisi. Ky nuk mund ta kalojë atë pa kaluar mbi trupat tonë, Rama të matet mirë se do ta paguajë me të gjithë çmimet e merituara nëse guxon të konkludojë një marrëveshje të tillë, u shpreh Berisha.
Basha: Mafia në pushtet ekstradoi Seitajn për të mbrojtur Ramën e Tahirin
Me thirrjet “Hajdut, kriminelë” sa herë që nga salla merrnin fjalën deputetët e mazhorancës, opozita vijoi të mbajë të bllokuar foltoren e Kuvendit deri në momentin kur Taulant Balla kërkoi ndërprerjen e seancës. Jashtë sallës së Kuvendit, Lulzim Basha përsëriti akuzat ndaj Qeverisë për ekstradimin e Nezar Seitit. “Sipas vetë pohimeve të familjarëve të tij, ishte bërë gati të kthehej në bashkëpunëtor të drejtësisë, duke rrëzuar çdo alibi të Edi Ramës për të mos dorëzuar Saimir Tahirin, duke u dhënë kështu peshkun e madh shqiptarëve”, tha Basha. Kreu i PD-së thotë se në ekstradimin e Nezar Seitit janë të përfshira dhe përgjegjëse të gjitha institucionet. “Mafia në pushtet e ekstradoi për të mbrojtur Saimir Tahirin, Edi Ramën dhe kupolën mafioze në pushtet. Ky skandal vërteton se Kryeministri, ministri i Brendshëm, ministri i Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme janë bërë të gjithë bashkë për t’i mbyllur gojën bashkëpunëtorir të drejtësisë”, u shpreh ai.
Balena flet gjuhën e njerëzve
Balenat njihen për aftësitë e tyre mbresëlënëse të komunikimit që i lejojnë të flasin me njëri-tjetrin edhe kur janë 100 milje larg. Një eksperiment i ri ka treguar se gjitarët janë të aftë për të imituar gjihën e njerëzve, gjë që besohet të jetë e kufizuar për elefantët, zogjtë e delfinët. Shkencëtarët thonë se kanë regjistruar një balenë vrasëse, të quajtur ‘Ëikie’ duke përsëritur fjalët ‘hello’ dhe ‘bye, bye’ , duke numëruar deri në tre e duke thënë emrin e trajneres. Balena 14-vjecare jeton në Marineland në Francë dhe është i pari i regjistruar duke folur gjuhën e njerëzve. “Balenat vrasëse përdorin hundën për të lëshuar zhurma, sikur të flasësh me hundë, dhe ne nuk po prisnim të ishte perfekte. Por u habitëm kur pamë sa pranë ishte,” tha Dr Jose Abramson, drejtues i studimit. Ideja e shkencëtarëve ishte që të tregonin se balenat janë të afta të imitojnë zhurmat.
Pesë vjedhje brenda janarit në kryeqytet
Policia e Tiranës ka zbardhur pesë vjedhje të cilat kanë ndodhur brenda janarit vetëm në kryeqytet. Për të pesta këto vjedhje akuzohet i njëjti person, i cili është arrestuar.
Rasti i parë ka ndodhur në rrugën Kongresi i Lushjes, ku një 36-vjeçar ka vjedhur një sasi parash në një supermarket.
“Specilistet për Hetimit e Krimit në Komisariatin e Policise nr 2, kanë bërë zbardhjen dhe dokumentimin e disa vjedhjeve të ndodhura më parë, ku është kapur e ndaluar shtetasi: Pirent Kano, 36 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë 2 herë për veprën penale “Vjedhja”. Pasi më datë 13.01.2018, dyshohet se në rrugën “Kongresi i Lushnjes”, ka vjedhur një shumë lekësh në një supermarket në pronësi të shtetases B. N., 41 vjeç.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Kano dyshohet të ketë kryer edhe një sërë vjedhjesh të tjera vetëm brenda këtij muaji, ndërsa policia ka nisur hetimet.
RASTET
1-Më datë 03.01.2018, në rrugën “Besim Imani” dyshohet se ka vjedhur banesën e shtetases A.D.
2-Më datë 12.01.2018, ne bulevardin “Bajram Curri” dyshohet se ka vjedhur dyqanin e shtetasit N.A. Më datë 17.01.2018, në rrugën “Myslym Shyri”, dyshohet se ka vjedhur me thyerje xhami, një çantë, të ndodhur në mjeti tip “Benc 190”, në pronesi të shtetases Dh.M.,
3-Më datë 01.21.2018, në rrugën ”Rr.Androniqi Zengo Antoniu”, dyshohet se ka vjedhur banesen e shtetasit B.H.
4-Më datë 29.01.2018, dyshohet se ka vjedhur në rrugën “Naim Frashëri”, në një dyqan, ne pronesi të shtetasit E.Z., 22 vjeç.
