Pas fitores historike ndaj Hungarisë 0-1 në “Puskas Arena” falë golit të Armando Brojës, delegacioni i kombëtares shqiptare fluturoi drejt Rinasit e prej aty me autobus në kompleksin Tropikal, që është edhe shtëpia e kuqezinjve, sa herë që grumbullohen në Shqipëri.
Pikërisht te rezidenca i priste një tjetër festë, ajo e ditëlindjes së 76 të trajnerit italian të Shqipërisë, Edi Rejës, i cili u befasua jo pak nga atmosfera e krijuar dhe torta me flamurin kuqezi, që ishte përgatitur për ditën e veçantë të tij.
Të gjithë futbollistët iu bashkuan korit të këngës “Shumë urime për ty” (natyrisht e kënduar në italisht), ndërsa më pas trajneri 76-vjeçar e pa të arsyeshme të japë një mesazh falënderimi, por edhe përqendrimi.
“Ju falënderoj të gjithëve që keni bërë të kaloj një ditëlindje të jashtëzakonshme, pasi kemi arritur një fitore mjaft të rëndësishme. Më vjen keq vetëm për Gjimshitin, që ka pësuar një dëmtim të tillë. Tani është festa, por është edhe ndeshja tjetër, që është gjithashtu e rëndësishme”, tha trajneri italian para lojtarëve.