Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, theksoi në një intervistë për mediat italiane se qendra e pritjes për emigrantët në Gjadër do të funksionojë.
Kryetarja e qeverisë italiane foli për mosmarrëveshjen me gjyqësorin që është hapur.
“Unë nuk bëj angazhime që nuk mendoj se mund t’i mbaj. Por mos u shqetësoni sepse ka zgjidhje. Po punoj për të”, tha ajo.
Për Melonin projekti me Shqipërinë duhet të funksionojë sepse është inovativ dhe ka marrë vëmendjen e të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit europian.
“Për mendimin tim, projekti me Shqipërinë duhet të funksionojë dhe unë do të bëj gjithçka që të funksionojë. Besoj se është një projekt absolutisht inovativ dhe nuk është rastësi që ka marrë vëmendjen e pothuajse të gjitha vendeve anëtare të BE-së. Është një ndryshim total në menaxhimin e flukseve emigratore. Ka zgjidhje që e bëjnë projektin të funksionojë. Do të presim Gjykatën e Lartë, kemi edhe Gjykatën Europiane të Drejtësisë dhe do të shohim edhe sa mbështetje do të ketë për qëndrimin e Italisë përpara Gjykatës Europiane kur të vijë vendimi”, tha ajo.
Meloni theksoi se po punon për të gjetur zgjidhje të tjera për projektin dhe premton se do të funksionojë.
“E kisha parasysh që duhet të punoja tre herë më shumë se paraardhësit e mi për të arritur rezultate. Jam e përgatitur, e dija, veçanërisht për emigracionin që do të kishte kundërshtime të gjëra. E dija që do të hasja në shumë pengesa, këto që po shohim. E dija që do të kishte shumë fusha dhe mjedise që nuk do të ishin dakord me këto iniciative. Mendoj se nuk duhet të ndalemi para pengesave që po hasim dhe prandaj vazhdoj të kërkoj dhe do të gjej zgjidhje, projekti në Shqipëri do të funksionojë”,tha ajo për emisionin Quarta Repubblica.
Në fund të Nëntorit, emigrantët, dhe pjesa më e madhe e policëve italianë, punonjësve socialë dhe organi drejtues i qendrave në Shqipëri për riatdhesimin e emigrantëve lanë Gjadrin. Vendimi erdhi pas bllokimit të njëpasnjëshëm të Gjykatës së Romës për mbajtjen e emigrantëve në qendrën e Gjadrit. Vendimi më i fundit ishte ai i Tetorit që detyroi kthimin në Itali të 12 emigrantëve.
Verdikti i Gjykatës së Romës kundër zbatimit të marrëveshjes së arritur mes Shqipërisë dhe Italisë është ankimuar nga Qeveria Meloni në Gjykatën e Kasacionit dhe me 4 Dhjetor pritet vendimi.
Ndërkohë që Italia është edhe në pritje të vendimit të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, pas ankimit të bërë nga gjykatat italiane kundër dekretit Meloni për përcaktimin e vendeve të sigurta për emigrantët./tvklan