Ja çfarë duhet bërë që arsimi i lartë të shpëtojë

0
64
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Gjithë çpo ndodh sot me arsimin e lartë, janë paralajmëruar nga njerëz që e njohin këtë fushë deri në qelizë dhe e duan këtë vend. Por korigjimi nuk vjen me ulje e heqje tarifash. Jo! Profesori i nderuar Dritan Spahiu, jep argumenta se përse ligji është përgjergjës për këtë gjendje.
Ky është një shkrim i përgatitur në kohën kur debatohej ligji nga një profesor(bio), që ka dhënë dorëheqjen si rektor i një universiteti privat kur pronari i fabrikës universitare i kërkoi të firmoste diploma studentësh që ishin regjistruar direkt në vit të dytë.

Nga Prof. Dr.Dritan Spahiu

Gjatë tranzicionit të tejzgjatur, Arsimi i Lartë u shkatërruan më shumë se çdo institucion tjetër. Këtë e dëshmon edhe fakti se në rankimin global universitetet tona renditen krah atyre të Etiopisë dhe Kamboxhias. Dhënia e liçensave për universitete private personave që nuk kanë asnjë lidhje me arsimin rezultoi një krim i vërtetë. Universitetet u këthyen kryesisht në ndërmarrje biznesi. Shitja e diplomave i dha arsimit tonë atributet e një veprimtarie tregëtare vrastare. Ishte shumë i shëmtuar imazhi që dha në botë rasti i diplomës së italianit R. Bosi, ku dëshmohej se për një vit ai kishte dhënë 29 provime në gjuhën shqipe, megjithëse nuk njihte as alfabetin e kësaj gjuhe. Po ku ishte Ministria e Arsimit që me nenin numër 64, pika 4, të ligjit ekzistues kohe të arsimit të lartë kishte përgjegjësinë e plotë ligjore për sigurimin e cilësisë së aktivitetit të institucioneve të arsimit të lartë? Në materialin për gjendjen e arsimit të lartë në Shqipëri, hartuar nga grupi punës i ngritur me porosi të Kryeministrit Rama, nuk përmendet asgjë se si dhe pse erdhi arsimi ynë i lartë në këtë gjendje. U mbyllën disa “universiteteve” private, por autorët e shkatrrimit të institucioneve të arsimit të lartë nuk u ndëshkuan. E ndërsa në Itali penalizohen studentët që kanë blerë diploma universitare shqiptare, këtu te ne shitësit e këtyre diplomave janë të paprekshëm.
Projekt ligji i arsimit të lartë duhej të nisej nga kjo gjendje e mjeruar për të përcaktuar masat ligjore që duhen marrë. Në qoftë se duam shembuj të përgjegjëshmërisë së shtetit për arsimin e lartë po ju kujtoi rastin e Greqisë. Në pranverën e vitit 2007 pati një grevë shumë të fuqishme të studentëve, të cilët për rreth 3 muaj e paralizuan grupin politik grek që kërkonte të lejoheshin universitetet private në Greqi. Ata bllokuan plotësisht përpjekjet e disa politikanëve që kërkonin të ndryshonin nenin e Kushtetutës grekë që thoshte se: “Shteti nuk e ndanë me askënd kujdesin për arësimin e lartë”. Arësyet e studentëve ishin të qarta: kjo do të sillte uljen e nivelit të cilësisë të aktivitetit akademik dhe shkencor të universiteteve publike. Ajo protestë e mbylli plotësisht problemin e universiteteve private në Greqi. Në vitin 1933 u shtrua problemi i reformimit të plotë të arsimit shqiptar. Kërkohej nga shoqëria shqiptare që shkolla të ishte laike dhe të jepte dije dhe kulturë njëlloj si në vendet europiane. Ishte intelektuali i madh Ministri i Arsimit Mirash Ivanaj që e realizoi reformimin e arsimit shqiptar dhe kështu u vunë themelet e arsimit laik kombëtar shqiptarë. Ai arriti të bindë mbretin dhe parlamentin kur kërkoi të ndryshojë statutin e mbretnisë shqiptare, duke propozuar që aty të shtohen nene ku ligjërohej se: “Mësimi dhe edukimi i shtetasve shqiptarë janë e drejtë ekskluzive e shtetit. Jepet ndër shkolla shtetnore shkallësh të ndryshme sipas ligjës”. Ai, si Ministër dhe si jurist i lauruar me “Cum Laude” në universitetin “La Sapienza” të Romës, u tha deputetëve të parlamentit të asaj kohe se “shkolla jonë duhet të jetë kombëtare” dhe “kujdesin për arsimin shteti nuk duhet ta ndajë me askënd”. Thelbin e rëndësisë së reformës arsimore Ministri Ivanaj e shprehte me këto fjalë lapidare: “Shteti ynë si çdo shoqëni e organizueme, ka disa interesa që duhen vu në vendin e parë, përpara çdo interesi të privatëve; në këto interesa jo ma pak se monopolizimi i ushtrisë dhe i drejtësisë, hyn edhe monopolizimi nga ana e shtetit edhe i edukimit të popullit, pse sigurimi i nji shteti dhe zhvillimi i qetë i tij nuk mund të sigurohen me forca armate as me ligje, në kjoftë se qytetasit e tij rriten me nji ndiesi përbuzje kundrejt shtetit dhe ligjeve dhe me nji egoizëm rrënuese antishoqnore e antiatdhedashëse”. Për këto arësye u mbyllën të gjitha shkollat private që nuk pranuan autoritetin e shtetit shqiptarë për të kontrolluar cilësinë e proçesit mësimor dhe edukativ.

Në fushatën elektorale që çoi në fitoren e Partisë Socialiste në vitin 2013 u deklarua se në Shqipëri nuk do të ketë universitete fitimprurëse, por për hirë të vërtetës kjo gjë nuk po realizohet. Çdo njeri në Shqipëri është i bindur se nuk ka ndonjë universitet privat që të mos jetë fitimprurës. Ky premtim i deklaruar mendoj se është mënyra më e sigurtë për ta shpëtuar plotësisht arsimin e lartë nga groposja e plotë e tij, por ky premtim nuk është pasqyruar në projekt-ligjin e ri të arsimit të lartë. Përkundrazi aty flitet për ngritjen e institucioneve të arsimit të lartë krejtësisht të pavarura dhe kjo krijon përshtypjen se vendin e universiteteve “piramida” do ta zënë “grataçielat” mashtruese; po kështu projekt-ligji i ri i arsimit të lartë legalizon edhe financimin e universiteteve private, ndërkohë që universitetet publike vuajnë nga financimi i pamjaftueshëm nga ana e shtetit, kështu që në të ardhmen financimi i tyre do të zvoglohet edhe më tepër, për të hapë rrugën financimit të universiteteve private.
Në vendet europiane (Gjermani, Francë, Itali etj.) nuk ka të tilla piramida në arsimin e lartë, sepse mungesa e respektit për dijen shkencore është në kundështim flagrant parimet e demokracisë. Por shoqëria shqiptare akoma nuk është ngritur në nivelin e përgjegjëshmërisë së demokracive të këtyre vendeve që kanë universitete që festojnë mijë vjetorët e tyre, kurse ne festojmë 120 vjetorin e shkollës së parë shqipe. Prandaj këto institucione nuk duhen lejuar, sepse përvoja ka treguar se ato nuk mund të punojnë në interes të përgatitjes së specialistëve të lartë shqiptarë. Ndryshe në institucionet e arsimit të lartë mbetet kanceri që do vazhdojë ta shkatrrojë atë. Mendoj se mund të lejohen institute të larta jo fitimprurëse që do të jenë nën një kontroll të fortë të shtetit për të garantuar cilësinë e përgatitjes së specialistëve të lartë me dije shkencore bashkëkohore. Në këtë rast zhurma që bëhet për gjoja mos respektimin e autonomisë së institucioneve të arsimit të lartë nuk ka vend, sepse para së gjithash kërkohet përgjegjëshmëri për produktin cilësor që duhet të japin këto institucione. Për këtë qëllim është shumë e rëndësishme që në këtë projekt-ligj duhet të formulohet një nen i veçantë për përgjegjësinë e plotë dhe detyrimin ligjorë që duhet të marrë Ministria e Arësimit për të siguruar cilësinë në arsimin e lartë, duke shkatërruar piramidat mashtruese egzistuese universitare. Vetëm kështu Ministria e Arsimit si institucion i shtetit do të mbrojë qytetarët nga mashtrimet lidhur me përgatitjen e specialistëve të lartë me arsimim të mirëfilltë universitar.
Gjatë diskutimeve të projekt-ligjit të arsimit të lartë u paraqitën ankesa se ky ligj cënon autonominë e institucioneve të arsimit të lartë. Por në fakt është e kundërta; ky ligj siguron autonomi shumë më të madhe dhe më të plotë se ligjet e mëparshme të arsimit të lartë, sepse për herë të parë ai e shtrinë autonominë deri në njësinë bazë siç është departamenti. Por unë mendojë se në formulimin e nenit që shpreh njohjen e autonomisë të shtohet edhe kërkesa për përgjegjshmëri para shoqërisë dhe shtetit shqiptar. Autonomia pa përgjegjshmëri çon në anarshi. Si shembull mjafton të përmendim rastin e provimit të infermjerëve për të marrë liçensën, ku e kaluan provimin vetëm 46 përqind, megjithëse kufiri i njohurive që duhet të dinin ata ishte vënë shumë i ultë, rreth 20 pikë nga 100. Përfytyroni sa i ultë do të ishte ky rezultat në qoftë se niveli i njohurive për të kaluar do të ishte mbi 50 pikë, që është kufi i pranueshëm. Ky fakt tregon papërgjegjëshmëri për punën e përgatitjes së specialistëve të lartë e sidomos kur është fjala për specialitete që kanë të bëjnë me shëndetin e qytetarëve dhe kjo gjë duhet të marri fund. Përgjegjëshmëria e punës së institucioneve të arsimit të lartë do të sigurohet me një kontroll të fortë të shtetit që duhet të luaj rrolin si mbrojtës i qytetarëve të vet. Notat 10 në diplomën e “imbecile” R. Bosit janë firmosur nga pedagogët tonë dhe janë ligjëruar nga dekanë dhe rektorë. Nuk besoj se veprime të tilla janë të rastësishme, por me bindje them se janë të papërgjegjshme dhe të dënueshme ligjërisht. Lind pyetja: a janë dënuar fakte të tilla nga “universitetet” që kërkojnë autonomi? Atëhere a duhet kontrolli shtetëror për të siguruar përgjegjëshmërinë?

Zjarr Tv Ad