Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është shprehur se kanabisi është një problem për Shqipërinë, ndaj ka kërkuar që vendi ynë të bëjë një ligj për ta legalizuar.
Sipas tij, Shqipëria duhet të ndjekë shembullin e Maqedonisë së Veriut dhe ta legalizojë kanabisin, teksa shton se në këtë mënyrë mund të pastrojmë edhe emrin tonë si shqiptarë, duke e hequr Shqipërinë nga “lista e zezë” e vendeve për prodhim narkotikësh.
“Nuk kam për atë (Ramën) mesazh, por dëshira për Shqipërinë, kam qejf me e parë Shqipërinë më shumë shtet ligjor, ekonomi më të fortë, respektim të ndërsjellë të bindjeve, partive, jo me dominime. Kisha menduar që është tepër me rëndësi me legalizuar narkotikët në Shqipëri me ligj, sidomos ata që mbjellin, kanabisin. Duhet ta marrë guximin, ta legalizojë. Të bëjë ligj për kultivimin e tyre. E ka bërë Maqedonia. E kanë bërë popuj të tjerë. Ta heqim veten si shqiptarë nga harta e tyre që jemi vend narkotik.
Ndoshta do ta pastronim emrin tonë si shqiptarë. Rrezik ka si është sot, jo nëse legalizohet. Maqedonia e ka bërë. Edhe Shqipëria ta bëjë një ligj. Nuk po them, me e mbjellë si fasule (qesh). Por të paktën të kemi një mbulesë para të gjithë të tjerëve, se ka një sektor ekonomik të caktuar, në bazë të ligjit, në Maqedoni e kanë bërë, e përdorin për mjekësi, për të tjera”, tha Haradinaj për ABC.