Gazetari i njohur Enver Robelli ka risjellur historinë sesi Mbreti Zog i kërkoi një nuse amerikane Charles Hart, atëherë ambasador i SHBA në Tiranë.
Robelli me anë të një postimi në rrjetet sociale tregon sesi Hart u përpoq vërtetë të gjinte një nuse, teksa Mbreti Zog ksihte refuzuar pasi nuk i plotësonte kriteret që ai donte.
E teksa risjell historinë, gazetari me ironi duke iu referuar situatave të tanishme shkruan “ambasadorët amerikanë përherë kanë qenë në hall me politikanët shqiptarë”.
Postimi i plotë i Enver Robellit:
Më 1925 Charles Hart u emërua ambasador (atëbotë ministër) i SHBA-së në Tiranë. Me kalimin e viteve Hart krijoi një raport mirëbesimi me Mbretin Zog, i cili kishte respekt e adhurim të madh për Amerikën.
Njëherë kur ambasadori u kthye për pushime në Amerikë, Zogu iu lut t’ia gjente një nuse amerikane. Por Zogu kishte edhe dy kërkesa: nusja të jetë e bukur dhe të jetë e pasur (të ketë së paku një milion dollarë).
Lajmin se Zogu kërkonte një nuse amerikane e dha agjencia e lajmeve Associated Press. Ambasadori Charles Hart e mori seriozisht kërkesën e Mbretit të shqiptarëve dhe u kthye nga Amerika me një listë me emra vajzash amerikane, por Zogu s’pranoi të merrte asnjërën prej tyre sepse s’plotësonin kushtin e tij: të kishin një milion dollarë. Ambasadorët amerikanë përherë kanë qenë në hall me politikanët shqiptarë.