Sot Kosova feston 15 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Më 17 shkurt të vitit 2008, Kuvendi i Kosovës shpalli njëzëri Kosovën shtet të pavarur sovran dhe demokratik.
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë e të vështirë për qytetarët e Kosovës.
Për vite me radhë, shqiptarët e Kosovës vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviçit, gjë e cila rezultoi më një Luftë Çlirimtare (’97-’99). Pas përfundimit të Luftës Çlirimtare, u bë edhe vendosja e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë.
Në Prishtinë por jo vetëm do të mbahen një sërë takimesh dhe aktivitetesh për nder të 15 vjetorit të Pavarësisë. Agjenda nis me mbledhjen festive të Qeverisë së Kosovës e cila do të mbahet nga orën 8 të mëngjesit ndërsa më pas do të bëhen nderime te Monumenti i të Pagjeturve.
Ndërsa në orën 08:20 do të jetë ngritja solemne e Flamurit të Kosovës dhe në orën 08:30 do të bëhen nderime te Monumenti i të Pagjeturve. Kujtojmë që në Kosovë për një vizitë dy ditore, në kuadër të pavarësisë, ndodhet edhe presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj.