Deputeti Socialist Erion Braçe ka akuzuar kreun e grupit të PS-së, Taulant Balla, se ka urdhëruar bllokimin e amendamentit që mbron bujkun në raport me tregtarin. Ai shprehet se Balla ka urdhëruar edhe votën kundër një ndihme të vogël dhe konkrete për blegtorët.
Ish-zëvendëskryeministri ironizoi Ballën duke theksuar se qëndrimi i tij paska ardhur pasi ka zbuluar se është kundër qeverisë dhe Partisë Socialiste. Ai e cilëson urdhrin e Ballës për të votuar kundër, një akt që reflekton padituri, ligësi dhe smirë.
Në fund ai ngre një pyetje se çfarë duhet të bëjë një deputet për të mbrojtur punëtorët e sektorit të bujqësisë? Ai shton se duhet thjesht të kërkojë një punë tjetër.
Deklarata e Braçes
Mirë që jeni me tregtarët po me bujqit çfarë keni?! Prej qershorit të këtij viti kam paraqitur në Kuvend një amendim në ligj i cili vendos rregull në treg; garanton bujqit për paratë e mallit të tyre.
Janë miliona euro që grumbulluesit prej 6-9-12 muajs e më shumë nuk ua paguajnë bujqve; kanë blerë produkte te bujqit dhe prej kaq kohësh nuk u japin paratë! Mendoni një bujk që ka punuar nga 4-5 muaj në ciklin më të shkurtër, deri në 9-12 muaj në ciklin më të gjatë, për pasur prodhimin prej tij të ardhurat, e kanë shitur produktin dhe, kanë më shumë se një vit që nuk marrin paratë! Kam propozuar një afat 50 ditor për të paguar paratë te bujku.
Në ligj sot ne kemi veç një afat për të mbrojtur tregtarët, marrëdhëniet mes tyre, asgjë për bujkun në raport me tregarin. Prej qershorit, propozimi ligjor që kam bërë është bllokuar; 5 javë më parë propozimi ishte në kalendar për t’u diskutuar në komisionet e seancës plenare;
Por përsëri u bllokua në mënyrë të paligjshme jashtë çdo procedure parlamentare, nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste! Përse? Sepse tamam ai, ka zbuluar se unë jam kundër qeverisë së Partisë Socialiste dhe se ligji bie ndesh me politikat e saj!!!!!!!
Pra, pa asnjë efekt mbi buxhetin e shtetit, të propozosh që bujqit të marrin paratë e mallit shitur grumbulluesve, brenda 50 ditëve, qenka kundër qeverisë dhe Partisë Socialiste?! Ky qoftë! Të enjten, urdhëroi votim kundër një ndihme të vogël e konkrete për blegtorët, punën e tyre, thjesht pse ishte propozim i imi; një urdhër që reflekton padije-padituri, ligësi, smirë, qe gëlojnë mes atyre që urdhrin e kanë instrument fuqie, pushteti. Ka bllokuar prej muajsh një rregullim që ndihmon e garanton bujqit të marrin paratë e punës dhe mundit të tyre; tërësisht në mënyrë të paligjshme.
Në këtë pikë një pyetje kam: Çfarë duhet të bëjë një deputet për të bërë punën e tij, të mbrojë punëtorët e sektorit më të gjerë të ekonomisë kombëtare, bujqësisë? Ua them vetë: Duhet të kërkojë punë tjetër! Ajër!