Kush e shkeli Kushtetutën, Presidenti apo Kuvendi? Për këtë arsye Komisioni i Venecias do të ballafaqojë Presidentin Ilir Meta dhe mazhorancën për Gjykatën Kushtetuese në seancën plenare të 20 marsit të këtij viti.
Një përfaqësi nga Komisioni i Venecias pritet të vizitojë Tiranën sot dhe nesër, për të dëgjuar ballë për ballë të gjitha palët e përfshira në çështjen e ngritjes së Gjykatës Kushtetuese.
Axhenda e takimeve të delegacionit do të nisë me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi në orën 09:30, në 10:40 do të kenë takim me Komisionin Hetimor, në 12 me presidentin Ilir Meta dhe në 16:00 me Arta Vorpsin.
Ndërkohë me 14 shkurt, delegacioni i Venecias do të takohet me kreun e KED, Ardian Dvorani.
Aktualisht Komisioni i Venecias ka administruar pyetjet e Kuvendit, të cilat kërkojnë ta cilësojnë antikushtetuese dekretin e Kreut të Shtetit për anëtaren e Kushtetueses Marsida Xhaferllari,
dhe kërkesën prej 64 faqesh të Ilir Metës ku akuzon Parlamentin dhe kreun e KED-së Ardian Dvoranin se kanë shkelur Kushtetutën për emërimin e dy anëtareve të tjera të Kushtetueses Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji.
Pas vizitës në Tiranë, Venecia do të ketë edhe një raport paraprak për vendin tonë, ndërkohë që me 20 mars do të mbahet edhe seanca plenare me dyer të mbyllura e Komisionit të Venecias.
Në këtë seancë përfaqësuesit e Presidencës dhe të Kuvendit do të arsyetojnë kërkesën e tyrë përpara zyrtarëve të këtij Komisioni dhe në fund të këtij takimi do të ketë edhe një raport përfundimtar për t’i dhënë zgjidhje debatit institucional për Gjykatën Kushtetuese.