Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj, ka dhënë detaje rreth aksionit që u zhvillua ditën e sotme në komunën e Pejës, Klinës dhe Istogut.
Kurmehaj bëri me dije se janë arrestuar 10 persona, katër prej tyre drejtor të urbanizimit dhe tjerët zyrtarë të lartë, të cilët dyshohet se kanë kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës”.
“Kjo iniciative ka rrjedhe prej meje, pas shqetësimit të qytetarëve për ndërtimet pa leje që janë duke u lejuar në Klinë, Deçan, Pejë, Junik dhe Istog. Unë si kryeprokuror kam caktuar pesë prokurorë që janë marrë me rastin. Kemi bastisur tri komuna, Pejë, Klinë Istog, 10 janë arrestuar, disa prej tyre drejtorë, nën dyshimet se kanë kryer vepër penale keqpërdorim të pozitës zyrtare”, deklaroi ai në një konferencë për media.
Sakaq, prokurorja e rastit bëri të ditur se ky është vetëm fillimi, dhe se tashmë kanë siguruar dëshmi për ndërtime pa leje, duke shtuar se në Istog kanë arrestuar katër zyrtarë, në Pejë tre, dy në Klinë, dhe një në Deçan.