E ardhmja e Leo Messit është kthyer temë e ditës pasi presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu konfirmoi ekzistencën e një klauzole e cila e lejon argjentinasin që të largohet nga Barça verën e ardhshme, edhe pse kontrata aktuale i përfundon në vitin 2021.
“El Mundo Deportivo”, që një vit më parë kishte konfirmuar se Messi mund të ndërpriste kontratën e tij nëse do të shkonte për të luajtur në një ligë jo të rëndësishme, ndërsa të enjten gazeta “El País” saktësoi që klauzola nuk ka kushte, domethënë që Messi mund të ndërpresë kontratën e tij në mënyrë të njëanshme, që verën e ardhshme.
Përtej këtyre fakteve, mesazhi i përcjellë nga klubi është ky: qetësi absolute dhe besim maksimal për vazhdimësinë e Messit.
Zbulimi i ekzistencës së klauzolës së largimit të Leo Messit nuk ndryshon planet e Barcelonës. Barça ka menduar t’i bëjë një propozim të ri për zgjatjen e marrëveshjes dhe ndryshe nga rinovimet e mëparshme, këtë herë nuk do të ketë një datë për përfundimin e kontratës. Ideja e Barçës është t’i propozojë Leo Messit një kontratë të përjetshme.
Drejtuesit e Barcelonës nuk janë të shqetësuar dhe nuk kanë nxitim për të nisur negociatat me përfaqësuesit e Messit, pasi argjentinasi gjithmonë ka treguar përkushtimin dhe besnikërinë e tij ndaj klubit të Barcelonës.
Marrëdhënia mes Josep Maria Bartomeut dhe Jorge Messit, babait të Leos, është shumë e përzemërt. Të dy janë në kontakt të përhershëm dhe presidenti personalisht kujdeset për të gjitha nevojat e që mund të ketë kapiteni “blaugrana”. Messi dhe babai i tij i dinë qëllimet e klubit dhe ata nuk kanë asnjë nxitim të ulen dhe të flasin për një kontratë të re.
Leo Messi do të jetë ai që vendos për të ardhmen e tij dhe vetëm ai e di se edhe pë sa kohë do të vazhdojë të luajë. Në klub besojnë se do të mbetet aktiv të paktën deri në vitin 2022, për të luajtur edhe në Kupën Botës në Katar.
Atëherë Messi do të jetë 35 vjeç dhe mund të fillojë të mendojë për fundin e karrierës së tij. Ai gjithmonë ka pohuar se para se të dalë në pension do t’i pëlqente të luante, qoftë për disa muaj me Old Boys të Newell, klubi ku ai aktivizohej kur ishte fëmijë, në Rosario.