Ministria e Jashtme e Greqisë: S’e njohim Kosovën dhe ky pozicion mbetet i pandryshueshëm

0
37
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Thellimi i bashkëpunimit në fushën e ekonomisë dhe tregtisë në mes të Kosovës dhe Greqisë dhe vizita që kryediplomati grek, Nikos Dendias, pritet të realizojë në Prishtinë gjatë këtij muaji kanë shqetësuar Beogradin dhe Presidnetin, Aleksandër Vuçiç.

Mirëpo pavarësisht të gjithë bashkëpunimeve, Greqia është e prerë sa i përket pavarësisë së Kosovës.

“Siç e dini, Greqia nuk e njeh Kosovën dhe pozicioni i saj mbetet i pandryshueshëm”, kanë thënë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë për Gazetën Express.

“Njëkohësisht, është po aq e ditur se Greqia ka ndjekur një qasje konstruktive ndaj Prishtinës, duke qenë vend pritës i një “Zyre të Tregtisë dhe Çështjeve Ekonomike të Kosovës në Athinë” që nga viti 2019 dhe punon me Kosovën për shtimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme. Në këtë frymë, me qëllim të avancimit të mëtejmë të bashkëpunimit tonë dypalësh dhe lehtësimit të funksionimit të Zyrës, pa i përfshirë aspektet e lidhura me statusin, kjo zyrë është riemërtuar “Zyra e Interesave të Kosovës në Athinë”. Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, z.Dendias, bëri një vizitë në Prishtinë tetorin e kaluar, duke i dhënë shtytje bashkëpunimit dypalësh, duke e vënë theksin në fushën ekonomike, përfshirë tregtinë dhe energjinë”, thuhet në përgjigje.

“Me qëllim të shtimit të mëtejmë të bashkëpunimit, ishin vendosur pikat e kontaktit, më saktësisht zëvendësministri Fragoyannis dhe homologu i tij në atë kohë, zëvendësministri Brajshori, të cilët zhvilluan një telekonferencë. Si hap vijues, Forumi i Katërt Biznesor Greqi – Kosovë u mbajt më 20 prill në mënyrë virtuale për shkak të krizës shëndetësore”, thuhet ndër të tjera.

Nga MPJ e Greqisë kanë përmendur edhe vizitën që kryediplomati grek Dendias pritet të realizojë gjatë këtij muaji në Kosovë, duke sqaruar se ndërlidhet me krijimin e institucioneve të reja në Prishtinë.

“Siç e dini, ministri Dendias do ta vizitojë Kosovën në fillim të qershorit, pas formimit të qeverisë së re”, theksohet në përgjigje.

Gjithashtu nga Athina thonë se përkrahin liberalizimin e vizave për Kosovën dhe përmendin faktin që në kuadër të KFOR-it në Kosovë ka edhe ushtarë grek.

“Me këtë rast, dëshiroj të rikujtoj që Greqia është duke e përkrahur Kosovën në rrugën e saj evropiane dhe në këtë kontekst është gjithashtu duke e përkrahur liberalizimin e vizave. Greqia është gjithashtu duke kontribuar me një numër të konsiderueshëm të Forcave Helene në KFOR”, kanë potencuar nga MPJ.

Zjarr Tv Ad