Prokuroria e Kurbinit ka përfunduar hetimet për ish-agjentin e operacionales, Jeton Lame, i cili shoqëronte bosin e lojërave të fatit, Ervis Martinajt që rezulton i zhdukur prej 7 muajsh.
Dosja penale pritet t’i dorëzohet Gjykatës për gjykim paraprak. Ndaj tij është ngritur akuza e shpërdorimit të detyrës.
Sipas gazetares Klodiana Lala, Prokuroria ka arsyetuar se ish-agjenti Jeton Lame kishte detyrë funksionale të arrestonte personat e shumëkërkuar, por në vend që të zbatonte këtë detyrë, ai ka vendosur ta shoqëronte Ervis Martinaj dhe t’i garantonte paprekshmërinë nga forcat e policisë.
Prokurori i çështjes ka shkuar pak ditë më parë në ambientet e paraburgimit të sigurisë së lartë ku mbahet Jeton Lami dhe i ka komunikuar akuzat e ngritura ndaj tij.
Ndërkohë do të pritet afati 10-ditor që avokatët e Jeton Lamit të kthejnë pretendimet e tyre sikurse e parashikon ligji dhe më pas dosja penale pritet t’i dorëzohet gjykatës për gjykim paraprak.