Punëtorët e sektorit privat në Kosovë kërkojnë 200 euro shtesë nga Qeveria

0
30
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Përfaqësuesit e biznesit  në Kosovë po kërkojnë nga Qeveria pagesë të menjëhershme prej 200 eurove për punëtorët e sektorit privat. Qeveria e Kosovës në masat për ta luftuar inflacionin, ka ndihmuar punonjësit e sektorit publik me nga 50 euro për tre muaj rresht. Nga 100 euro u janë ndarë pensionistëve.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) përshëndet pjesërisht vendimin e marrë nga Qeveria e Kosovës gjatë muajt shtator për përkrahje të punëtorëve të sektorit publik dhe privat.

DHTIK kundërshton edhe njëherë vendimin për kushtëzimin e përkrahjes së punëtorëve të sektorit privat me ngritje të pagave nga ana e bizneseve, kushtëzim ky që nuk i është vendosur punëtorëve të sektorit publik.

Kryetari i DHTIK-ut, Skënder Krasniqi në një konferencë për media kërkon nga Kryeministri, Ministria e Financave, Kuvendi i Kosovës dhe institucionet tjera të vendit që të merren parasysh këto kërkesa dhe të bëhet ekzekutimi i menjëhershëm apo në dy pjesë për punëtorët e sektorit privat në shumën prej 200 eurove, ashtu siç është duke iu dhënë punëtorëve të sektorit publik, sepse këta punëtorë së bashku me bizneset janë shtylla e buxhetit dhe zhvillimit të vendit.

“Kjo odë kërkon gjithashtu që të merren parasysh kërkesat e vazhdueshme që janë duke u dërguar institucioneve përkatëse në tejkalimin sa më të lehtë të krizës dhe rritjen e zhvillimit ekonomik të vendit.

“Njëkohësisht, i ftojmë në një dialog të drejtpërdrejt me qëllim të diskutimit lidhur me gjendjen e bizneseve në terren pasi që Dhoma e Tregtisë është çdo ditë në vizita dhe kontakte të vazhdueshme me bizneset”, tha Krasniqi.

Kurse, Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës shtesa edhe për punonjësit e sektorit privat.

Një ditë pasi u ekzekutuan mjetet shtesë për punonjësit publikë, të përfshirë në Pakon kundër inflacionit, përfaqësuesit e punonjësve privatë kanë kërkuar të njëjtin përfitim nga shteti.

Kryetari i sindikatës, Jusuf Azemi përmes një komunikate për media ka thënë se punëtorët e sektorit privat në Kosovë janë kategori e grupit të tretë.

“Me shqetësim të madh e morëm lajmin e dhënë nga qeveria se vetëm punëtorët e sektorit publik të Kosovës duhet stimuluar me nga 50 e 100 euro për tre muaj radhazi, dhe në sektorin privat jo. Nëse dikush duhet stimuluar atëherë ata janë punëtorët e sektorit privat, ata janë më të varfër, ata janë me paga dyfish më të vogla, ata janë shumë më pak të mbrojtur nga ligji, ata më së shumti financojnë për buxhetin e shtetit”.

Kjo sindikatë njofton se i është drejtuar edhe përmes një letre, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati, që t’i heqin kushtëzimet për kompanitë private.

Qeveria e Kosovës në masat për ta luftuar inflacionin, ka ndihmuar punonjësit e sektorit publik me nga 50 euro për tre muaj rresht. Nga 100 euro u janë ndarë pensionistëve, ndërsa nga 100 euro u janë premtuar edhe studentëve dhe punonjësve të ndërmarrjeve publike./Monitor

Zjarr Tv Ad