Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për televizionin gjermant “NTV”, ka zbuluar se qeverisë shqiptare i janë janë ofruar para për të ndërtuar kamp për refugjatët por nuk pranuan. Rama tha se kanë ndjekur të njëjtën strategji që u vu në zbatim për qytetarët shqiptarë, shtëpitë e të cilëve u dëmtuan nga tërmeti i 26 Nëntorit.
“Kampet e refugjatëve janë çnjerëzore. Mendoj se ato janë një nga arsyet pse komunitetet përreth trazohen, kur njerëzit i shohin refugjatët në afërsi të tyre të mblidhen nëpër kampe. Kur vijnë shumë njerëz, ndonjëherë duhen ndërtuar edhe kampe, por në rastin tonë ne morëm një vendim. Edhe pse na u ofruan para për të ndërtuar kamp për refugjatët, refuzuam. Në këtë rast bëmë të njëjtën gjë që bëmë për njerëzit tanë, kur vendi ynë u godit nga tërmeti i tmerrshëm më 26 nëntor 2019”, tha Rama.
Ndër të tjera, kryeministri foli edhe për kabinetin e tij, duke shpjeguar dhe arsyen pse ka më shumë ministre gra. Rama tha se kjo nuk është ndjekur si strategji për të pasur ekipin me më shumë gra, dhe për të mposhtur burrat, por për një kabinet sa më të mirë.
“Së pari, unë besoj se gratë gjermane janë më të mira se burrat gjermanë, nuk ka dyshim për këtë dhe Angela Merkel është shembulli më i mirë. Së dyti, dua të them se nuk ishte aspak qëllimi im kjo gjë. Nuk është një kabinet që ka një përqindje kaq të lartë të grave për të bërë përshtypje në të gjithë botën, duke dsiskiminuar burra. Në kabinetet e mia të mëparshme, në të parin dhe në të dytin, ndarja shumë e ekuilibruar gjinore ishte e qëllimshme. Këtë herë doja thjesht kabinetin më të mirë. Dhe rasti e solli të ketë më shumë gra sesa burra”, shtoi ai.