Reforma zgjedhore/ Flet Oerd Bylykbashi: S’do lejojmë që Rama të marrë Primin në këmbim të disa bashkive

0
54
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nënkryetari i Grupit të Partisë Demokratike që drejtohet nga Sali Berisha, Oerd Bylykbashi, shprehet se kryetari i Grupit të PD-së, Enkelejd Alibeaj, ka bërë marrëveshje me Kryeministrin Rama që t’i “japë” primin në këmbim të disa bashkive.

Vendosja e primit nënkupton që partia që del me më shumë mandate nga zgjedhjet, merr 10 mandate plus dhe automatikisht formon qeverinë. Ndonëse nuk kanë përfaqësues në Komisionin e Reformës Territoriale, në një intervistë për gazetën “Panorama”, Oerd Bylykbashi u shpreh se në selinë blu është ngritur një grup pune, i cili sipas tij do dalë me ofertat e tyre për reformën zgjedhore dhe atë territoriale.

Ai e quan rrezik një marrëveshje të Alibeajt me Kryeministrin, ndaj deputetëve që janë në komisione dhe në Parlament u sugjeron që të përdorin votën me kujdes në mënyrë që të mos kthehen si deputetët e mandatit të kaluar që ishin “aksident”. Sakaq, Bylykbashi e konsideron të papërshtatshëm sistemin zgjedhor aktual i bërë në 2008. Sipas tij, në Shqipëri kanë rënë mekanizmat kontrolluese. Parlamenti ka nisur punën për Reformën Territoriale, a po punon PD për fuqizimin e bashkive?

Reforma territoriale është një nga nevojat e mëdha që ka Shqipëria në shumë plane. Së pari mund të them të riorganizimit të ndarjes territoriale sepse ajo që u bë në 2014 ishte qartazi ndarje me qëllim elektoral për të kapur pushtetin pa pasur parasysh nevojën e komuniteteve. Pasojat janë ato që dimë. Pushteti lokal është larguar shumë nga qytetari. Kostot janë rritur shumë, është fryrë administrata. Qeveria nuk është më për qytetarin e thjeshtë.

Na duhet që ta çojmë pushtetin sa më pranë qytetarëve. Është qartazi një marrëveshje midis Partisë Socialiste dhe z. Alibeaj e një grupi të vogël që kanë uzurpuar pikërisht pozicionet që i takojnë Partisë Demokratike si opozitë për të përcaktuar ata në një marrëveshje të përbashkët, një pazar sesi mund të jetë një marrëveshje territoriale që s’do t’u shërbejë qytetarëve.

PD nuk ka propozuar anëtar në këtë komision, megjithatë deputetët e PD-së jam i sigurt e kanë të qartë që interesi më i mirë i qytetarëve shërbehet duke përfaqësuar atje vullnetin politik të opozitës, e cila në kontakt me terrenin e di shumë mirë se çfarë duhet të jetë reforma territoriale. Nuk duhet të jetë një pazar për reformën zgjedhore dhe këtë do ta pengojmë me kusht.

A po punoni ju për një reformë territoriale, për parimet ku do ndërtohet ajo?

PD ka ngritur një grup pune që ka filluar të diskutojë me figura të shquara në këtë fushë. Me eksperiencë shumë të madhe sa i përket pushtetit vendor dhe decentralizimit dhe që në të shkuarën kanë bërë propozime konkrete si në nivelin e bashkive dhe të qarqeve. Në këtë grup pune që do përcaktoj qëndrimet e PD-së, por që t’u themi edhe qytetarëve se cila është oferta jonë, shumë shpejt besoj se do vijmë me një produkt solid për ta çuar përpara në reformën territoriale.

Nga ana tjetër kemi reformën zgjedhore, çfarë ka mbetur ende për të amenduar në ligjin zgjedhor?

Reforma zgjedhore sigurisht që e parë në një plan afatshkurtër ka nevojë për të bërë ndryshime për të reflektuar rekomandimet e ODIHR. Në vitin 2020 ne bëmë një reformë, që për fat të ke pati dy momente. PS refuzoi që të futeshin rregulla të qarta dhe të forta që të pengonin shtetin të futej në zgjedhje.

Sepse ky përkufizohet si problemi më i madh në zgjedhjet e fundit. Rregullat që u miratuan ishin të tretura, mirëpo edhe ato që u vunë u shkelën masivisht më 25 prill. Prioritet i madh është rikonceptimi apo vendosja e rregullave se si të mbajmë shtetin jashtë. Ky është një shtet politik dhe këtë e thotë edhe OSBE. Ndaj neve na duhet të veprojmë se një shtet që vepron me qëllimin e vetëm se si të fitojë partia në pushtet, sigurisht që i hap rrugën edhe krimit të organizuar. Kështu që ndërhyrja logjike në këtë fazë për të vendosur një digë të madhe është shumë e rëndësishme. Sigurisht, nëse na duhet të shtojmë rregulla të reja për votën e diasporës. Është baseni më i madh i votave të lira nga çdo lloj presioni e patronazhisti që ekziston dhe duke votuar aty ku ata kanë vendbanimin në Shqipëri. Jo si pretendon PS me një zonë të vetme.

Ne mendojmë që kjo do jetë një faktor i rëndësishëm për rrotacionin politik. Ka një seri çështjesh të tjera për të forcuar. Është shtrirja më tej e votimit elektronik. Por besoj që ajo që është më e rëndësishmja duhet të shmanget me çdo kusht një pazar mes Ramës dhe një grupi të vogël që nuk përfaqësojnë më PD të evitohet një pazar që do çojë në ndryshimin e sistemit zgjedhor që t’i sigurojë Ramës pushtetin sa më gjatë.

 

Ajo që duket vazhdimisht që të jetë një rrezik është një marrëveshje për t’i dhënë Ramës primin e maxhorancës, një numër mandatesh pa vota kjo vetëm e vetëm që Rama t’u garantojë më pas një mekanizëm më të thjeshtë për të mbijetuar politikisht personave të caktuar. Ky nuk është qëllimi as i opozitës, as i shqiptarëve. Ne, nga ana tjetër, do ta denoncojmë çdolloj marrëveshje të këtij lloji dhe deputetët do ta kuptojnë qartë që 94 votat për Kushtetutën dhe 84 votat për Kodin Zgjedhor duhet t’i përdorin me kujdes në mënyrë që Rama të mos bëjë të njëjtën gjë siç bëri në 2020, që duke ndryshuar rregullat garantoi një mandat në një marrëveshje në atë kohë me ish-kryetarin e PD-së.

Ju thatë që është ngritur një grup pune për reformën e re territoriale, a keni ju propozime konkrete, jeni për shtim apo reduktim të bashkive?

Grupi sapo ka nisur punën dhe do të shqyrtohen të gjitha propozimet ekzistuese dhe idetë e reja. Do mbledhim edhe opinionet nga rajonet e ndryshme. Ka pasur që në 2014 model shumë të mirë. Propozime për 80 apo 90 bashki. 384 bashkitë dhe komunat ishin të tepërta, por ajo që bëri PS ishte një veprim me qëllim elektoral. Ka shumë qytetarë që e duan bashkinë më afër. 61 është një xhaketë që i qëndron ngushtë nevojës qytetare për t’u mirë qeverisur. Një numër më i madh bashkisë do t’i shërbejë qeverisjes më të mirë në nivel lokal. Demokracisë lokale. Sigurisht, ky do jetë një debat qoftë i nivelit politik, por edhe i nivelit teknik dhe mbi bazën e standardeve të Këshillit të Europës.

Ju thatë se i druheni një ndryshimi të sistemit zgjedhor nga PS me ata që ju i konsideroni si pseudoopozitë. Sipas jush do duhet të ndryshojë sistemi? Ky sistem që është sot është një hibrid, që nuk gjendet kund dhe është toksik. Ka nevojë që ky sistem të ndryshohet me të gjithë elementet e tij brenda se vitin 2020 nuk bëri reformë, por përkeqësoi. Ky sistem duhet ndryshuar dhe me konsensus duhet të shohim një sistem që na çon në përfaqësim dhe në balanca mes pushtetet dhe nga ana tjetër të ketë efikasitetin e nevojshëm.

Por e bërë në formën e një pazari që më jepni dy ose tri bashki në hartë dhe të duket sikur kam arritur diçka të rëndësishme dhe për këtë më garanto një sistem mbijetese, por unë do të jap jetëgjatësi në pushtet me primin ku shumica merr një numër të caktuar pa vota, ky do ishte një pazar i shëmtuar. Këtë e kam denoncuar që në tetorin e vitit të kaluar e kjo del gjithnjë e më shumë në pah. Ne do bëjmë çmos që ta bllokojmë sepse këto pazare s’janë në interesin e shqiptarëve, sepse janë pazare për të mbajtur një vulë dhe të mbijetosh në një skenë politike që nuk është në interes të shqiptarëve, por në interesa individuale apo oligarkike.

Cili është sistemi më i volitshëm?

Do ishte e parakohshme që në një kohë që flas për konsensus të projektoja tani cili do ishte sistemi. Ne na duhet një sistem që garanton përfaqësim dhe një sistem që garanton balanca. Një nga arsyet se përse sot sistemi i vitit 2008 do ishte i papërshtatshëm më, është sepse kanë rënë kontrollet dhe balancat e jashtme mbi Kryeministrin.

Një Kryeministër i fortë nuk është gjë e keqe sa kohë ka të tjerë që e kontrollojnë, por një Kryeministër i fortë pa kontroll është i rrezikshëm. Gjykata Kushtetuese nuk është ajo që ka qenë dikur. Sistemi gjyqësor është ende në faza që nuk di ende ku është vetë, Parlamenti është noter i Kryeministrit, ndaj duhet një sistem që të nxirrte një Kryeministër që do duhet t’u përgjigjej më shumë interesave në të njëjtën kohë dhe të mos ishte një qeveri që vendos brenda ditës. Ne duhet të bllokojmë trendin e autokracisë ku po shkon Shqipëri

Zjarr Tv Ad