Zëri i Winfried Kretschmann ka peshë në debatin e nxehtë gjerman për refugjatët nga Ballkani Perëndimor. Nga njëra anë ai është kryeministri i landit Baden-Württemberg, dhe i përket Patisë së Gjelbër, e cila përkrah një politikë liberale të emigracionit. Nga ana tjetër ai me Po-në e tij në Këshillin Federal mundësoi që qeveria gjermane t’i shpallte Serbinë, Maqedoninë dhe Bosnje-Herzegovinën si vende të sigurta origjine. Megjithë protestat e forta të partisë së tij, Kretschmann e quan të mundshëm një klasifikim të tillë edhe për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Kosovën. Një klasifikim i tillë bën të mundur që azilkërkues nga këto vende, kërkesat e të cilëve hidhen poshtë në më shumë se 99 për qind të rasteve, të dëbohen shpejt në vendet e tyre. Kjydo të ishte një lehtësim i madh jo vetëm për autoritetet e landit Baden-Württemberg, por për të gjitha landet federale ku tani po ndërtohen kampe me çadra për të strehuar të ardhurit e rinj. Rreth 40 për qind e atyre që kanë ardhur sivjet, janë nga Ballkani Perëndimor, kryesisht nga Shqipëria dhe Kosova.
Kryeministri i Baden-Württembergut Winfried Kretschmann dhe ministrja e Integrimit e landit Bilkay Öney
Por Kretschmann ka hedhur edhe idenë që për emigrantët nga vendet e Ballkanit të mundësohet punësimi në Gjermani për profesione ku ka mangësi, p.sh. si infermierë apo kujdestarë për të moshuar.
Jo nga Ministria e Brendshme
Edhe presidenti i Shoqatës së Shërbimeve private Sociale (bpa), Bernd Meurer, ka propozuar që atyre që kërkojnë azil, t’u thuhet se në Gjermani ka dhe mundësi të tjera për të ardhur me rrugë legale, p.sh. për të punuar në profesione ku ka nevojë. Sipas tij në vende të tilla si Serbia apo Bonje-Hercegovina niveli i shkollimit të infermierëve është i ngjashëm me atë të Gjermanisë dhe nëse dikush di edhe gjermanisht, ai mund të punësohet.
Gjithësesi megjithë përpjekjet e Agjencisë së Punës në periudhën 2013-2014 për punësim në profesione të tilla ka pasur vetëm rreth 100 kërkesa.
Por Ministria e Brendshme Gjermane e hedh poshtë një propozim të tillë, sepse në rastin e kërkesës për azil dhe të punësimit për nevojat e tregut të punës kemi të bëjmë me dy fusha të ndryshme. Punësimi bëhet përmes procedurës së “blue card”, kurse kërkesa për azil përmes procedurave të tjera.
Po ashtu Ministria e Brendshme thekson se me ndryshimin e ligjit, sipas së cilit azilkërkuesit mund të punojnë në Gjermani pas tre muajsh qëndrimi këtu, ofrohet mundësi për punësimin e tyre në sektorë ku ka nevojë, pra edhe si infermierë apo kujdestarë për të moshuar.
Fushatë ndërgjegjësimi dhe probleme
Sipas Ministrisë së Brendshme Gjermane ofertat për punë në Gjermani nuk janë të njohura, sikurse edhe lista me rreth 100 profesione për të cilat ka nevojë. Mininistria rekomandon faqen e internetit .
Shoqata e Shërbimeve private Sociale (bpa) thekson se pengesë janë shpesh edhe njohuritë e pamjaftueshme të gjermanishtes, sepse kërkohet niveli 2B, ndërkohë që mungojnë ofertat për kurse gjuhe nga pala gjermane.
E vështirë është edhe procedura e njohjes së diplomave, sepse shpesh kërkohet që para se dikush të fillojë punë, të bëjë një praktikë, ngaqë autoritet gjermane kërkojnë të njëjtat emërtime profesionesh si në Gjermani, pra nëse dikush është infermier, kjo nuk mjafton për të punuar si kujdestar në azil për të moshuar, sepse në Gjermani ka një shkollim të posaçëm profesional: kujdestar për të moshuar.