Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj në përgjigje të deputetit Artur Roshi për dëbimin e shtetasit turk Harun Çelik thotë se ky vendim është administrativ që nuk i takon ministrit. Sipas tij, shtetasi turk është kapur me viza kanadeze të falsifikuar. Ndërsa sqaron se ai nuk ka qenë rezident në Shqipëri.
Sandër Lleshaj: Dëbimi i qytetarëve të huaj nga Shqipëria që nuk disponojnë dokumente të ligjshme është një praktike e rëndomtë e përditshme.
Vendimi nuk merret nga ministri i brendshëm, ministri i brendshëm merret me çështje politike. Vendimet e dëbimit janë vendime administrative. Në rastin konkret përgjegjës janë drejtoritë vendore të policisë së kufirit dhe migracionit. Cdo vit dëbohen mijëra qytetarë të huaj që ndodhen në kushte të parregullta ligjore. Ka dy rrugë për dëbim, ose largim vullnetar, ose largim i detyruar. Për vitin 2019 janë larguar vullnetarisht 3445 qytetarë të huaj që kanë qenë në kushte të parregullta ligjore në Shqipëri. Janë larguar me detyrim 45 qytetarë të huaj. Ka me mija qytetarë të huaj që dëbohen nga vende të BE drejt Shqipërisë. Këtu kemi të bëjmë me një proces administrative. Duhet të kishit kërkuar një hetim administrative përpara se çështja të marrë dimension politik në Parlament. Rasti është i tillë, qytetari Harun Celik është ndaluar në Shqipëri në 8 korrik 2019 sepse është kapur me një pasaportë turke në të cilën ndodhej një vizë kanadeze e falsifikuar. Qytetari turk nuk ka qenë rezident në Shqipëri asnjëherë. Ka hyrë vetëm njëherë në Shqipëri në 5 korrik 2019 dhe ka dalë pas disa orësh dhe ka ardhur në datën 8 për tu ndaluar nga autoritetet kufitare në dalje të kufirit. Kjo do të thotë se ky shtetas në kushtet e shkeljes së ligjit është proceduar dhe është dënuar nga gjykata e Tiranës dhe është deklaruar fajtor për falsifikim. AI është dënuar me 13 muaj bur gim. Më pas i është ulur dënimi me 1/3 në 8 muaj. Lleshaj tha se këtij shtetasi i janë ofruar edhe të drejtat si kërkesa për azil, por e ka refuzuar.
Sandër Lleshaj: Këtij shtetasi i janë ofruar dhe garantuar të gjitha të drejtat që parashikon kushtetuta dhe legjislacioni për të huajt. I janë garantuar mundësitë për të kundërshtuar aktin administrativ të dëbimit apo mundësinë e kërkimit të azilit në vendin tonë, por ai nuk ka pranuar të shfrytëzojë këto të drejta.




